Get a site
KULTURELetersi

KARAKTERI INDOEVROPIAN I GJUHËS SHQIPE

GJUHA-SHQIPEKARAKTERI INDOEVROPIAN I GJUHËS SHQIPE
Shkruan Prof. Zymer Mehani
Gjuhët indoevropiane janë dëshmuar me anë të shkrimit në periudhat më të ndryshme, e kështu ato i paraqiten syrit të gjuhëtarit në shkallë të ndryshme të lashtësisë e të zhvillimit të tyre. Për deri sa prej hetitishtes, indishtes e greqishtes kemi dëshmi shkrimi që nga mesi ose mbarimi i mijëvjeçarit të dytë para erës sonë, e nga iranishtja e gjuhët italike që prej antikës, gjuhët gjermanike njihen nga shekulli IV i erës sonë, me biblën gotishte; armenishtja nga shekulli V; keltishtja (me mbishkrimet e irlandishtes) nga shekulli VII; sllavishtja (me sllavishten e vjetër kishtare të biblës së vëllezërve Çirili e Metodi) nga shekulli IX i erës sonë. Gjuhët baltike dëshmohen me shkrime vetëm aty nga shekulli XV e XVI. Po kjo gjë vlen edhe për gjuhën shqipe( me dokumentet e para “Formula e pagëzimit” e Pal Engjëllit (1462, “Ungjilli i Pashkëve”(shek, XIV), “Fjalorthi”(1497) i Arnold Von Harfit). Këto gjuhë në sistemin gramatikor e në leksik paraqesin një afri të tillë në mes tyre, sa mund të shikohen si gjuhë motra, si degë të ndryshme të një grupi gjuhësor. Kjo është familja gjuhësore indoevropiane, e cila zë një vend më vete në mes të familjeve gjuhësore të botës. Dijetari që zbuloi i pari marrëdhëniet e afërsisë midis gjuhëve indoevropiane ishte Franc Boppi. Ai ishte i pari që pas vërejtjeve të shpërndara të Xylanderit, Schleicherit e Stierit – me veprën themelore “Përmbi shqipen” në lidhjet e afërsisë së saj, botuar, me 1854; me një vështrim sistematik e të gjithanshëm zbuloi karakterin e shqipes si një gjuhë indoevropiane. Me këtë vepër u dha drejtimi për gjithë punën e mëpastajme që u krye në lëmin e albanistikës. Mëgjithqë punoi me një material të kufizuar, Boppi nga vështrimi i formave gramatikore të shqipes – emri, përemri, numërorët, folja etj. – e nga disa elemente të leksikut pa se shqipja bën pjesë në familjen gjuhësore indoevropiane. Duke e kryer një punë pionieri, Boppi u kufizua në ravizimin e vijave të përgjithshme në të caktuar të strukturës gjuhësore të shqipes, pa hyrë në hollësira. Gjithsesi vepra e tij është e para dhe gjer sot e vetmja përpjekje për të parashtruar në një sintezë sistemin gjuhësor të shqipes në karakteristikat që e dallojnë atë. Punën e tij e vijoi dhe e zgjeroi dija e mëpastajme e cila përmblidhet në trinomin Gustav Meyer- Holger Pedersen- Norbert Jokl. Këta tre dijetarë, rreth të cilëve u zhvillua me kohë një kurorë e tërë gjuhëtarësh, paraqesin vijën kryesore të studimeve shqiptare. Kjo punë, në të cilën që nga shekulli i kaluar po marrin pjesë edhe shqiptarët vetë, po vazhdon edhe sot, edhe pas vdekjes së këtyre të tjerëve dijetarë. Karakteri indoevropian i shqipes duhet të kuptohet drejt, në këtë veshtrim, që jo gjithë pasuria gjuhësore e saj rrjedh nga fondi i lashtë i botës indoevropiane. Me përpjekjet e pandërprera të popullit shqiptar me të tjerë popuj gjatë historisë së tij. Shqipja më një anë ka humbur mjaft nga visari autokton i trashiguar, në anën tjetër ka marrë nga gjuhët e ndryshme që e kanë rrethuar. Një nga detyrat e gjuhësisë historike është që me një analizë krahasimtare të veçojë një nga një shtresat e elementit të huaj nga fondi gjuhësor i trashiguar të kësaj lënde të lashtë indoeuropiane. Hyjnë këtu forma të fleksionit si plak; pleq, me matafoni, nganjë plaki, khs. lat hortus, shumë horti, forma verbale si mediopasivi shkelen, shkele(sh) shkeletë, shkelemi, shkeleni, shkelenë khs gr. legomai, lege, legetai, legometha, legesthe, legontai. Nga leksiku le të përmendim fjalët si ujk, ulk, ind. e vjetër verkah, lat. lupus, gr. lykos, rus. volk, gjerm. wolf. Pastaj fjalën natë, lit. naktis, gjerm. nacht, lat. nokx, noxtis; sllavisht noçh. Pastaj fjalën dimër-dimën, sllav.zima, gr. heimon, lat. hiens, indishtja e vjetër himalaja. Fjala dhëndër në lat.gener, në sllav. zet etj. Fjala i parë, lat. primus, rus. prvi, e shumë të tjera si këto. Përkundër këtyre janë huazime fjalët si njëqind, shpatull, vaj, ulli, luftë, paqe (nga latinishtja). Pastaj fjalët mokër, dhomë shpellë (nga greqishtja). Pastaj fjalët hosten, zakon, vojvodë, kulaç (nga sllavishtja). Pastaj fjalët odë, peshqir, mëhallë, xhep (nga turqishtja) etj. Me perjashtim të një numri të pakët fjalësh të errëta për nga burimi i tyre, etimologjia ka arritur të ndajë këto shtresa të ndryshme të leksikut. Në lidhje me fjalët thjesht shqipe duhet theksuar edhe faktin se jo e gjithë pasuria vetiake e shqipes është trashigim i periodës së lashtë indoeuropiane. Si të gjitha gjuhët e tjera edhe shqipja ka krijuar vazhdimisht fjalë nga lënda e vet, të cilat vërtet nuk janë të huaja edhe pse janë relativisht të reja. Brenda visarit autokton është e nevojshme të bëhën shtresime kronologjike, ku vetëm shtresa e moçme e fjalëve ka të drejtë t’i shtrohet krahasimit me gjuhët e tjera indoeuropiane. (Shih më gjerësisht në: Dr. Eqrem Çabej “Studime Gjuhësore”, III, Prishtinë, 1976).

 

[the_ad id=”6025″]

 

[the_ad id=”4118″]

About Author

Komento rreth shkrimit