Get a site

“Fjala” mendjemprehtë e at Gjergj Fishtes mbajtur në Konferencen e Paqes në Paris

At Gjergj fishta

“Fjala” mendjemprehtë e at Gjergj Fishtes mbajtur në Konferencen e Paqes në Paris

At Gjergji pasi përshendeti përfaqesuesit e fuqive Europiane të konferencës , prezantoi vehten dhe “fjalen” që do të mbante në emer të delegacionit shqiptar dhe deshirave te kahershme dhe të drejta të kombit të lashtë të Shqiperisë , Kosovës e Çamërisë , nga e cila citojmë:
“…Cili popull ka ndjesi më të kthjellëta në Ballkan se populli Shqiptar? A mos vallë sllavi i ngadalshëm e i ngathtë, që i përkulur mbi shatë deri dje nuk merrte frymë pa urdhër të Carit të vet autokrat? Apo Greku, ajo skilja e vjetër që gjithmonë si një bimë parazitare iu ngjesh më të fortit për të mbajtur gjallë shpirtin e vet? A po është Shqiptari që është mbështetur në fuqitë e veta, që është i drejtë me miqtë, bukëdhënës me të huajt, dhe i rreptë me armiqtë? Balli madhështor i shqiptarit nuk ju përkul kërkujt përveçse Zotit të vet. Ishin pushtuesit mbi Shqipërinë, por kurrë nuk u bënë zotërues mbi shqiptarët. Për liri të vet zotni shqiptari, bën Fli shtëpinë, Tokën e mjerisht edhe Besimin. Derisa shqiptarët luftonin kundra Turkut për Liri të Shqipërisë e Europës mbarë, çfarë bënin Grekët e Serbët, ata që sot konferenca e Paqes është duke i mbajtur nën sqetull si djem dëshiri? Grekët edhe atëherë kur Turqit kishin mbërritur në dyert e Kostandinopojës, rrinin duke u marrë me çështje fetare kundër Kishës Romës. Kështu edhe despoti i Serbisë niste krushqi me turq duke i dhënë të bijën për grua sulltanit, dhe ndaloi bashkimn e ushtrive të Skënderbeut me ata të Huniadit, duke shkaktuar thyerjen e ushtrive të Krishtera në Varna që mori në qafë gjysmën e Europës. E tani pikërisht këta Grekë e Serbë janë ata që më fort se kërkush tjetër shpifin kundër shqiptarëve e thonë se këta s’kanë bërë asgjë për liri e pamvarësi të kombit të vet. Historia e perandorisë Osmane ka shënuar jo më pak se 54 kryengritje të mëdha që gjatë 400 vjetëve kombi shqiptar i bëri Qeverisë otomane. Edhe Greqia është një lule e rritur me gjak shqiptari. Xhavellat e Boçarët kanë qenë trima shqiptarë; e këtë punë me pasë me e pyet Venizollosin si dijetar e jo si diplomat do t’ua kishte treguar vetë, por edhe në mos dashtë me jua tregue ua kallxon Lamartini… Serbët në kohën e luftës Ballkanike me shpata kanë therur nënat shqiptare e foshnjat e nxjerra nga barku i tyre i kanë djegur me pishë për të ndriçuar vendin me to, dhe sot konferenca ka trefishuar shtetin e tyre. Grekët kanë kryqëzuar popullin shqiptar tani në shekullin e 20-të, ndërsa konferenca ka menduar t’u japë mandatin si më të qytetëruar… Pse nuk duhet të dalë shqiptari i lire dhe i pavarur kur ai nuk njeh dhe nuk i bën këto mizori? Por edhe sikur të marrim e të krahasojmë popujt, unë mund t’ju them se kombi shqiptar nuk është treguar kurrë më i egër e më barbar se disa kombe të tjerë të qytetëruar. Po ju përmend se si Spanjollët kanë vrarë më tepër se 15 milion Indian të Amerikës, si tregon imzot De la Casa në një relacion që i dërgon mbretit të Spanjës. Nuk po ju përmend në ç’mënyrë Henrikët e Elizabetat e Anglisë kanë kryer reformat e besimit në vendin e tyre, vetëm po dëshiroj t’ju kujtoj kobin e Zi që mbuloi vendin tuaj të bukur, kur populli i Francës në kryengritjen e 1789 arrin të marrë armët në dorë për të rrëzuar autoritetet e nderuara. Ju zotëri e dini fort mirë se si ky popull francez që deri atëherë ishte pasqyrë dhe modeli i Elegancës e mirësjelljes jo vetëm e lau me gjak të vëllezërve të vet të tërë Francën, por nuk i fali as eshtnat e fatosave të vet që i kishin sjellë aq nderë këtij kombi të madh. Kështu duhet t’ju kujtoj se gjakderdhja dhe përdorimi i dhunës bëhet tamam në kohët tona në Europën e lulëzuar siç është Italia, ku e përkohshmja “La civilta cattolica” në numrin e vet të gjysmës së parë të dhjetorit të 1914 botonte një artikull interesant, në të cilin me statistikë në dorë thotë se në Itali për 20 vjet rresht nga viti 1894 deri më 1914 çdo vit kanë ndodhur nga 100 mijë vrasje me 3% të numrit të popullsisë. Ndodhin kaq shumë në një vend ku ka xhandarmëri, ushtri, flotë e polici, gjykata, shkolla e Institucione të tjera kulturore, atëherë përse nuk u dashka t’i njihet pamvarësia Shqipërisë ku numri i të vrarëve siç dihet prej statistikave me zor mbërrin 1%, kur nuk ka asnjë nga Institucionet që përmenda më lart? …Tani të themi pse shqiptarët nuk u bashkuan kurrë në një shtet. Kush i mban mend Grekët edhe në kohët më të lumtura të tij të kenë qenë të bashkuar në një shtet para shekullit të 19-të? Ata edhe në kohët më të mira kanë kërkuar ushtri të huaja për të vrarë njëri-tjetrin, ndërsa shqiptarët i kthyen pushkën të huajit dhe u kthyen në faktor të parë të pamvarësisë së Greqisë… Unë do t’ju vërtetoj se psiqika e kombit shqiptar nuk është kurrë më e ngathët se ajo e sllavëve. Roli i poezisë që zotëron më shumë tek sllavët është legjenda. Fatosat e kombit sllav, ashtu si i paraqet poezia popullore nuk janë njerëz të një fuqie të jashtëzakonshme si Akili, Diomedi apo Ajaksi të Iliadës, por janë disa përbindësha të përçudnuar që s’di njeriu nëse janë kuçedra apo katallaj e maluketër të trishtueshëm. Kështu bie fjala Krajleviç Marku tani kërcen me kalin e vet nga një mal në tjetrin e tani han 50 okë groshë në një vakt, tani pin verën me legena 12 okëshe, e tash e hedh topuzin tre ditë udhë larg. Kisha me thanë se madhësia e këtyre fatosave që i përgjigjet një sfinksi që nuk është as shtazë e as njeri e asgjësendi që të ketë natyrë ose mendje njeriu veçse një qenie e çuditshme që s’thotë asgjë e s’duhet për kurrgjë. Duke dëgjuar ato këngë herë të duket se jeton në ato kohë, kur flisnin hardhucat e zogjtë, e ujku e dhelpra ishin ndrikull e kumbarë, në periudhën indiane që përzjeu dhe bëri pshesh sendet e mbinatyrshme me ato të natyrshme. Pra vjershëtori sllav ka qenë i shtrënguar të përftonte disa forma krejt shpellare me fatosa matrahula e maluketër. Duhet të themi se mentaliteti i atij populli nuk është zhdërvjelluar aq sa të plotësojë proporcionet e numrit, peshës e masës, e se prandaj ka mbetur akoma në një shkallë mjaft të ulët qytetërimi… Poezia popullore shqipe është krejt ndryshe. Shqiptari ndër poezitë e veta nuk këndon për të tjerët, ai këndon për vete. Ndër luftëra e në punë trimërie, ai nuk përqëndrohet tek faktet por shqyrton vetëm rrezet e namit e të lumturisë, ai shkreptinë. Prej fakteve, nami e lumturia janë ideali i tij, e prej këtij ideali i mbushet shpirti me entuziazëm duke i gufuar zemra me këngët që këndon si ai zogu i verës që këndon jo për të tjerët, por vetëm se nuk i rrihet pa kënduar ndër blerime e hije të lugjeve mbi ato shkëmbenj gurrash të argjendta. E me gjithë forma e jashtme dhe e brendshme ecin lirisht, ëmbëlsisht si pranverat e Arbërit… s’ka shumë vjet që profesori i Universitetit të Gracit, filologu i përmendur Majer thoshte se poezia popullore shqipe, pre pikpamjes estetike është më e bukura ndër të gjithë të tjerat e Europës. Është punë e arsyeshme që shteti shqiptar të përtërihet gjeografikisht deri ku arrin kombësia e tij në mënyrë të pandashme prej qendrës së vet, sepse e drejta e vetvendosjes nuk është e lidhur me individ, as me grupe njerëzish, por me bashkimin e përgjithshëm prej të cilit përbëhet kombi. Populli shqiptar flet gjuhën e vet, e prej këtej rrjedh se të gjithë ata që flasin këtë gjuhë, kanë kombësi krejt të vetën, të ndarë prej kombeve të tjera të Europës. E tërë krahina e Kosovës, pra që prej Konferencës së Londrës (1913) i qe lëshuar Serbisë, e mbarë Epiri i Veriut të cilin e lakmon Greqia, janë banuar kryekëput prej shqitparësh, e prandaj e drejta kërkon që të njihet si shtet shqiptar, se e vërteta duket qartë sipas statistikave që prej vitit 1909 e këtej janë bërë proporcionet Entologjike të popullsisë të Shqipërisë. Prej statistikave del në shesh, se ndër krahinat e lëshuara prej Konferencës së Londrës, serbëve e grekëve sadopak 80% e popullsisë është thjeshtë shqiptare. Serbët duan të thonë se banorët e Kosovës me rracë janë të gjithë sllavë, por me kohë janë bërë shqiptarë. Këtë fjalë thonë edhe Grekët për banorët e Epirit të Veriut, por nuk flasin të vërtetën. Po të ishte kështu përse Serbia vrau 200 mijë Kosovarë e Greqia djeg 360 fshatra e vret e vdes urie mbi 50 mijë vetë? Qyshse serbët kanë vrarë qindra mijëra vetë dhe grekët kanë vrarë e djegur, njëri në Kosovë e tjetri në Epirin e Veriut duket açik se as Kosovarët nuk janë slalvë e as banorët e Epirit të Veriut nuk janë Grekë…”

[the_ad id=”4118″]

Komento rreth shkrimit