Get a site

Thesari i Hollmit…

Thesari i Hollmit…

Thesari  Hollmit.Nën këmbë ,aty ku të gjithë shkelim çdo ditë, ku kalojmë, ku ikim e vijmë pa kuptuar, Shqipëria fsheh ende vlera të jashtëzakonshme të identitetit të saj. Janë zona të tëra që heshtin pa mundur të flasin me vlerat e tyre të vërteta.

Diku humbin, fshihen, diku vdesin pa u zbuluar kurrë, siç është edhe rasti i fshatit Qinam në Kolonjë një zonë me vlera të jashtëzakonshme që deri më sot njihet pak ose aspak.

Në zonën ngjitur me fshatin, 23 vjet më parë gjatë disa gërmimeve krejt rastësore për të nxjerrë gurë u gjet një thesar. Ena e hekurt ishte e mbushur me monedha të prera në ishullin e Eginit në Greqi e datonin në shekullin e 6 dhe të 5 para Erës Sonë. Disa qindra të tilla u morën për t’u ekspozuar në Muzeun Arkeologjik ku gjenden ende sot, nën ruajte dhe masa të rrepta sigurie për shkak të vlerës së tyre.

Shumica e lidhen gjetjen e këtij thesari me depozitimin e tij rastësor nga ndonjë tregtar i kohës që lëvizte përgjatë aksit antik që lidhte Dangëllinë me Kosturin e zona të tjera . Ndërkohë që po në këto pjesë shumë mendojne se ka patur edhe përplasje e beteja ushtarake mes romakeve dhe maqedonasve të lashtë. Por a ishte vërtetë ky thesar diçka rastësore apo pas tij fshihet më shumë?

Profesor Skënder Aliu, një ndër arkeologët më të vjetër në vend, mendon se kjo zonë përkundër vëmendjes së munguar ka dhënë fakte të qarta për historinë antike të saj. Duke nisur nga Kalaja e Hollmit nga ku mori emrin edhe thesari , një pjesë e së cilës është ilire dhe pjesa tjetër romake.

“Kolonjë është shumë e pasur prej këtu e deri atje 7 me 7 kilometër ka një grup kalash, ka varre monumentale siç është një varr monumental 1 kilometër më tutje, ka tuma sa të them unë. Ja kam propozuar edhe ministrise qe te shpallet nje zone e mbrojtur e tipit A, qe ta ruajme ta veme ne sherbim te edukimit , te turizmit, ja vlen nje dhe e dyta te merret vesh identiteti te dije ky popull nga vjen te mesoje identitetin”, thotë profesor Aliu.

Fshati Qinam kundron për së afërti të gjithë këtë zonë. Hera herës duket i shkëputur nga historia e tij që shpeshmi thuajse kalon edhe kufijtë e legjendave e në qofshin kështu ato janë legjenda reale e mjafton të rrugëtosh nëpër rrugicat e fshatit për ta kuptuar.

Nuk është e vështirë të gjesh edhe sot në fshat monedha të thesarit të Eginës. Banorët nuk duan të identifikohen edhe pse të tilla siç thonë mund të ketë kushdo që ka punuar tokën e tij në këtë zonë. Do të donim të tregonim vetëm dy prej tyre sa për të krijuar një ide. Njëra është e ashtuquajtura monedhë me shenjën e breshkës së ujit, e cila daton sipas ekspertëve në shekullin e 6 para Erës Sonë, ndërsa tjetra ajo me breshkën e tokës që i përket gjysmës së dytë të shekullit të katërt para Erës Sonë. Nën zë banorët të thonë se në këtë zonë nuk ka qenë vetëm një enë me monedha të Eginës, por disa të tilla.

Fshati jep një përgjigje edhe për më dyshuesit që mendojnë se monedhat mund të jenë marrë nga poçja që sot gjendet në muze; nëntoka e Qinamit dhe e gjithë zonës përreth Milec, Shtikë, Butkë Qafëzez, ku janë zbuluar mbi 30 tuma, vendbanime antike e kala fsheh ende shume.

Sot gjëja më normale në fshat është të gjesh monedha . Por jo vetëm ato të thesarit të Eginës, që e bën edhe më mistike këtë histori. Monedhat janë të shumta e të ndryshme e flasin për një zinxhir historik që nga shekulli i 6 para Erës Sonë deri në atë të 6 të Erës Sonë, në kohën e dyndjeve sllavo-avare. Në fshat mund të gjesh sot shumë të tilla, në prerje të ndryshme, por që i bashkon figura e Aleksandrit të Madh, por ka edhe të tjera vështirë të dallueshme me sy të lirë.

Për fshatin e patriotit të madh Hasan Qinami i cili i bëri ballë në mënyra e momente të ndryshme dërgatave e pretendimeve greke, mund të flasësh shumë e më shumë. Jo thjesht për banorët e paqëm e punëtore, jo thjesht për historinë e mbushur me monedha të periudhave të ndryshme, por edhe për gjetje të tjera arkeologjike. Ka shumë të tilla që banorët i kanë zbuluar rastësisht në tokat e tyre, si një unazë mesjetare bronzi që mendohet se daton në shekullin e 9 deri në atë të 11. Këto gjetje nuk janë të izoluara apo të gjetura nga 1, 2 apo 10 banorë , por nga shumica dërrmuese e tyre.

Ka edhe më shumë në Qinam si këto grupe karficash, gjilpërash, vëthe , maja shigjetash e shumëçka tjetër të periudhës qytetare ilire mes shekujve 4-1 para Erës Sonë.

“Përshembull ja kjo, kjo është një fibul, një karficë siç i thonë për të mbërthyer rrobat. Bëhet fjalë për një veshje qytetare dmth jo rurale, atëherë kur është ndryshuar mënyra e jetesës, e kohës qytetare ilire do të thotë shekujt 4-1 para Erës Sonë”, rrëfen profesor Aliu.

Historia e Qinamit është simbol i historisë së Shqipërisë i lëvizjeve të shumta, dërgatave të pafundme ushtarake, pushtimeve, vendosjeve dhe mbivendosjeve të kulturave, rrugëve të vjetra tregtare e themeleve të kudondodhura ilire , e mbi të gjitha e historisë moderne shqiptare që vlera të tilla nuk di t’i ruaj, nuk di t’i promovojë, shpluhurosë apo ktheje në një resurs turistik. Deri me sot pasuri të tilla identitare që janë vlerë për muzeumet botërore , për koleksionet private të pasanikëve të huaj, kanë shkuar e dalë pafund në Shqipëri si mall pa zot.

Sot banorët e Qinamit duan vetëm vëmendje, promovim , investim e asgjë më shumë. Ruajtje për këto objekte që dalin kudo në tokat e tyre, në fushat e majat e boshatisura. Çfarë fshihet nën tokën e Qinamit e zonës përreth? Këtë askush nuk mund ta thotë e megjithatë faktet flasin se diçka fle në pritje për t’u zbuluar…

Dresniku fle mbi qytetin antik dardan

Dresniku fle mbi qytetin antik dardan

dreshniku-dardani

Dresniku fle mbi qytetin antik dardan

“Ky zbulim për mua është një histori e pashlyer. Është një histori e vjetër, e cila e tregon popullin shqiptar, se është tokë shqiptare, e jo tokë sllave, sepse sllavët kanë ardhur prej Karpateve në 600 vjet e këndej, e nuk kanë qenë këtu para 1000-2000 vjetëve”, nis rrëfimin e tij 73 vjeçi Krist Matiqi.

Zoti Matiqi kujton edhe tregimet që kishte dëgjuar si fëmijë, e që ishin bartur me gjenerata, pikërisht për vendin ku po gërmohet.

“Në atë kodrën e vogël, aty më thoshin pleqtë se është djegur kisha. Pas gërmimeve, aty mund të konstatohet se a ka qenë kishë, a çka ishte ajo. Aty pas lisave, kanë ardhur arkeologët në atë kohë! Më kujtohet se isha 15-16 vjeçar! Kanë ardhur arkeologët prej Beogradi, i ka prurë një serb që quhej Din Karaxhiqi, për të zbuluar se çka mund të jetë një pllakë. Si e kanë zbuluar, janë habitur edhe vetë, se përse ky gur kaq i madh, se si është e mundur të jetë ajo pllakë në këtë rrafsh të Dresnikut! Ata diçka kanë parë në të dhe e kanë mbuluar prapë”.

“Unë e kam parë atë pllakë, por shkrime në të s’kam vërejtur. Shkrime kam parë në këtë anën tjetër, në gjuhë latine, apo romake qysh kanë qenë. Ato i ka nxjerrë një kushëri imi”, tregon plaku plot emocione, nga gëzimi që po vërtetohen gojëdhënat se në fushat e papunuara të fshatit, po zbulohet një qytet antik.

 

dresnik

Arkeologu Masar Valla, që drejton ekipin e gërmuesve në Dresnik, shpjegon se një muaj e gjysmë punë në këtë lokacion, ka nxjerrë rezultate të mëdha.

Gjetja e parë është bazamenti i një bazilike civile, podiumi i së cilës është i tëri i mbuluar me një mozaik, me sipërfaqe 220 metra katror.

Por, kjo nuk është e tëra.

“Ky është një municipum i madh! Ky është një qytet i madh, është një qytet i kohës romake. Ky ka qenë vendbanim më së pari Dardan. Mandej me pushtimin e Romës, është futur arkitektura romake, urbanizmi romak. Domethënë ka hyrë kultura romake dhe e ka ngritur qytetin në standarde romake”, thotë Valla për Radion Evropa e Lirë.

Themelet e bazilikës së zbuluar, sipas arkeologut Valla, tregojnë se objekti ishte pjesë e një qyteti të shtrirë në të paktën dhjetëra hektarë tokë.

“Pesëdhjetë hektarë duhet t’i ketë përafërsisht. Janë rrugët, janë banesat, janë objektet publike. Të gjitha ato… Ne jemi në fillim të gërmimeve, edhe këtë objekt ende s’e kemi hapur krejt. Kjo është një godinë publike, e cila është e kthyer kah veriu! Objektet kishtare, ose bazilikat, zakonisht hapësirën e kanë kah lindja, kurse ky e ka nga veriu”, thotë udhëheqësi i ekipit hulumtues në Dresnik.

Ai shpjegon se shtyllat e jashtme përforcuese të objektit të zbuluar, janë të thella mbi 150 centimetra nën tokë, kurse muret e jashtme janë 1 metër të trasha të përforcuara me gëlqere dhe tullë të bluar.

Kurse, në brendi të objektit, arkeologët besojnë se kishte murale të vizatuara, pasi kanë dalluar një pjesë të fasadës që përmbante ngjyrë të kuqe.

Në bazë të konstatimeve të para, besohet se ky objekt është djegur, e më pas është dëmtuar edhe më shumë nga një tërmet.

“Sipas parashikimeve preliminare, ne mendojmë se është një objekt civil, i cili ka shërbyer për nevojat e atëhershme të qytetarëve të këtij qyteti. Zakonisht në municipume të periudhës romake, në objektet civile, në bazilikat civile, janë kryer shumë funksione, për probleme ekonomike, probleme sociale e juridike. Këtu është mbledhur gjykata edhe ka dhënë dënimin për personat, të cilët kanë qenë në ndjekje! Edhe për funksione të tjera civile. Ka një sipërfaqe prej 220 metra katror, e cila është e tëra në mozaik”, shpjegon Masar Valla.

Ekipi gërmues ka konstatuar 9 ngjyra në këtë mozaik, me figura me motive të ndryshme.

Mozaiku, siç shpjegon profesor Valla, është i rrethuar me një kornizë në formë zemre, e në disa pjesë të ndërtesës shihen edhe svastikat.

Por, pavarësisht entuziazmit të madh të Vallës dhe Matiqit, në Dresnik nuk po gërmohet më, që nga 15 gushti.

Fajin e ka mungesa e fondeve, pasi Ministria e Kulturës nuk i kishte dhënë më shumë mjete financiare Institutit të Arkeologjisë së Kosovës.

“Për momentin nuk po punohet, sepse mungojnë mjetet financiare, mirëpo ministri i Kulturës na ka premtuar se shumë shpejt do të zgjidhet ky problem dhe do të fillojnë gërmimet përsëri”, shton Valla.

Meqë gërmimet janë ndërprerë, mozaiku është dashur të mbulohet me një mbështjellës të përkohshëm, për ta mbrojtur atë nga ndryshimet klimatike dhe dëmtimi eventual.

 

[the_ad id=”6025″]

 

[the_ad id=”4118″]

Antigonea qyteti i lashte ILIRE

Antigonea qyteti i lashte ILIRE

AntigoneaANTIGONEA qyteti me jetëshkurtër që jetoi veç rreth 150 vjet. Themelimi i qytetit lidhet me një nga emrat më të famshëm të antikitetit, mbretin Pirro të Epirit. Në fillim të shekullit III p.e.s Pirro u detyrua të shkonte në luftë në Egjipt, ku aftësitë e tij tërhoqën vëmendjen e Berenices, gruas së mbretit Ptoleme të Egjiptit, e cila i ofroi atij dorën e së bijës, Antigoneas. Si mirënjohje për vjehrrën dhe gruan e tij të parë, Pirro vendosi të ndërtonte një qytet të ri me emrin Antigonea.

Sipas historianit grek të lashtësisë, Plutarkut, Antigonea qe qyteti që u lind nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja. Kur ishte 17 vjeç, mbreti Pirro u rrëzua nga froni pas një kryengritjeje kundër tij. Pas kësaj ai shkoi në shërbim të mbretit Demetër të Maqedonisë e më vonë në oborrin e mbretit Ptoleme të Egjiptit. Atje tërhoqi vëmendjen e mbretëreshës së Egjiptit, Berenices, që e përzgjodhi midis princërve të tjerë për t’u martuar me Antigonenë, njërën prej vajzave të çiftit mbretëror të Egjiptit. Duke pasur mbështetjen e gruas së tij, Antigonesë ai mblodhi të holla dhe ushtri dhe u kthye në Epir duke rrimarë fronin mbretëror. Mirënjohja ndaj vjehrrës Berenice dhe gruas së tij Antigone e nxitën Pirron të themelojë dy qytete me emrin e tyre: Berenika dhe Antigonea. I pari gjendej në Thesproti, ndërsa Antigonea në Antitani. Antigonea u themelua në vitin 295 p.e.s.

Shpejt u kthye në një qendër të rëndësishme për shkak të kontrollit të luginës së Drinosit, e cila në Antikitet quhej ngushticat e Antigonesë.

Fitorja e Republikës Romake në luftën me ushtritë maqedonase të mbretit Filipi V pati pasoja fatale për Antigonenë. Pas fitores përfundimtare në vitin 167 p.e.s., Roma i dënoi ashpër epirotët që kishin luftuar kundër saj si aleatë të Maqedonisë. Konsulli romak Pal Emili, duke zbatuar një urdhër të Senatit, kreu më 168 p.e.s. plaçkitjen dhe shkatërrimin e 70 qyteteve të Epirit dhe të Ilirisë, përfshi Antigonenë. Qyteti u shkatërrua plotësisht nga ushtria romake dhe nuk u rindërtua më kurrë. Pas kësaj qyteti u braktis për disa shekuj dhe vetëm në shekullin VI mbas Krishtit brenda tij u ndërtua një kishë paleokristiane.

[the_ad id=”4118″]

Kjo është masakra e fshehtë arkeologjike që është gjetur në Durrës

Kjo është masakra e fshehtë arkeologjike që është gjetur në Durrës

durresi-antik

Në një nga emisionet e gazetarit të Top Channel Marin Mema, gjatë vitit 2014, ky i fundit raportonte për një masakër të fshehtë (jo edhe aq) arkeologjike që iu bë Durrësit.

“Qyteti i Durrësit, Dyrrahu apo Epidamnus siç quhej në fillesat e tij, është një ndër qendrat më të lashta dhe më të rëndësishme në Shqipëri. Thonë se kudo të gërmosh në qytetin bregdetar, nxjerrin kryet gjurmët e antikitetit, të cilat të kredhin thellë në historinë e tij. Gjurmë, që sot po shuhen, po zhduken, po shpërbëhen, jo nga koha, por nga pushtuesit modernë prej betoni, që po hanë e po shkatërrojnë çdo vlerë të tij…” – raportonte Mema asokohe.

Sot Forumi per Mbrojtjen e Trashegimise Kulturore, ka ripublikuar një postim të marsit 2014, për të kujtuar me nostalgji atë që mund të kishte qenë “Pompei shqiptar”, por që u shkatërrua në favor të ndërtimit të pallateve.

“Siti arkeologjik ne lulishten 1 maji Durres. Sot i shkaterruar dhe i betonuar me pallate banimi persiper” – shkruan Forumi.

[the_ad id=”4118″]

Gjetjet arkeologjike në Kroaci hapin faqen e re të historisë së ilirëve

Gjetjet arkeologjike në Kroaci hapin faqen e re të historisë së ilirëve

Gjetjet arkeologjike në Kroaci

Me gjetjet arkeologjike në lokalitetin për të cilin kanë shkruar edhe mediat botërore, po përgatitet ekspozita në “Kështjellën e Kloviqit”. Bëhet fjalë për artefakte të gjetura në ishullin Korçulla të Kroacisë.

E ato hapin një faqe të re të historisë së ilirëve.
“Varreza të tilla në Adriatik deri më tani nuk kanë qenë të njohura, e me organizimin, dimensionet dhe ato që janë gjetur aty, paraqesin hyrjen e një kapitulli të ri për studimin e historisë së banorëve lokalë ilirë, me shekuj para Krishtit. Rezultatet e hulumtimeve i kanë tejkaluar të gjitha pritjet tona, sepse supozohej se varrosja ishte bërë në varreza monumentale me mure të thata, një plan afërisht rrethor me renditje blloqesh prej guri.
Gjetjet arkeologjike në Kroaci hapin faqen e re të historisë së ilirëve 1Gjetjet arkeologjike në Kroaci hapin faqen e re të historisë së ilirëve

Pjesët qendrore të rrethit prej guri, janë varre me dhjetëra kufoma afër të cilave janë gjetur gjëra të tjera, si vazo greke, armë hekuri dhe stoli bronzi, argjendi, qelqi e qelibari…”, ka thënë arkeologu Dinko Radiq, transmeton “koha Ditore” shkrimin e gazetës kroate “Jutarnji list”.
Kësisoj, këtë javë është zbuluar varri i fundit prej katër sosh në lokalitetin Kopila në Korçullë, ku arkeologët kanë hasur në eshtra që me kohë janë përzier me copa enësh të kohës së Greqisë antike, si dhe një shtizë luftarake e ruajtur mirë. Në mesin e gjetjeve, fort i vlefshëm është edhe një vath me kokë luani nga koha helene i shkrirë në argjend, që, siç thotë Radiq, s’mund të krahasohet me asnjë artefakt të gjetur deri më tani.
Ky arkeolog, i cili bashkë me Igor Bozhiqin kanë udhëhequr hulumtimet në këtë lokalitet, ka thënë se përkundër faktit se këto varreza përmbanin gjësende greke, bëhet fjalë për varre ilire. Gratë kanë qenë të varrosura me stoli e meshkujt me armë, por krahas të dy gjinive janë gjetur vazo helene.
“Mendoj se gjetjet në Kopila do ta ndryshojnë mënyrën se si i qasemi historisë në këto anë. Ilirët shpeshherë i konsiderojmë si banorë të rendit të dytë, veçmas në raport me bashkëkohanikët e tyre grekë. Megjithatë hulumtimet tona dëshmojnë se roli i ilirëve në këto hapësira ka qenë shumë më i madh se sa që është menduar deri më tani, madje edhe në jetën politike”, ka thënë ai.
Sipas tij, komuniteti i ilirëve në kohën kur datojnë varret ka qenë i fuqishëm, i pasur dhe me siguri edhe dominues në këto anë. Varret datojnë në shekujt III, II dhe I para Krishtit dhe banorët lokalë janë vrarë në këtë lokalitet në kohën e Romës së Vjetër, kur Octaviani, mbreti i ardhshëm August, dërgoi ushtrinë që në mënyrë mizore të qëronte hesapet me ilirët lokalë.
Epilogu i këtij rrëfimi, sipas Radiqit, ka nisur para njëzet vitesh. Në fakt, në atë që supozohet se ka qenë fortesë parahistorike në Korçullë artefaktet e para janë gjetur para 200 vitesh, e për këtë dëshmi janë edhe shënimet e historianit Nikola Ostojiq, si dhe katalogët për koleksionin arkeologjik të Muzeut të Dubrovnikut. Duke hulumtuar këto shënime, Radiq ka konstatuar se rezultatet nuk dalin vetëm prej fortesës, por edhe prej varreve. Por vetëm para katër vitesh atij iu dha leja për gërmime. Në pyetjen se si ndihet që pas këtij rrugëtimi njëzetvjeçar la një rezultat, ai është përgjigjur: “Shkëlqyeshëm dhe është e natyrshme të jem euforik”.
Ekziston edhe një lokalitet arkeologjik i kohës së njëjtë me atë në Korçullë e ai është Vica Luca në ishullin Braç. “Ai lokalitet është më i vogël dhe është zbuluar para njëqind vitesh, kur nuk ka pasur metoda bashkëkohore për hulumtim siç ka sot. Gjetjet në Korçullë japin përgjigje për bashkëjetesën e dy popujve, ilirëve dhe grekëve. Artefaktet e gjetura në varre janë greke e jashtë tyre është gjetur qeramike ilire. Dhe pikërisht për këtë s’ka si këto varre në Adriatik. Në teori e kemi ditur se si janë varrosur ilirët, por në praktikë ky është një shembull unik.
Ka edhe varreza të ngjashme, por për to nuk mund të themi se i takojnë kohës së bronzit. Janë së paku mijëra vjet më të vjetra se sa ato të Korçullës, por as nga ajo kohë nuk ka këso ndërtimesh komplekse e monumentale. Mua para së gjithash, në këto dhe hulumtime të ardhshme më intereson dominimi i kulturës ilire”, ka thënë Radiq.
Për shkak të këtyre zbulimeve në Korçulla, sërish vjen profesori Preston Miracle nga Universiteti i Cambridgeit. Ai tash e sa vjet merr pjesë në lokalitetin “Vela Spila” në perëndim të Korçullës. Por krejt gjetjet në vjeshtë do të ekspozohen në “Kështjellën e Kloviqit”, galeri e njohur në Zagreb të Kroacisë, e cila e ka marrë emrin sipas Juraj Julie Kloviq, artistit të njohur kroat të shekullit XIX, në ekspozitën e kuruar nga Jasmina Bavolak. “Korçulla, së paku sa i përket parahistorisë, është njëri prej ishujve më të hulumtuar mesdhetar, dhe interesimi i shkencëtarëve të njohur evropianë do të thotë se edhe në të ardhmen do të zgjerohen njohuritë e tanishme”, ka thënë ajo.
Hulumtuesit e këtij lokaliteti, të udhëhequr nga Dinko Radiq, thonë se janë të privilegjuar që në një vend mund të hasin në praktikë krejt historinë njerëzore. Në “Vela…” janë gjetur dëshmi të jetës që nga koha e gurit deri në atë të bronzit. Para tri vitesh për këtë lokalitet kanë shkruar media të njohura botërore në mesin e të cilave edhe e përditshmja amerikane “The New York Times”, e cila raportoi për mbetje të qeramikës që datonin prej 17.500 deri në 15.000 vjet para Krishtit.
“I njohim për gjahun e viganëve, por gjetjet e reja në Kroaci na dëshmojnë se në kohën e akullit, njerëzit i kanë dhënë formë qeramikës shumë më shpesh se sa që mendohej deri më tani”, shkroi ndër të tjera “The New York Times”.

[the_ad id=”4118″]