Get a site
OPINION

ÇFARË JANË BE-ja DHE BALLKANI PËRBALLË RUSISË, PA NATO-n DHE SHBA-të?

Sulejman_Abazi

ÇFARË JANË BE-ja DHE BALLKANI PËRBALLË RUSISË, PA NATO-n DHE SHBA-të?

Daullet bien pë rata që kanë vesh. Të gjithë i kanë sytë nga situata në Ballkan, e cila mund të bëhet shkak për pasoja të rënda në përmasa edhe më të mëdha, dhe si pretekst për një konflikt më të gjerë.
Këtë shqetësim mbart në deklarimin e tij ish kreu i NATO-s, ushtaraku i lartë i Aleancës dhe trajtimi i problemit në shtypin amerikan kundër depërtimit rus në Ballkan.
Për këto arësye situata mbi rrugët e ndjekura deri tani për një Ballkan të stabilizuar dhe të sigurtë, meriton kritikën.
Opsioni politik i mundshëm i rrugëzgjidhjeve të reja, që mbart brenda kritikën mbi atë që mendohet se nuk është bërë mirë deri tani, mendoj se ka vlera.
Alarmi që jepet në shtypin amerikan është i ligjshëm, por për të kufizuar ndikimin rus në Ballkan, mbase mbase rrugëzgjidhjet dhe kundërmasat nuk janë të dhëna një herë e mirë, kur në disa dekada rrugët e ndjekura deri tani ende nuk po rezultojnë të suksesëshme.
Ky depërtim avancon çdo ditë në të gjithe format. Shembulli është vet situata në Serbi dhe Maqedoni, ku në shënjestër mbeten shqiptarët dhe pakicat e tjera nacionale.
Përparësia në Ballkan nuk është Serbia, por drejtësia mbi çështjen shqiptare dhe fuqizimi i kombit shqiptar, si i vetmi faktor stabiliteti që do të bëhej barrikadë e kufizimit të interesave ruse në Ballkan dhe do ta joshte Serbinë dhe Maqedoninë të futeshin në organizmat perëndimore.
Shqiptarët e çmojnë shumë parteritetin startegjik me SHBA-të dhe kjo për kombin tonë është e padiskutueshme, por në respektimin e të drejtës ndërkombëtare për popujt dhe kombet, shqiptarët ndihen shumë të vonuar, të tërhequr, kur në krahun tjetër në lindje kanë ndodhur shumë gjëra, që nga republikat Abkaziane, Gjeorgjia, Ukraina, Krimeja, ndërsa me territoret shqiptare vazhdohet eksperimenti dhe “pritja” deri në dëshpërim.
Është alarmante zbrazja e territoreve shqiptare në shifra shumë të frikëshme dhe shikimi me hipokrizi i zbatimit të një strategjie nacionaliste të shpopullimit në sytë e fuqive perëndimore.
Veçanërisht situata komplekse dhe shumë e rrezikëshme në Maqedoni, nuk besojmë të na bind, se ka akoma kohë për të reaguar dhe shpresuar.
Mungesa e zhvillimit ekonomik dhe investimeve po e nxit varfërinë, largimin, mosbesimin dhe pse jo, dhe sigurinë e përgjithëshme të popullsisë.
Veç depërtimit rus, përplasja e interesave gjermane dhe turke, koston më të lartë po e shkarkojnë mbi territoret shqiptare, duke rritur pasigurinë shtetërore dhe kombëtare.
Mos vallë kjo situatë nuk bie në vëmendjen e partnerëve tanë strategjikë?
Mbi grupimet politike respektive në qendrat kryesore të politikbërjes shqiptare, po ndodhin shumë çudira në kurriz të interesave kombëtare shqiptare, deri në kriminalizim dhe reagimi i partnerëve tanë vazhdon “të shkrijë” dhe të konsumojë kohën pa kritere, si kripa në ujë.
Vallë nuk e kuptojmë që këto qëndrime politike të kushtëzuara në mënyrën allashqiptarçe kanë “aromën e lindjes”?!
Zhgënjimi pas përfundimit të luftrave në trojet shqiptare që nga viti 2001 e në vazhdim, është i pranishëm dhe në rritje, një shkak më shumë që ushqen krizën politike dhe nxit shpërbërjen kombëtare. Mos vallë këto janë fenomene të padukëshme për partnerët tanë?
Ka njëmijë arësye dhe argumente që mund t’i shtrojmë në këtë analizë, por në thelb mjaftohemi për të kuptuar, se në rrugë e sipër, në synimet dhe interesat gjeopolitike bëhen dhe përmirësime, kur gjerat nuk shkojnë mirë.
Çdo komb dhe elite politike e tij kur është e interesuar, e kanë nje cak durimi, dhe këtu shqiptarët nuk ka pse të bëjnë përjashtim.
Më mirë kur e themi të vërtetën hapur, ballë për ballë, me qëllimin e mirë edhe për kombin tonë, por edhe për miqtë dhe partnerët tanë.
Të gjithë e dimë se në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka miqësi të përjetëshme, por interesa reciproke.
Besoj edhe këtu kombi shqiptar nuk bën përjashtim.
Por të shkojmë edhe më tej kur bëhet fjalë për deklarata shumë serioze, të cilat nuk kalojnë pa shqetësim në opinion.
Fjala është për deklratën e ish kreut të NATO-s, e cila më sa duket shkon paralel me alarmin që jep shtypi amerikan për rrezikun rus, veçanërisht në Ballkan.
Në permasa kaq të mëdha, sa e paraqet rrezikun ish kreu i Aleancës, si një mundësi apo opsion ushtarak i mundshëm i Rusisë kundër Evropës, parashikimi i një plani kundërvënie të NATO-s, mbetet një paralajmërim për mosnënvleftësimin e një situatë të tillë në zhvillim.
Më mirë se sa kushdo tjetër këtë trysni e ndjejnë vendet kufitare me Rusinë.
“Kolona e pestë” në BE tashmë ka depërtuar. Merkel dhe të tjerë liderë europianë këtë e kanë kuptuar.
Ne flasim shpesh për terrorizmin dhe llojet e tij, por harrojmë atë që është më kryesore dhe që druhemi ta themi hapur, terrorizmin shtetëror, i cili nuk dihet se ku i ka fillesat, rrënjët, financimet, kontigjentin, të gjitha këto të kamufluara në mënyrë perfekte me alibitë që krijohen në vatra të ndryshme të nxehta të planetit.
Nëse mund të ndodh një aventurë e tillë, ajo do të jetë një veprim rrufe dhe shumë kompleks, në një kohë shumë të shkurtër. Teknologjia dhe kapacitetet operacionale sot e mundësojnë këtë. Skalionimi i forcave operacionale që bëhet sot i shtrirë në kohë dhe sa më afër objektivit, është veprim i mirëmenduar nga të gjithë palët.
Gjithesesi, kur një ish drejtues kaq i lartë i Aleancës tërheq vëmendjen për situata të tilla, do të thotë se dikush duhet të dëgjojë seriozisht.
Shtrirja e interesave ekonomike me Rusinë dhe depërtimi brenda bashkësisë evropiane, është më shumë se sa një agresion i hapur, dhe pse mos të themi, pjesë e pandarë pararendëse e një agresioni ushtarak të mundshëm, në një kohë të përshtatëshme.
Pse jepet ky alarm në këtë kohë dhe për kë bëhet fjalë, për BE-në apo për Ballkanin?
Çfarë roli kanë vendet kryesore të BE-së (tashmë përjashtuar Anglinë) në raportet dhe marrëdhëniet konfliktuale SHBA – Rusi, ku detyrimisht kjo e fundit kërkon të çertifikohet si fuqi globale me ringritjen e saj në dy dekadat e fundit?
Çfarë është BE-ja dhe Ballkani përballë Rusisë pa Aleancën dhe veçanërisht pa SHBA-të?
Mbase, mbase pyetjet mund të jenë pak intriguese, por shkak bëhet deklarata e një ish funksionari të lartë të Aleances, i cili me siguri di se çfarë deklaron.
Sulejman Abazi, Tiranë 20/09/2016.

[the_ad id=”6025″]

 

[the_ad id=”4118″]

 

About Author

Comment here