Get a site

CA FJALË PËR HISTORIKUN E GJUHËS SHQIPE

gjuha-shqipeCA FJALË PËR HISTORIKUN E GJUHËS SHQIPE
Shkruan Prof. ZYMER MEHANI
Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane. Ajo formon degë të veçantë në këtë familje gjuhësore.
Ka disa mendime për prejardhjen e gjuhës shqipe, por është vërtetuar që gjuha shqipe rrjedh nga dialekti jugor i ilirishtes, ndërsa shqiptarët janë pasardhës të ilirëve.
Shqipja është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, por e dokumentuar me shkrim mjaft vonë, në shekullin XV.
Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, është ai që quhet “Formula e pagëzimit”, e vitit 1462. Është një fjali e shkurtër në gjuhën shqipe “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, që gjendet në një qarkore të shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.
Dokumenti i dytë, i shkruar në gjuhën shqipe është “Fjalorthi i Arnold von Harfit”, i vitit 1496. I fundit të shekullit XV ose i fillimit të shekullit XVI është “Ungjilli i Pashkëve”. Këto dokumente paraqesin interes për historinë e gjuhës së shkruar shqipe.
Libri i parë ishkruar në gjuhën shqipe, që njohim deri më sot, është “Meshari”
i Gjon Buzukut, i vitit 1555, i cili shënon edhe fillimin e letërsisë së vjetër shqiptare. Kjo vepër dëshmon për ekzistencën e një tradite të mëparshme të të shkruarit të shqipes.
Në shekullin XVI i ka fillimet edhe letërsia në gjuhën shqipe tek arbëreshët e Italisë.
Vepra e parë e letërsisë arbëreshe në gjuhën shqipe dhe vepra e dytë për nga vjetërsia, pas asaj të Buzukut, është ajo e priftit arbëresh Lekë Matrënga      “E mbësuame e krishterë …”, e botuar në vitin 1592.
Një zhvillim më të madh njohu lëvrimi i gjuhës shqipe në shekullin XVII, nën penën e një vargu autorësh, si Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani.
Gjatë Rilindjes Kombëtare, në shekullin XIX, në kushte të reja historike, lëvrimi dhe përparimi i gjuhës shqipe hyri në një etapë të re. Në këtë periudhë u bënë përpjekje të vetëdijshme për të krijuar një gjuhë letrare kombëtare, standardizimi i së cilës u arrit në shekullin XX.
Gjuha shqipe ka dy dialekte, dialektin e veriut ose gegërishten dhe dialektin e jugut ose toskërishten. Kufiri natyror që i ndan këto dialekte është lumi Shkumbin. Në anën e djathtë të Shkumbinit shtrihet dialekti verior (gegërishtja), në anën e majtë të tij, dialekti jugor (toskërishtja).
Dallimet midis dialekteve të shqipes nuk janë të mëdha, folësit e tyre kuptohen pa vështirësi njëri me tjetrin.
Përpjekjet për një gjuhë letrare kombëtare të njësuar (gjuhë standarde) kanë filluar që në shekullin XVI. Gjuha shqipe u përpunua gjatë Rilindjes Kombëtare. Më vitin 1844 u botua “Ëvetar”-i (Abetarja) i Naum Veqilharxhit. Kostandin Kristoforidhi më 1904 botoi “Fjalorin e Gjuhës Shqipe”.
Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, shqipja u shkrua në dy variante letrare: në gegërishte dhe në toskërishte. U bënë përpjekje për afrimin e këtyre varianteve dhe për njësimin e gjuhës letrare. Detyra e parë që duhej zgjidhur, ishte njësimi i alfabetit. Deri atëherë, shqipja ishte shkruar në disa alfabete: alfabetin latin, alfabetin grek, alfabetin turko-arab dhe alfabetin cirilik.
Në Kongresin e Alfabetit, i mbajtur prej 14 deri më 22 nëntor 1908 në Manastir, u përcaktua alfabeti i shqipes që e përdorim edhe tani.
Në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që u mbajt në nëntor të vitit 1972 në Tiranë, u miratuan rregullat e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe me këtë përfundimisht u njësua shqipja standarde.
Janë botuar një varg veprash të rëndësishme, që kodifikojnë normën e gjuhës standarde, siç janë: “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, “Fjalori i shqipes së sotme”, “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”, “Gramatika e gjuhës së sotme shqipe (I Morfologjia, II Sintaksa)”, “Rregullat e pikësimit të gjuhës shqipe” dhe shumë vepra të tjera të vlefshme.
Tani ne shqiptarët kemi edhe një Program kompjuterik për drejtshkrimin e shqipes, Fjalor elektronik shpjegues, Fjalor enciklopedik, Atlas dialektologjik të shqipes etj.

Shkruan Prof. ZYMER MEHAN

[the_ad id=”6025″]

 

[the_ad id=”4118″]

Komento rreth shkrimit