Get a site

Greqi: T’ja bëjmë peshqesh refugjatët Shqipërisë!

emigrantet

Me kufirin mes Greqisë dhe Fyrom-it të mbyllur, Greqia duket e izoluar nga fqinjët dhe kontinenti europian. Kryeministri Cipras përpiqet të improvizojë një zgjidhje dhe Brukseli rri e vështron, por Greqia duket se edhe një herë favorizohet nga gjeografia.

Përgjatë kufijve tokësore me fqinjët e vet ballkanikë, vetëm kufiri grreko-shqiptar nuk mund të kontrollohet, për shkak të terrenit malor dhe numrit të madh të kalimeve.

Kryeministri Rama vetëm me fjalë mund të shprehë kundërshtinë e tij ndaj mundësisë së kalimit të refugjatëve përmes Shqipërisë, por Shqipëria e ka të pamundur të zbatojë një vendim të tillë. Arsyet janë të qarta. Askush nuk e ndalon dot një vendosmëri paqësore të popullatave për të lëvizur.

Duke parë politikën e dyerve të mbyllura të Shkupit dhe dëshirën e emigrantëve për të lëvizur drejt veriut, si dhe dështimin e çdo vendi tranzit për t’u siguruar atyre kushtet bazë të një qëndrimi të përkohshëm, duhet ta marrim të sigurtë se në ditët e javët që vijnë, me ardhjen e pranverës, emigrantët e ngecur në Greqi do drejtohen drejt kufirit shqiptar.

Çfarë do të ndodhë atëherë?

Shqipëria do tentojë ta ndalojë këtë rrjedhë në pikat e Kapshticës, Merxhanit dhe Kakavijës, por më kot. Nuk mund të ngresh dot asnjë mur në terrene të thyera. Monopatet e shumta nuk mund të patrullohen dot.

Shqiptarët e dinë këtë dhe paçka se kryeministri ka shprehur kundërshtimin, ndërkaq ka urdhëruar ndërtimin e dy qendrave të pritjes për 10 mijë emigrantë në Korçë dhe Gjirokastër.

Ky zhvillim thelbësisht nënkupton anullimin e politikës aktuale austriake për refugjatët në Ballkan, pasi emigrantët do kalojnë nga FYROM, Kosova e Shqipëria drejt veriut, Serbi, Mali i Zi e Bosnjë.

Për më tepër, problemi do ndërkombëtarizohet edhe një herë, duke ushtruar më shumë presion tek brukseli për gjetjen e një zgjidhjeje efektive. Pritet që Austria të ngrejë një mur të ri në veri, por më kot se tashmë problem nuk do jetë vetëm grek, por krejt ballkanik.

Korridori shqiptar do t’i japë Greqisë një shans të fitojë pak kohë në përballjen me fluksin e njerëzve nga Turqia, të lehtësojë kufirin greko-maqedonas dhe t’i japë BE-së një mundësi finale për të treguar se është një union miqsh dhe jo armiqsh.

 

*****

Autori Evangelos Veneti është ekspert për çështjet e migrimit dhe refugjatëve. Ky artikull është botuar nga e përditshmja greke Kathimerini. Titulli prezantues është i redaksisë së DITA. Titulli origjinal: “Roli kyç i Shqipërisë në krizën e emigrantëve”. Përkthimi, nga DITA

[the_ad id=”4118″]

Komento rreth shkrimit