Atdhetarë që nga Lidhja e Prizrenit

LIDHJA-620x481

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u formua pas përfundimit të luftës ruso-turke të viteve 1877-1878. Më 3 mars 1878, Rusia dhe Turqia nënshkruan traktatin e Shën Stefanit, i cili e coptoi keq Turqinë. Kurrë më parë nuk pat ndodhur që një shtet i mundur në luftë të detyrohej të humbte kaq shumë territore. Traktati i Shën Stefanit, që e copëtonte aq shumë Turqinë nuk i pëlqeu Evropës, e cila, për interesa të veta, vendosi të ndërhyjë. Ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, konti Andrasy, deklaroi se Rusia s’ka të drejtë ta imponojë vetë traktatin e paqes. Britania e Madhe me notën qarkore të lordit Salisbury deklaroi më 1 prill se traktati i Shën Stefanit s’ka vlerë praktike dhe se ai cënonte të drejtën ndërkombëtare. Britania e Madhe dhe Austro-Hungaria filluan të armatosen. Nga këto masa Rusia u tremb. Ministri i saj i Punëve të Jashtme Gorçakov, më 9 prill iu përgjigj notës qarkore të lordit Salisbury duke thënë se paqja e Shën Stefanit mund të diskutohej e të kontrollohej nga Fuqitë e Mëdha.

Më 30 maj Britania e Madhe e Rusia u morën vesh duke pranuar propozimin e Austro-Hungarisë për të thirrur një kongres më 13 qershor 1878 në Berlin. Kongresi i Berlinit e copëtoi Shqipërinë në të gjitha krahët. Vendimet e Kongresit të Berlinit i dëshpëruan shumë shqiptarët, të cilët vendosën t’i dalin për zot trojeve të veta. E gjithë Shqipëria iu drejtua Kongresit të Berlinit për padrejtësitë e mëdha që po i bënin kombit shqiptar. Rreziku ishte mbarëkombëtar. Në këto kushte disa atdhetarë shqiptarë organizuan një mbledhje në Gjakovë, lidhën besën dhe vendosën të bëhej një mbledhje mbarëkombëtare më 10 qershor në qytetin e Prizrenit. Stambolli, sapo mori vesh se shqiptarët përgatiteshin për një mbledhje mbarëkombëtare, vendosi ta përkrahë atë. Sulltani thirri disa personalitete të rëndësishme shqiptare, bisedoi gjërësisht me ta dhe u premtoi autonomi nën sovranitetin e vet. Gjithashtu ai urdhëroi komandantët ushtarakë në Shqipëri të mos e pengonin Lidhjen dhe veprimet e saj.

Mehmet efendi Kavaja – Sedja (1837 – 1880)

Meqenëse Kongresi i Berlinit do të hapej më 13 qershor, të gjithë qytetet e Shqipërisë vendosën të dërgojnë përfaqësuesit e vet në Prizren. Kavaja, atëkohë bënte pjesë në Vilajetin e Shkodrës, qe bërë një qytet relativisht i madh dhe i zhvilluar. Më 1838 Kavaja qe bërë qendër rrethi dhe kishte 38.000 banorë, veç tregtisë e zejeve të ndryshme kishte shkolla fillore e të mesme turqishte, 1 shkollë fillore greke dhe ishin bërë disa ndërtime publike. Karvanet e saj që rrihnin rrugët e Shkodrës, Dibrës, Ohrit, Manastirit, Elbasanit e Vlorës, sillnin jo vetëm mallra por edhe informacione për punën që bëhej në qytete të tjera për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Atdheut. Në xhami e kafene, në mjedise familjare e institucione, biseda e ditës ishte Kongresi i Berlinit, copëtimi i Shqipërisë dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kavaja u përfaqësua në Prizren nga avokati Mehmet efendi Sedja, Mesa duket ky fenomen nuk qe vetëm për Kavajën.

Vaso Pashë Shkodrani në Promemorien që i paraqiti ambasadorit të Austro- Hungarisë në Stamboll, kontit Zichy, ndërmjet së tjerash, shkruante: “Çdo krahinë ka dërguar në Prizren delegatët e vet e këta nuk kanë qenë krerë, as njerëz me influencë. Ata folën në emër të popullit shqiptar, pse populli ishin ata vetë dhe shpirti i tyre e ndjeu thellë fyerjen e rëndë që po i bëhej kombësisë shqiptare dhe burrërisë së tyre ushtarake… Pasi e zgjuan ndërgjegjen kombëtare, delegatët e Prizrenit u zhdukën, hynë përsëri në gjirin e popullit prej të cilit kishin dalë dhe sot kërkohen kot, sepse as duken, as kapen, pasi çdo krye, çdo plak katundi e çdo kryetar familjeje janë bërë bajraktarë e ushtarë një. Nga ndërgjegjja kombëtare marrin urdhërat si krenë dhe binden si ushtarë”. Avokati Mehmet efendi Sedja qëndroi në Prizren gjatë muajit korrik 1878, derisa u bënë të njohura vendimet e Kongresit të Berlinit. Përballë kësaj gjendjeje vërtetë kritike, më 5 gusht Këshilli Qendror i Lidhjes dha kushtrimin për të grumbulluar sa më shumë luftëtarë që të përballej armiku.

Delegatët e kra-hinave u larguan nga Prizreni me detyrën për të propaganduar rrezikun e copëtimit të Atdheut dhe të organizonin punën për grumbullimin e luftëtarëve, që do të niseshin drejt Veriut. Mehmet efendi Sedja u kthye në Kavajë dhe, pasi sqaroi situatën e rëndë në të cilën ndodhej Atdheu, shtroi detyrën për të nisur luftëtarë drejt Veriut. Në xhami, në kafe e kudo, popullit iu bënë të njohura vendimet që ishin marrë në Prizren. Dy vjet, pas kthimit nga Prizreni, Mehmet efendi Sedja nuk përmendet më në burimet e shkruara. Ai vdiq papritur në moshën 42 vjecare, por puna që ai kish bërë në ngritjen e komisioneve në fshatra e qytet vazhdonte. Ndërkohë vazhdonte puna për mobilizimin e luftëtarëve për të mbrojtur trojet shqiptare veriore të të Shkodrës, që rrezikoheshin drejtëpërdrejtënga lakmitë shoviniste të monarkive fqinjë.

Në Kavajë, ditën e pazarit telalli dha kushtrimin: “Atdheu është në rrezik! Shkodra kërkon ndihmë! Kush del fidai (vullnetar) të shkojë në hyqymet!” Thirrja e Shkodrës u bisedua edhe me kryepleqtë e fshatrave. Aty ku ishte e mundur, të dilte një burrë për shtëpi. Më 21 prill 1880 konsulli i Francës në Shkodër Le Rei i shkruante Ministrisë së Jashtme Franceze se “anëtarët e Lidhjes kanë dërguar telegrame në të gjitha anët për të thirrur shqiptarët nën armë”. Nga fundi i muajit prill 1880 pothuajse gjithçka u bë gati. Më shumë se 200 burra nga qyteti dhe fshatrat kishin dalë vullnetarë. Të gjithë ishin veshur me të bardha, fidainj, shenjë kjo që tregonte se niseshin për të mos u kthyer më.

Roli i Francës

Dega e Shkodrës njoftonte Qendrën në Prizren: “Kena qitur kushtrimin. Në Shkodër kanë ardhur luftëtarë nga Elbasani, Durrësi, Kavaja, Tirana, Kruja, Mati, Puka, Mirdita…” Forcat e Kavajës duhej të niseshin drejt Shkodrës në dhjetëditëshin e parë të muajit maj 1880. Kur në bibliotekën e qytetit u diskutua plani për mësymjen kundër malazezëve, të gjithë qenë të një mendimi “që sulmi të fillonte më 19 maj, pasi të vinte fuqia e Kavajës dhe e Tiranës”. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Arsyet nuk dihen. Forcat e Kavajës nuk u nisën as në qershor. Me sa duket diçka ka ngecur, por asaj nuk i gjenden gjurmët. Të dhënat thonë se vetëm në ditët e para të muajit korrik 1880 forcat e Kavajës u nisën drejt Shkodrës. Edhe krahina të tjera shqiptare nisën ndihma.

Konsulli francez i Shkodrës Le Re njoftonte Ministrinë e Jashtme Franceze se “sipas njoftimeve që më vijnë këtë çast numri i vullnetarëve, që ndodhen në kufi paska arritur tashmë tek 12.000 burrat”. Po vërtetohej kështu fjala e kryekonsullit austro-hungarez më 8 maj 1880 se “shqiptarë pa ndryshim feje janë ngritur të gjithë të frymëzuar nga ideja kombëtare”. Frika e Malit të Zi ndaj sulmit të shqiptarëve arriti kulmin. Ministri i Jashtëm malazez i alarmuar njoftonte Fuqitë e Mëdha se shqiptarët “…kërcënojnë se do të sulmojnë edhe vetë zotërimet e vjetra të Malit të Zi”. Ndërkohë që sulmi kundër malazezëve nuk ishte bërë ende, drejt Shkodrës vazhdonin të vinin forca të reja nga krahinat shqiptare. I ngarkuari me punë i Francës në Cetinë Sen Kanten i shkruante Ministrisë së Jashtme Franceze se“sipas lajmeve të fundit që na vijnë nga Shkodra, shqiptarët duhet të kenë një forcë prej 10.000 burrash që brenda 4 orëve mund të arrijnë në 18.000 vetë. Siç duket ata kanë si qëllim të sulmojnë së shpejti malazeztë”.

Përgatitjet ushtarake të shqiptarëve dhe lufta diplomatike e Lidhjes Shqiptare, sidomos e degës së Shkodrës, e shpëtuan hëpërhë Hotin e Grudën, por Fuqitë e Mëdha e kompensuan duke i dhënë Ulqinin. Ky lajm u bë i njohur më 27 qershor. Lidhja vendosi të kundërshtojë me forcë. Krahas forcave të tjera ushtarake drejt Ulqinit u nisën edhe forcat e Kavajës. Dega e Shkodrës duke parashikuar një konflikt që mund të vazhdonte gjatë i nisi një telegram tjetër Kavajës, Tiranës e Durrësit për të nisur forca të tjera. Këto veprime që nuk mund të mbeteshin të fshehta e frikësuan keq Malin e Zi. Ministri i Jashtëm malazez Radoniç i shkruante të Ngarkuarit me Punë të Francës në Cetinë, Sen Kanten, se “pritet të vijnë njerëz nga Dibra, Kruja, Tirana e Kavaja dhe llogaritë tregojnë se pas arritjes së tyre numri i forcave shqiptare, midis liqenit dhe detit, do të arrijë në 5.000 a 6.000 vetë”.

Beteja për të marrë Ulqinin dhe marrëdhëniet e Fuqive të Mëdha me Turqinë

Më 20 korrik 1880 I Ngarkuari me Punë i Malit të Zi në Stamboll lajmëroi ambasadorët se 8000 shqiptarët nga Shqipëria e Mesme kishin ardhur në Shkodër për të sulmuar Malin e Zi. Ditët e para të gushtit 1880 Fuqitë e Mëdha i drejtuan Turqisë një notë kolektive, ku i kërkonin asaj të ndërhynte ushtarakisht për t’i dorëzuar Ulqinin Malit të Zi. Stambolli, pasi u informua për dërgimin e flotës ushtarake prej 18 anijesh në Ulqin nga Fuqitë e Mëdha, nën komandën e admiralit britanik Seymour, dërgoi në Shkodër disa pashallarë për t’i bindur shqiptarët, që ta dorëzojnë Ulqinin, por pa sukses. Malazezët, pasi u informuan për dështimin e të dërguarve të Sulltanit në misionin e tyre, u shqetësuan mjaft, sepse pëshpëritej që 6.000 shqiptarë të armatosur ishin pranë kufirit dhe 3-4.000 të tjerë po vinin nga Shqipëria e Mesme. Sulltani emëroi në Shkodër Komisar të Lartë Marshall Dervish Pashën me një fuqi ushtarake 21 batalione (10.000 ushtarë).

Ulqinakët dhe forcat ushtarake që kishin hyrë në qytet kishin vendosur që më mirë t’i dorëzoheshin flotës së Fuqive të Mëdha, por kurrsesi Malit të Zi. Ata nuk donin t’ia dinin as për Turqinë e se do të luftonin si kundër malazezëve, ashtu edhe kundër ushtrive të Sulltanit deri në pikën e fundit të gjakut. Dervish Pasha, pasi dështoi në misionin e tij për të bindur shqiptarët të dorëzojnë Ulqinin, më 14 nëntor shpalli shtetrrethimin dhe ngriti gjyqin ushtarak. Më 22 nëntor urdhëroi ushtrinë të marshonte drejt Ulqinit. Pas dy ditëve luftë, ku pati qindra të vrarë, Dervish Pasha hyri në Ulqin.

Konsulli francez i Shkodrës thotë se “… nga të dy palët humbjet janë mjaft të ndjeshme”. Ndonëse konsulli jep një informatë të thatë, lufta për mbrojtjen e Ulqinit qe mjaft e ashpër. Artileria turke shkatërroi fortifikimet e llogoret e mbrojtësve dhe vrau shumë prej tyre, që kishin zënë pozicione në Kodër të Kuqe në fshatin Klesna. Në disa vende u luftua edhe trup më trup. Porta e Lartë i luftoi shqiptarët me egërsi, sepse mbronin qytetin e tyre. Flota e Fuqive të Mëdha bënte sehir, sepse donte të kënaqte ambicjet shoviniste të “nji shteti të paqytetnuem e katundar”, siç e kishte cilësuar arqipeshkvi i Shkodrës më 11 mars 1878 Malin e Zi. Pas betejës, ndërmjet të vrarëve ishin edhe komandanti e zv.komandanti i vullnetarëve të Kavajës Mehmet Murati, Shaban Aliu e të tjerë, që nuk ua dimë emrat. Kur u nisën qenë veshur me të bardha, fidainj. Nuk e dhanë jetën për vendlindjen e tyre, për Kavajën, as për ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë së Mesme, por për Ulqinin verior. Dhanë gjithçka për Ulqinin, sepse Ulqini, nga kohë që nuk mbahen mend, ishte i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

Populli i vendlindjes u ka ngritur atyre një këngë sa trimërore, aq edhe prekëse: Kral Nikolla me Rusinë, du´n xhevap me hy n´Ulqin: Kral Nikolla i Cetinës, t’jep xhevap gryk’ e martinës, s’asht përgjigja e Dovletit, as e kralit, as e mbretit, por asht pushka e miletit. Met Murati nga Kavaja me dyqind vjen nga kazaja. Met Murati me Shabë Alinë bajnë gajret me mbajtë Ulqinë: -Dervish Pasha, hiq ushtrinë, s’e bajmë hasha na Ulqinë. Hiqi topat, Dervish Pasha, na Ulqinin s’e bajmë hasha. Me luftu’, me vdek’ të tanë veç Ulqinin mos me e lanë…

Ibrahim Mehmet Kavaja – Sedja (1864 – 1951) Ishte djali i dytë i Mehmet efendi Sedjes. Kishte lindur më 1864, në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qe 16 vjec. Shkollën fillore, ruzhdie dhe medresenë e kreu në vendlindje më rezultate shumë të mira. Vdekja e beftë e të jatit e angazhoi në moshë të re në lëvizjen kombëtare, mësoi fshehurazi shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe e krahas atdhetarëve të njohur kavajas propagandoimësimin e gjuhës shqipe. Karvanet tregtare që bënin rrugët e Manastirit sillnin në Kavajë gazetën shqipe “Drita”, revistën “Albania” e libra të botuara në Bukuresht e Stamboll. Ato lexoheshin fshehurazi dhe kalonin dorë më dorë. Përpjekjet për hapjen e shkollës së parë shqipe në Kavajë u shtuan pas hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë.

Nismëtarë për hapjen e saj qenë Dhaskal Rusi e Dhaskal Leka, të mbështetur nga atdhetarët e tjerë myslimanë dhe nga Alltunët. Nga marsi deri në korrik të vitit 1887 përpjekjet për hapjen e shkollës së parë shqipe në Kavajë u shoqëruan me kundërshtime të ashpra. Interesant është fakti se kundërshtimet vinin jo vetëm nga krahu fanatik mysliman, por edhe ai ortodoks. Edhe të parët, edhe të dytët ngulnin këmbë që shkolla shqipe të mos hapej, nxënësit kishin shkolla turke e greke. Thuhet se Ibrahimi i ri u ndesh keq me turkomanët dhe myftiun e qytetit, i cili ishte kundërshtar i fortë i mësimit të gjuhës shqipe. Ibrahimi i ri u kërcënua me vdekje, E ëma dhe vëllai i madh e nisën për në Stamboll për studime. Atje u shqua për vullnet e këmbëngulje në përvetësimin e njohurive, u diplomua për drejtësi.

Nisi të shkruajë në gazetat e revistat e kohës. U njoh me Naim e Sami Frashërin, Dervish Himën, Hoxha Tahsinin, Shahin Kolonjën, Kostandin Kristoforidhin e të tjerë e atdhetarë. Që nga ajo kohë ndihmesa e tij në lëvizjen kombëtare nuk u ndërpre për asnjë çast. Emri i tij u bë i njohur në qarqet intelektuale të Stambollit, u ftua të jepte leksione në Universitetin e atjeshëm, më pas u emërua pedagog, ku qendroi deri sa doli në pension. Mbajti korespondencë të vazhdueshme me familjen e tij në Shqipëri derisa vdiq. Ai pati vetëm tri vajza. Ndërroi jetë në Stamboll në vitin 1951 në moshën 87-vjeçare.

Personazhet historikë dhe roli i tyre në çështjen shqiptare

Abdurrahim Mehmet Kavaja – Sedja (1872-1937)

Abdurrahimi mbeti pa baba në moshën 7 vjecare. U kujdesën për të e ëma dhe vëllai i madh Mustafai. Rezultatet e shkëlqyera që arriti në shkollën fillore e ruzhdie të vendlindjes e nxitën nënën dhe vëllain e madh ta nisnin për studime në kryeqytetin perandorak. Atje kish vajtur kohë më parë për studime Ibrahim Sedja, vëllai i dytë, kështuqë ai do të ishte nën kujdesin e tij. Në këtë mjedis u ushqye edhe i riu Sedja nga Kavaja. Ndryshe nga i ati dhe vëllai ai ndoqi shkollë ushtarake, u diplomua më 1899 dhe shërbeu në ushtri. Në kujtimet që ruhen në Muzeun Historik të Kavajës thuhet se Abdurrahim Sedja qe njohur e miqësuar me Mustafa Qemal Ataturkun, i cili gjatë revolucionit demokratik turk më 1918-1923 e ftoi të shkonte në Turqi qëtë bashkëpunonte me të. Më 1909 ai gjendej me shërbim në qytetin Kozhan, ku qe shfaqur si luftëtar trim e i palodhur i çështjes kombëtare. Qe nismëtar i themelimit të klubit të atjeshëm “Vëllazëria”.

Në shtator të atij viti klubi “Vëllazëria: e zgjodhi atë delegat në Kongresin e Elbasanit, ku u morën vendime të rëndësishme për zhvillimin e arsimit kombëtar, për hapjen e njëshkolle të mesme pedagogjike në Elbasan, për futjen e gjuhës shqipe në shkollat e huaja, për njësimin e programeve e të klubeve e shoqërive të ndryshme shqiptare,për qendrimin qëduhej mbajtur ndaj turqve të rinj etj. Gjatë ditëve të atij kuvendi ai do të takohej e bisedonte me figura të shquara të Lëvizjes Kombëtare si Dom Nikollë Kacorri e Jahja Ballhysa – delegatët e Durrësit, Gjergj Qiriazin – delegat i klubit “Bashkimi” të Manastirit, Dibrës e Follorinës. Përmallim të vecantë do të ndjente në takimin me bashkëqytetarin e atdhetarin e njohur Andrea Ekonomi – delegat i klubit “Drita” të Gjirokastrës e të tjerë. Para përfundimit të Kongresit ata u kthyen së bashku në Kavajë, ku propaganduan vendimet e marra atje dhe gjallëruan më tej atdhetarizmin në ato ditë të vështira për Lëvizjen Kombëtare.

Pas disa javësh Ekonomi u nis për në Gjirokastër, ndërsa Abdurrahimi qendroi më gjatë mes patriotëve kavajas duke ndihmuar në organizimin e lëvizjes atdhetare në rrethanat e reja. Kjo gjendje revolucionare pasqyrohej edhe në gazetën “Bashkimi i Kombit” të datës 15, vjeshtë e dytë 1909: “… Sa gëzim ndjeu zemra ime këtë radhë duke shkuar… në Kavajë: nuk është e zonja pena ime t’jua tregoj. Një erë e re fryn në këto vise, një erë Shqiptarizmi e cila të mbush plot shpresë, se Kombi Shqiptar është i zoti të kuptojë të mirën e vet… Në Kavajë ndryshimin e solli më një anë gazeta “Bashkimi i Kombit”, … më tjetër anë i ndershmi dhe i flakti atdhetar Abdurrahim Eff. Sedja, i cili, pasi u mbyll Kongresi i Elbasanit, vajti në Kavajë dhe dha shkoqitje për punën e kësaj mbledhjeje kombëtare dhe këshilloi shqiptarët të punojnë të gjithë bashkërisht, si vëllezër që janë për të mirën e Atdheut të vet”… U përndoq e u persekutua, ashtu si dikur dhe vëllai i vet Ibrahimi, por kurrë nuk u largua nga udha e shqiptarizmës. Pas Shpalljes së Pavarësisë u kthye në Kavajë. Në vitet e Kryengritjes Fshatare u përndoq nga turkomanët e esadistët, sepse mbronin flamurin kombëtar dhe gjuhën amtare me alfabetin latin. Në vitet e Luftës së Parë Botërore jetoi në Kavajë. Në qershorin e vitit 1920 qe ndër veprimtarët kryesorë për organizimin e vullnetarëve dhe nisjen e tyre drejt Vlorës kundër pushtuesve italianë. Më 1923 u emërua kryetar i Zyrës së Rekrutimit në Tiranë. Përkrahu Revolucionin e Qershorit 1924. Me rikthimin e Zogut në pushtet u tërhoq nga jeta politike, Vitet e fundit të jetës i kaloi në Durrës, vdiq më 1937.

Mehmet Mustafa Sedja (1905 )

Nipi i drejtpërdrejtë i përfaqësuesit të Kavajës nëLidhjen Shqiptare të Prizrenit. Mehmet Sedja i ri u edukua me traditën atdhetare të familjes. Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, ndoqi mësimet në Institutin Shqiptaro- Amerikan tëKavajës, u diplomua teknik i mesëm bujqësor,.Në vitet e Luftës Clirimtare Antifashiste familja e tij u rreshtua në krahun e luftëtarëve antifashistë, duke ndihmuar në të gjitha mënyrat luftën për liri. Mori pjesë në mbledhjen e parë themeluese për krijimin e këshillit të parë nacionalclirimtar të nënprefekturës së Kavajës më 08 shkurt të vitit 1943. Pas Çlirimit deri në fillim të vitit 1946 punoi përgjegjës i Seksionit të Ekonomisë, Bujqësisë dhe Pyjeve në Komitetin Ekzekutiv të nënprefekturës Kavajë.

Ai kishte marrë në shkollë dhe familje formim demokratik dhe nuk u pajtua me reformat radikale që mori pushteti komunist. Emri i tij nisi të pëshpëritej si njeri i pakënaqur nga reformat e “pushtetit popullor”. Mehmeti qe burrë me karakter, nuk i fshihte mendimet e tij, madje guxoi që në zgjedhjet e tetorit 1945, guxoi të kandidonte si i pavarur në zgjedhjet për Komitetin Ekzekutiv të nënprefekturës Kavajë, ku edhe fitoi. Që nga ajo kohë emri i tij u fut në rrethin armiqve të pushtetit, Më 15 mars 1946 u arrestua, prokurori kërkoi dënimin e tij me vdekje, më pas masa ndëshkimore erdhi duke u ulur, iu sekuestrua pasuria. Ndërroi jetë në vitin 1981.

[the_ad id=”4118″]

Previous Entries ORAKULLI DODONES- MAKSIM ZOTAJ Next Entries Më 16 korrik zyrtarizohet LSHB, që synon Shqipërinë e Bashkuar

Komento rreth shkrimit