Get a site

DOSSIER: LEKA ZOGU – I: SERBËT MË HELMUAN DY HERË

145309380665954

-Naltmadhni, shoh që po prisni një përgjigje nga jashtë. Çfarë është për ju pritja?

Kam pritur një jetë të tan për t’u kthy në vendlindjen teme dhe çdo lloj pritje tjetër është shumë herë ma e lehtë për mu. Pres të hy në lidhje me një mikun tim gjeneral nga Jordania. Por dua të respektoj orarin me ju. (qesh )

Kur u kthyet në Shqipëri, pas 63 vjet mërgim, vendlindja ishte gati e panjohur për Ju, pasi gjithë jetën Tuaj asokohe e kishit kaluar në mërgim. Tashmë a është bërë i njohur për pretendentin e fronit mbretëror vendi ku lindi para 69 vitesh?

Është zor me e thanë se ishte krejtësisht e njoftun. Por vetëkuptohet se tashmë kanë kaluar gjithë këto vjet dhe tash mund të habis shumë njerëz me ato që kam mësuar.

Ditën e rikthimit shoqëroheshit nga nëna Juaj, mbretëresha Geraldinë, bashkëshortja Suzan, djali, Princi Leka dhe tezja Juaj. Sot jetoni vetëm me djalin. A ju mungojnë “zonjat e shtëpisë” në një shtëpi, tashmë “mashkullore?

Më mungojnë shumë.

A e ka të vështirë një burrë si Ju, të shprehë mallin…?

Po! Sigurisht është e vështirë.

Bashkëshortja Juaj Suzana vinte nga një shkollë arti. Po Ju a e doni në të vërtetë artin? Cilat janë raportet Tuaja me kulturën?

Do të dëshiroja të shtoj se më interesojnë shumë arkeologjia dhe historia.

Në bibliotekën Tuaj kam dëgjuar se ndodhen 14. 000 libra të llojeve të ndryshme. A është kjo bibliotekë një oaz ku Ju ndaleni shpesh për të shpenzuar kohën Tuaj, pasi thuhet se, që kur Suzana nuk është më, dhoma Juaj e gjumit është shndërruar në një dhomë leximi?

Kam shumë libra me të cilët kaloj një kohë të madhe të ditës, dhe është e vërtetë që dhoma ime është një dhomë leximi. Kam dëshirë të lexoj dhe e baj një gjë të tillë çdo ditë.

Cilat kanë qenë orientimet Tuaja ndaj të lexuarit, literatura historike, shkencore apo ajo artistike si romanet, ku këto të fundit, pra romanet duhet pranuar se mund ta bënin pak të vështirë udhën Tuaj drejt parimeve mbretërore, kjo pasi sentimentalizmat nuk përkrahen tek ata që shihen si liderë të ardhshëm të një vendi?

Romanet, përveçse me kalu kohën, të japin njoftoni mbi njerëzit, karakteret e tyne dhe problemet sociale. Por një pjesë të madhe të kohës e kaloj tu studju për strategjitë, taktikat dhe teknologjitë ushtarake, të cilat me thanë të drejtën i kam me shumicë në bibliotekë, dhe i kam më të afërt dhe më të preferuar. Pastaj nganjëherë i kaloj një sy “Princit” të Makiavelit, ose “Arti i Luftës” i Sun Sy-së…

Cilët autorë shqiptarë dhe të huaj preferoni më shumë për të lexuar?

Më pëlqen veçanërisht Ismail Kadare, por edhe Sulejman Krasniqi. Ndërsa autorë të huaj, janë të shumtë.

“Dardanët”, libri i shkruar nga shkrimtari Sulejman Kransiqi, është ndër më të preferuarit Tuaj. Si e priti familja mbretërore pavarësinë e Kosovës?

“Dardanët” është një libër i mrekullueshëm. E kam rilexuar madje. Pavarësia e Kosovës ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm për Ne, sepse ka qenë hapi i parë i kurorëzimit të përpjekjeve dhe idealeve të jetës time.

A është e vërtetë se djali Juaj, Princi Leka ka blerë flamuj kombëtarë në Tiranë dhe i ka çuar në Kosovë ditën e pavarësimit?

Po! Është e vërtetë.

Ju keni folur shpesh për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Tani që Kosova është e lirë, cila duhet të jetë zgjidhja e radhës, e rëndësishme për shqiptarët?

Për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare, së pari duhet që Shqipëria jonë të fuqizohet ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht, për të qenë të respektuar. Sidomos tani që do të futemi në NATO. Pastaj, ngadalë-ngadalë do të shohim e të veprojmë për zgjidhje në Maqedoni, sipas Marrëveshjes së Ohrit. Në vazhdim në Malin e Zi dhe më pas për Çamërinë. Sidomos zgjidhja e çështjes së Çamërisë do të jetë më e vështira, por besoj se edhe kësaj, me kohë do t’ia arrijmë.

Si duhet të zgjidhet çështja çame? Si e shikoni, a duhet të jetë më aktive qeveria e Tiranës në këtë rast?

Vetëkuptohet se qeveria e Tiranës duhet të jetë aktive… Por çështja çame asht shumë ma e vështirë se ç’ka qenë çështja e Kosovës. Besoj se do të zgjidhet kur të piqen kushtet, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë.

Në mënyrë të vazhdueshme keni insistuar për Bashkimin Kombëtar të trojeve shqiptare, pra për Shqipërinë etnike. Ku e ka burimin ky guxim i Juaji dhe a është i vështirë sipas Jush, “Bashkimi Kombëtar”?

Mbas zgjidhjes së Çështjes së Kosovës, besoj se është koha që nuk kemi nevojë ta përdorim termin “Shqipni Etnike”, e aq ma tepër termin “Shqipni e Madhe”, që nuk është term shqiptar, por i krijuar nga kundërshtarët tanë. Tash, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë, do të punojmë për t’i zgjidhur hap pas hapi problemet e shqiptarëve.

Ç’do të thotë të jesh gjithë jetën trashëgimtar i fronit mbretëror?

Do të thotë përgjegjësi shumë e madhe karshi Atdheut dhe Kombit tand.

Cili është virtyti që keni trashëguar nga babai Juaj, mbreti Zog?

Njohja e njerëzve dhe dashuria e pamasë për Atdheun.

Në vitin 2004 iniciuat krijimin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Pse u tërhoqët nga kjo parti, e cila kishte si mision një ideal historik dhe çfarë mendoni për drejtimin e LZHK-së nga z. Dashamir Shehi?

E krijova LZHK-në për me mbledhë elementët shqiptarë që e kishin në zemër shqiptarizmin. Por kur pashë se situata nuk po shkonte në mënyrën që desha, u tërhoqa. Unë vetë nuk isha pjesë e LZHK-së, por isha udhëheqësi shpirtëror i saj.
Dashamir Shehi është një politikan shumë i aftë, që e meriton të jetë në Parlament.

Tentuat të ndiqnit shembullin e homologut tuaj bullgar, mbretit Simeon, i cili konkurroi në krye të një partie politike, i fitoi zgjedhjet dhe u zgjodh Kryeministër?

Mbreti Simeon kishte abdikuar dhe për këtë arsye kishte të drejtë të bëhej kryetar i një partie. Kurse unë nuk kam abdikuar, dhe nuk kam ndërmend të abdikoj. Kjo është arsyeja që nuk mora pjesë në LZHK dhe pranova të isha vetëm Udhëheqës shpirtëror i saj, duke i dhënë emrin tim kësaj lëvizjeje.

Gjatë një vizite në shtëpinë Tuaj, kryetari i shtetit Bamir Topi iu drejtua me “Naltmadhni…”. Si jeni ndjerë në ato çaste?

Me vizitën që na bëri kryetari i shtetit, zotni Topi, dhe respekti i treguem prej tij, ka qenë nji gjest fisnik dhe shumë i vlerësuem prej Familjes Mbretërore. Kjo tregon se ai njef dhe vlerëson historinë e shtetit shqiptar dhe vazhdimësinë e tij juridike.

Si janë raportet tuaja me Kryeministrin Sali Berisha dhe a po e qeveris ai siç duhet Shqipërinë?

Raportet tona me Kryeministrin zotni Berisha, janë aq të mira sa e lejon situata. Nuk harroj se ai është republikan, kurse unë jam Mbreti i Shqiptarëve. Megjithatë, Kryeministri Berisha ka treguar dashamirësi karshi nesh, sepse neve na bashkon Shqipnia.

Flitet shumë për korrupsion. Besoni se ka pushtetarë të korruptuar?

Shumë.

Po me socialistët Nano, Rama dhe Meta…?

Me Ramën nuk kam pas rast me u taku. Me Nanon jam taku vetëm një herë, kurse me Metën jam taku disa herë. Kam raporte të mira me Metën dhe sidomos me zonjën Monika Kryemadhi.

Pse u vonua bashkëqeverisja e legalistëve me PD-në dhe a do të ketë një formulë të re bashkëpunimi në të ardhmen PLL-PD?

Ne jemi mbipartiakë dhe për këtë arsye këtë pyetje duhet t’ua bëni drejtuesve të Legalitetit.

A mendoni se është zbutur klima politike në vend, mes palëve?

Është vështirë të parashikohet sesi do të shkojë bashkëpunimi midis palëve. Sepse ajo që shohim ndoshta nuk është e vërteta, është fasada. Nuk dihet se çfarë ka mas fasadës.

Besoni se Shqipëria do të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit për anëtarësimin në NATO?

Besoj se po! Dhe këtu vlen për t’u lavdëru puna që po kryn ministri i Jashtëm, zotni Lulzim Basha.

Si janë raportet Tuaja me djalin, Princin Leka dhe a Jeni i kënaqur me punën e tij diplomatike në Ministrinë e Jashtme?

Raportet me Princin i kam shumë të mira. Për sa i takon punës që Princi ban në Ministrinë e Jashtme, jam shumë i kënaq sepse së pari ai po merr dije. Së dyti kjo i jep mundësi të shohë dhe të kuptojë sesi punojnë shqiptarët, në një ambient shqiptar. E treta, puna atje i lejon me formu edhe njohjet dhe rrethin e vet. Është kënaqësi, sepse edhe ministri Basha është shumë i kënaqun me punën e Princit dhe më mjafton të them se ka ba mirë që ka fillu punë në diplomacinë shqiptare.

Çfarë do të donit që Princi të merrte nga i ati, dhe çfarë jo?

Le të zgjedhë ai vetë se çfarë dëshiron me marrë prej meje. Gjithsesi Princi merr shumë këshilla prej meje.

Të prekim pak një çështje tjetër. Oborri mbretëror para disa kohësh reagoi me shqetësim për ato që i quajti “dizinformime keqdashëse në media”, lidhur me shëndetin e Mbretit Leka I për një patologji specifike. A gëzon shëndet të plotë Mbreti Leka?

Unë gëzoj shëndet të plotë. Nuk kam asnji problem shëndetësor me përjashtim të kamës. Por tuj qenë se disa gazeta kanë shkru artikuj me të pavërteta, Ne si Familje Mbretërore morëm vendimin për t’u dhanë nji mësim, që këto gjana të mos ndodhin ma.

Është folur se ju jeni helmuar nga serbët? A mund të na tregoni si qëndron e vërteta në këtë rast dhe kur ka ndodhur dhe cila ka qenë arsyeja?

Po, është e vërtetë. Ndodhi në vitin 1999, kur më penguan që të shkoja në Rambuje, dhe ma vonë në ceremoninë mortore të mikut tim të ngushtë, Mbretit Hussein të Jordanisë.

Të ndalemi pak tek problematika e kthimit të pronave të familjes mbretërore. A keni shpresë për rikthimin e pronave dhe a keni kërkuar ndihmën e shtetit për të marrë atë që Ju takon, ndër vite?

Jemi duke bamun gjithçka me rrugë ligjore, për me marrë pronat tona. Vetëkuptohet, momentalisht kemi kërku ndihmën e shtetit për të na kthy nja dy prona, për të cilat kishim nevojë për jetesë.

Çfarë po bëhet me koleksionin Tuaj të armëve dhe si e pritët vendimin e qeverisë për t’ua rikthyer “arsenalin e armëve”, por pa fishekë?

Sefte shpresoj që koleksioni të jetë i plotë dhe i paprekun. Porsa i takon fishekëve, ky nuk asht nji problem, sepse ai asht nji koleksion dhe jo armë që do të përdoren.

Naltmadhëri, cila është e përditshmëria Juaj? Si i kaloni ditët?

I kaloj me takime me njerëz të ndryshëm, me studim raportesh, relacionesh dhe lexime të cilat përmbushin pasionet dhe interesat e mia.

Ju lutem na shuani një kuriozitet. Nisur nga gjatësia Juaj fizike, shumëkush mund të mendojë; a ka një shtrat ku të shtrijë këmbët mbreti… A e keni gjetur krevatin e përshtatshëm?

Qesh… Po, e kan gjet nji shtrat të tillë për mu.

Vërej që ndizni shumë cigare gjatë kësaj bisede. A keni vendosur ta lini atë?

Unë pi “Rothmans”. Pi shumë duhan dhe nuk kam ndërmend ta lej ate.

Cili është stafi Juaj mbretëror?

Në stafin tim politik bajnë pjesë njerëz të përkushtuar, idealistë dhe profesionistë.

Po të mos ishit bërë ushtarak, çfarë do të bëheshit tjetër në jetë? Keni ndonjë merak, që nuk e realizuat dot?

Jo, nuk kam asnjë merak.

Cilët janë miqtë Tuaj?

Janë të shumtë! Shqiptarë dhe të huaj.

Shkrimtari i madh Erih Maria Remark, thoshte se “telefoni dhe vizitorët janë armiqtë e mi…”. Po “armiqtë” e Leka Zogut, cilët janë?

Asht e vërtetë! Telefoni dhe vizitorët në kohë të papërshtatshme të bezdisin.

A besoni se një ditë Shqipëria do të jetë sërish Monarki dhe Princi do të jetë Mbret i Shqiptarëve?

Besoj se po! Por kjo varet nga populli shqiptar.

Burimi: Press Independent

[the_ad id=”4118″]

Komento rreth shkrimit