Get a site

Ja si bashkëpunoi Turqia me Jugosllavinë për shpërnguljen e shqiptarëve nga trevat etnike

14532249255744

Nga Dr. Lavdosh AHMETAJ*

Vijon.. Shqetësimi lidhet me faktorët politikë ndërkombëtarë, të cilët duket se janë shumë të ndjeshëm në çështjen e kolonizimit. Duke e parë në këtë pikëpamje, shpërngulja e menjëhershme të shqiptarëve të Jugosllavisë, dukej më e favorshme dhe efektive. Shteti turk, duke pasur një territor të gjerë, sidomos në lindje, në në e Vogël dhe Kurdistan, të cilat ishin ende të pabanuara dhe të papunuara, krijonte një mundësi të pakufizuar për një kolonizim të brendshëm; kjo hapësirë shikohej si një mundësi e madhe të cilën mund ta popullonin shqiptarët e shpërngulur nga territoret politike jugosllave. Ajo që të bën përshtypje është fakti se edhe shteti turk ishte i interesuar për tërheqjen e një pjese të konsiderueshme shqiptarësh: mendohej që fillimisht të tërhiqte rreth dyqind mijë shqiptarë të shpërngulur, e kjo përbënte një favor politik të mjaftueshëm për të realizuar në mënyrë ndërkombëtare shpërnguljen e shqiptarëve nga trevat e tyre etnike. Kjo shihej e realizuar nëpërmjet Konventës për shpërngulje, e cila do të realizohej midis shtetit turk dhe atij jugosllav.
Me formimin e qeverisë së Milan Stojadinoviçit, në Ministrinë e Punëve të Jashtme filluan bisedimet intensive në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Në vitin 1935 pranë Ministrisë së Jashtme ishte formuar në mënyrë ilegale një Komitet, i cili kishte analizuar projektin bazuar në Ligjin mbi shtetësinë, neni 55; kjo u shoqërua me formimin e institucioneve përkatëse, të cilat duhej të merrnin pjesë intensivisht për shpërnguljen e shqiptarëve. E gjithë çështja ishte që politika kolonizuese të merrte natyrë legale dhe të përfaqësohej politikisht nga shtetet përkatëse.
Kjo gjë u realizuar përmes Konferencës ndërkombëtare me përfaqësuesit e shteteve përkatës. Ajo çka realizoi në mënyrë institucionale konferenca, ishte realizimi i shpërnguljes së shqiptarëve drejt Turqisë përmes dy mënyrave:

Së pari, shpërngulja në masë e shqiptarëve drejt Turqisë duhej bërë në bazë të një konvente ndërshtetërore.

Së dyti, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë shqiptare, e cila nuk do të kishte mundësi shpërnguljeje drejt shtetit turk, pra që do të mbetej në shtetin e Jugosllavisë, parashikohej të asimilohej duke marrë parasysh raportin e popullsisë sllave me atë çka do të ngelej nga shpërngulja, pa harruar që të dy mënyrat e parashikuara do të realizoheshin nëpërmjet metodës së presionit, e shoqëruar me një kundërpropagandë shqiptare, e cila ishte e mundur të realizohej nga shteti shqiptar. Shteti jugosllav kishte përgatitur me kujdes manipulimin e transportimit te shqiptarëve nëpërmjet teknikash interesante, një prej të cilave ishte kështu se shteti turk do të merrte një shpërblim të caktuar, i cili shkonte deri në 15.000 dinarë për çdo familje të shpërngulur, madje u gjend mënyra që çdo familje të ishte mundësisht sa më e madhe: për këtë u gjend zgjidhja përmes manipulimit të familjes me mbiemrin përkatës, edhe në rastin kur ishin shumë larg si brezni apo kur nuk kishin një gjak, por duke shfrytëzuar të njëjtin mbiemër, bëhej e mundur përfshirja e një territori shumë të gjerë.

Kjo marrëveshje mbizotërohej nga fryma e dëshirës së popullsisë muslimane, e cila duke banuar në rajonin e Serbisë Jugore, do të largohej nga territori i Mbretërisë Jugosllave me dëshirën e ligjshme për t’iu bashkuar trungut etnik natyror. Pra, duke u manipuluar politikisht në këtë frymë, ishte e lehtë për tu kodifikuar përmes 21 nenesh, të cilët përfshinin të drejtën e migrimit të asaj popullsie muslimane që ishte me origjinë, gjuhë dhe kulturë turke. Ndërsa numri i familjeve që qeveria turke kishte rënë në marrëveshje për t’i pranuar ishte rreth 40.000 familje. Por sipas nenit 3: “Me familje kuptoheshin personat e një gjaku dhe fëmijët e tyre, të cilët në momentin e nënshkrimit të kësaj konvente, jetojnë në një pronë fshatare të përbashkët dhe të pandarë dhe nën të njëjtin kulm”. Ndërsa të shpërngulurit nuk do të kishin të drejtën e pronës së patundshme, e cila pas largimit të saj, do të konsiderohej shtetërore jugosllave, në kohën kur qeveria jugosllave do t`u paraqesë përfaqësuesve të shtetit turk në Jugosllavi listën vjetore të të shpërngulurve. Madje ligji parashikonte që në rastin kur të rinjtë muslimanë, familjet e të cilëve janë regjistruar në listën vjetore të të shpërngulurve, dhe që njëherësh ishin të mobilizuar në ushtrinë e Mbretërisë Jugosllave, menjëherë do të liroheshin nga shërbimi ushtarak dhe do të shpërnguleshin së bashku me familjen e tyre. Ndërsa shpërngulja nga pikëpamja legale ishte kodifikuar në mënyrë kolektive, që do të thotë të shpërngulurit ishin pajisur me një pasaportë kolektive (turke), e cila do të dorëzohej nga autoritetet konsullore të qeverisë së Republikës Turke në shtetin jugosllav.

Por ajo që tërheq vëmendjen nga pikëpamja e së drejtës, është fakti se në ligj parashikohej vetëm shpërngulja e popullsisë fshatare, që do të thoshte se shtetit jugosllav i lindte e drejta legjitime për të bërë shpërngulje me detyrim pa marrë parasysh vullnetin e popullsisë kontraktuese. Ndërsa e drejta për shpërngulje e popullsisë qytetare ishte fakultative, që do të thotë vetëm në kohën që muslimanët qytetarë ishin dakord me shpërnguljen drejt shtetit turk. Më tej, në dy rastet ligji i njihte të drejtën popullsisë së shpërngulur vetëm për marrjen e pasurisë së tundshme dhe një pjese të bagëtisë. Pra, po ta krahasojmë me të drejtën ne Antikitet, kur Klithseni ndërmori reforma demokratike në Athinë, në mënyrë që të shuante bazën politike dhe sociale të fisnikërisë fisnore, e cila penalizohej me largimin nga Athina për dhjetë vjet, në asnjë rast nuk bëhej fjalë për shpronësimin e tyre, pasi ata kishin të drejtën e pronës edhe pse për një kohë të caktuar u hiqej e drejta e qytetarisë athinase.
Këtu shtrohet pyetja: pse i drejtohemi për referencë të drejtës antike, mos vallë duket një botë politike dhe juridike e largët dhe, për rrjedhojë, nuk ka vlera krahasuese dhe për kohët moderne? Mendoj se do të ishte e padrejtë që të teorizonim në këtë formë, sepse të gjitha teoritë politike moderne, të cilat kanë arritur të bëjnë revolucion politik dhe juridik, gjithsesi nuk kishin harruar modelin juridik të antikitetit. Jo vetëm kaq, por edhe i referoheshin për të studiuar dukuritë e kohës së tyre, në mënyrë që të ishin sa më koherentë në zgjidhjen e problematikës së kohës. Për më tepër, do të ishte e udhës t’i referoheshim doktrinës hegeliane, për të parë njëherësh edhe efektet teorike krahasuese: Hegeli, i cili konsiderohet një nga studiuesit që bëri revolucion në studimin e shtetit, gjithsesi i referohet antikitetit helen për të parë mundësitë integruese të etnive të pacivilizuara, e për këtë merr si kampion mundësinë e integrimit të fiseve të egra në botën politike helene. Aty ai trajton idenë e një njësimi të brendshëm organik në jetën e shtetit që ishte shfaqur pas admirimit për etnicitetin e lartë të polisit grek, atëherë kur Hegeli kishte mbështetur njësinë dhe identitetin e një populli në një element shpirtëror, në një lidhje organike të padukshme, por mjaft më të fuqishme se çdo bashkim i thjeshtë i jashtëm, në sajë të së cilës një shumicë e thjeshtë, një shumatore individësh shndërrohen në një trupë shpirtërore të gjallë që frymëzohet nga një marrëdhënie e brendshme politike, e cila kërkon si motiv integrimin gradual, duke shmangur dhunën, por mbi të gjitha duke respektuar të drejtën e kohës. Për shpjegimin e këtij mekanizmi nga pikëpamja politike dhe juridike, Hegelizmi33 si shkollë juridike dhe politike në vitin 1802-1803 mbyll vëzhgimin mbi të drejtën natyrore, duke trajtuar marrëdhëniet tragjike të luftës dhe të vdekjes, duke e konkretizuar përmes procesit të pajtimit të Eumenidëve përpara organizimit politik, domethënë popullit të Athinës, që me gjykimin hyjnor vë në veprim ripajtimin, në mënyrë që Eumenidët të ishin një popull i nderuar dhe të kishin një vend të tyre në qytet, pasi kishin humbur “natyrën e egër” të tyre, duke qenë në fazën kalimtare drejt jetës qytetare.
Duke e parë përmes këtij shembulli, Hegelizmi si shkollë politike jep disa tipare të doktrinës së tij: 1. Mundësinë e të drejtës së pajtimit; 2. varësinë e një kulture të mundur kundrejt një kulture triumfuese; 3. tranzicioni midis dy kulturave, të cilat nga pikëpamja e territorit ishin pranë njëra-tjetrës, por me ndikime platonike në idetë politike në të cilat janë parë gjurmë të një konflikti mes dy kulturave. Përgjigjja hegeliane është shkencore për shkak se përkon me mungesën e rregullave të lojës politike, të cilat garantojnë sigurinë dhe qarkullimin e etikës politike. Ndërsa institucionalizimi dhe rregullimi i konflikteve mjafton për t’i dhënë zgjidhje problemeve të organizimit shoqëror të kalimit nga një shoqëri agraro-tregtare, në atë agraro-industriale.

Ajo që kërkon të sqarohet në rrafshin e doktrinës politike, është se mendimi politik pas fazës kontraktualiste nuk ka arritur të zbatojë teorinë e rregullave të lojës në kontekstin ndërkombëtar, qoftë edhe në kohët më moderne ballkanike dhe europiane; duke e parë në raport me strukturën dhe filozofinë politike doktrinën e shtetit serb, duket se kësaj teorie i mungon elementi kryesor për të qenë një teori koherente, për shkak se i mungon harmonizimi midis së drejtës natyrore dhe asaj politike, madje kjo e fundit dukshëm e ka mohuar interferimin harmonizues midis tyre. Gjykoj në këtë formë, për faktin se duke iu referuar historisë politike të krizave shtetërore franceze ose angleze, analizat dhe pasojat kanë qenë të dukshme dhe të shpjegueshme, qoftë edhe nga shkaku se në sistemet politike përkatëse kanë munguar respektimi i së drejtës politike ndaj asaj natyrore.

Por do të ishte më mirë t’i referoheshim këtu Tomas d’Akuinit, për të dhënë teorinë dhe më pas krahasimin me elementë të caktuar të konceptit bazë të doktrinës serbe “Kosova – Serbi e Vjetër”. Ajo që ne trashëgojmë nga Akuini është fakti se ai i drejtohet Aristotelit duke shpallur se pushteti në thelb është natyror, domethënë ka rrënjë në vetë natyrën e njeriut, për më tepër pushteti “in concreto” është i mëshiruar nga njerëzit që zgjidhen apo caktohen, pra është një e drejtë thjeshtë njerëzore. Ndërsa në kushtet që një njeri apo një grup njerëzish janë në gjendje të komandojnë legjitimisht një grup njerëzish të tjerë, ky fakt nuk përcaktohet nga Zoti, por nga një emërim thjeshtë njerëzor. Pra ky është rasti për të gjetur burimin zanafillor të pushtetit, në të cilin shoqëria ka aftësi për t’i dhënë vetes ligjet për t’u qeverisur, dhe në rastin që një politikë e caktuar duhet t’i bindet virtytit.

Pra, në thelb kemi teorinë moderne të Monteskjesë, i cili koncepton angazhimin e ndërsjelltë, të heshtur apo të hapur, që bën të mundur raportet midis popullit dhe atij që e qeveris. Por nga ana tjetër kemi modelin e raportit midis shkakut dhe pasojës, i cili vepron në një raport natyror, që do të thotë se aty ku shkaku rresht edha pasoja duhet të reshtë, pra një varësi e ndërsjellë midis dy subjekteve shkak-pasojë, të cilët përbëjnë një subjektivitet natyral, por pa mohuar as njërin dhe as tjetrin; sipas Akuinit, të gjitha sendeve u përket diçka nga ligji i përjetshëm dhe për rrjedhojë ligji konsiderohet ligj për shkak se është i dekretuar nga sovrani. Parë në këtë këndvështrim, do të ishte me interes shkencor fakti se sa kishte zënë vendin e tij vullneti i popullsisë shqiptare në konventën e përbashkët midis shtetit të Mbretërisë Jugosllave dhe shtetit Turk, e cila u pasua nga një sërë nenesh, të cilët bënin të mundur shpërnguljen e popullsisë shqiptare nga trevat e tyre etnike.
Pra, po të nisemi nga shtrati shkencor mbi të cilin duhej të ngrihej teoria e shpërnguljes, e paraprirë nga koncepti doktrinar “Kosova – Serbi e Vjetër”, atëherë është më e lehtë për t’iu referuar revolucionarit doktrinar Tomas d’Akuin, i cili në teorinë e tij të së drejtës natyrore ka konceptuar këto ide themelore në mekanizmin e teorisë së tij”:

a. Harmonizimi i së drejtës natyrore me atë të sistemit politik.

b. E drejta e pronës.

c. E drejta e familjes.

d. E drejta e martesës.

E. e drejta politike, pavarësisht nga dëshira e saj, duhet ta përfshijë vullnetin e së drejtës natyrore, në të kundërt sistemi politik që ndërtohet, do të shoqërohet nga kriza të vazhdueshme dhe të pazgjidhshme.
Por, duke studiuar me kujdes teoricienët akademikë serbë, duket se ata kërkojnë me të gjitha mënyrat që teoria e tyre, ajo e shpërnguljes, të gjejë përkrahje publike, e kështu i kushtohet rëndësi e veçantë disa faktorëve, që funksionimi i tyre të realizohej natyrshëm në kushtet e një politike moderne. Në radhë të parë, për shpërnguljen e shqiptarëve ishte e domosdoshme të bëhej mjet kleri i tyre dhe njerëzit me influencë, para se shpërngulja të merrte natyrë shtrënguese, e shoqëruar nga agjitatorët, të cilët duhet të propagandonin shpërnguljen: duke përshkruar bukurinë e viseve të reja që do të gjenin në Turqi, jetesën e lehtë dhe të këndshme, duke motivuar njëherësh fanatizmin fetar dhe krenarinë shtetërore turke.

Ndërsa, nga ana tjetër, shtypi serb do të bënte propagandën e një shpërnguljeje të rehatshme dhe të zakonshme, duke i hequr tragjedisë elementin më intrigues dhe dramatik, që po iu ndodhte shqiptarëve. Por në këtë lëvizje të pastër politike, nuk mund të ishte indiferent shteti, i cili duhej të shfrytëzonte ligjet deri në fund, në mënyrë që qëndrimi i shqiptarëve në shtetin jugosllav të ishte i pamundur. Kjo do të shoqërohej me vendosjen e gjobave, me taksa, me burgime, zbatimi në mënyrë të pamëshirshme i dispozitave policore, duke detyruar individët të punonin sa më shumë në punë angari, e shoqëruar nga mosnjohja e tapive të vjetra, duke përfshirë shlyerjen e të gjitha borxheve private dhe publike, marrjen e kullotave shtetërore, zhveshjen nga e drejta e koncesioneve, heqjen e lejeve afariste, dyqaneve tregtare, pushimin nga puna shtetërore, private, vetadministruese.

Të gjitha këto mjete shoqëroheshin me organizimin e aksioneve të vjetra çetnike, duke nxitur lëvizjen e një vale të re malazezësh prej bjeshkëve, të cilët do të shkaktonin konflikte të shumta me shqiptarët; përmes përgatitjes së një psikoze sikur shqiptarët kishin ngritur krye dhe, nga ana tjetër, ngjarja duhej përpunuar si një konflikt vëllazëror e fisesh dhe, në rast nevoje, mund t’i jepej edhe natyrë ekonomike. Pra, duke nxitur mosmarrëveshje lokale, të cilat ishin planifikuar të realizoheshin në mënyrë të përgjakshme me mjete efikase, por gjithnjë duke evituar përdorimin e ushtrisë. Kjo mesa duket ishte përpunuar edhe teorikisht, gjë që do të zëvendësohej me kolonistë, me fise malazezë dhe me çetnikë, duke vënë në funksionim djegien në mënyrë ilegale të fshatrave shqiptarë. Rektor i Universitetit “Pavarësia”, Vlorë
LITERATURA E SHFRYTËZUAR:
– E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1990.

– Konferenca Kombëtare për formimin e popullit shqiptar, të gjuhës dhe të kulturës së tij, Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, Tiranë 1988.

– VASA ÇUBRILLOVIQ: Shpërngulja shqiptarëve, Beograd 1937 (dorëshkrim); Po ky material, por me shkurtime, në E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1990, shih referati Shpërngulja e arnautëve.

– Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore dhe të mesme në shekullin XVII (1610-1634), Tiranë 1963.

– Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485, i përgatitur nga Selami Pulaha, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1974.

– STUDIME HISTORIKE, nr.dhe 2, Tiranë 1976.

– MARK KRASNIQI: Gjurmë dhe gjurmime, Prishtinë 1979.

– MIDHAT FRASHËRI: Shqiptarë dhe sllavë, Tiranë 1998.

– ARBEN PUTO: Shqipëria Politike, 1912-2000, Tiranë 2008

– H.N. BRAILSFORD: Macedonia, its races and their future, London 1906.

– AGIMI (revista), Shkodër, vitet 1918, 1919, 1920, 1921.

– JENS REUTER: Shqiptarët në Jugosllavi, Tiranë 2003.

– G. GELCICH: La Zedda e la dinastia dei Balscidi, Split 1898.

– M. ORBINI: Il Regno degli Slavi, Pesaro 1608.

– Acta Albaniae Veneta, vëll. I-II, Vindobonae 1913, 1918, –

– GEORGE VON HAHN: Udhëtim nga Beogradi në Selanik, Vjenë 1868.

– SKËNDER RIZA: Historia e Kosovës, shek. XV- XVI

– MAREGLEN VERLI: Reforma agrare kolonizuese në Kosovë, Tiranë 1992.

– Historia e Shqipërisë, Tiranë 1984.

– Historia politike shqiptare pas vitit 1912

– K. JIRIÇEK: Istorija srba, Beograd 1922.

– LAZARO SORANZO: L’Otomano, Ferrara 1598.

– SKËNDER RIZA: Kosova gjatë shekujve XV, XVI, XVII, Tiranë 1987.

– ESKILI: Orestia, Tiranë 2006, faqe 7-10.

  • E tjerë…

SHQIPËRIA E BASHKUAR

[the_ad id=”4118″]

1 thought on “Ja si bashkëpunoi Turqia me Jugosllavinë për shpërnguljen e shqiptarëve nga trevat etnike

  1. Pushtimi i bute fetarist dhe ekonomik i shqiptareve (dhe boshnjakeve ilir)

    Mjerisht edhe sot vazhdon pushtimi doktrinor i shqiptareve qe mbeshtesin boshtin kunderkombetar. Madje ai bashke me Taipin dhe Gulenin synonin te turqizonin Islamin,
    ashtu sic synojne iranianizimin ose arabizimin e Islamit edhe te tjeret. Na genjenin
    neve se kinse emri ‘Jashar’ (lexo Jeton, Ron) ishte mysliman dhe ‘turk elhamdulilah.’
    Paralel edhe greket kane greqizuar krishterimin poashtu romaket katolizuar krishterimin. Pastaj Sveti Sava e serbizon dhe feja eshte ideologji dhe asgje tjeter,
    Mosjsiu ‘kushtezon Zotin’ per statut te popullit te zgjedhur dhe firmos kontraten!!!

    Me vjen shume keq se pse ambasada shqiptare ne Turqi nuk i ka kapur keto qendrime haptazisht te fshehura te shtetit neo-otoman qe ta demaskonin projektin e tyre ne embrion para se te hapeshin shkollat indoktrinuese fetariste ose te
    ndertoheshin me qindra xhami te panevojshme nga mjekroshistet duke paguar perkthyes te regjur shqiptar qe ky liber te publikohej qe ne kohen kur ai, Ahmet Davutoglu ishte minister i puneve te jashtme dhe ideatori kryesor i ekspansionizmit
    te ri turkomadh. Biles nese ambasades i mungonin mjete per dalje ne drite te ketij libri te vonuar nuk besoj se shqiptaret do te ngurronin ta sponsorizonin perkthimin e domosdoshem, te pakten turkofilet mund te mileshin qe ta perkthenin librin kinse ne favor te tyre sepse ata masovikisht nuk lexojne por edhe do ta kishin per mburrje.

    Ndonese nuk pres nga ambasada jone t’i shfrytezoje resurset kinse aq te medha dhe elitare ne Turqi, te pakten te ringjall vetem frymen kulturore pastaj gjerat le te marrin vete drejtimin e duhur. Ky duhet te jete kunder-projekti dhe kunderpergjigjja.
    Te vine te investojne shtetasit turq me prejardhje shqiptare dhe jo ata me gjeneze anadollake sepse qellimi i tyre eshte vetem ekspansionist ne kurriz te popujve te vegjel.

    Ai dinakerisht pretendon se ne zyren e tij jane vetem dy piktura, njera e Prizrenit dhe ajo tjetra e nje vendi ne Bosnje sepse vete rrefen per strategjine e thelle te mbeshtetjes te shqiptareve dhe boshnjakeve naiv nepermjet te se cileve synonte te
    pushtonte prapa oborrin evropjan se nuk ka ndonje perfitim te madh ai nga Prizreni pervec se te shkaktoje me shume huti. Madje nuk eshte cudi se kur e ka vizituar delegacioni ‘kosovar’ ose ‘shqiptar’ ai i ka vene per efekt ato piktura ne zyre sepse
    ne mendjelehtesisht dorezohemi para te medhenjve kur na i shtypin librat personal, ose na hedhin ndonje kocke per te lepire. Ne vazhdim ai thekson edhe rendesine e ‘pushtimit’ infrastrukturor sidomos te komunikimit, prandaj nuk eshte befasi e madhe
    se aeroporti ne Prishtine dhe ne Shkup ku valuan flamujt e Erdoganit, jane te rentuara nga shteti ekspansionist turk.

    Fale Meshires te Zotit qe u grinden lideret neo-otoman qe ne zbuluam te verteten boterisht sepse askush nuk besonte dhe tani shkollat guleniste pagezohen pershtatshmeritsht si te manipuluara nga vete te manipuluarit studente dhe prinderit
    e tyre mendjeblerte. Per fatin tone ne fatkeqesi te tyre, Taipi e largoi (lexo perjashtoi) nga rrethi i ngushte Davutollun dhe ndoshta keto plane te errta do te zmbrapsen vetevetiu. Ku jane biznesmenet tane apo jane ‘bithgrismenet’ qe te investojne
    bashkarisht ne nje trust dhe per te marr mbrapsht aeroportin e Shkupit dhe te Prishtines e me vone edhe ate te Tiranes, jo nga keqdisponimi kunder te huajve por thjesht nga realizimi i vizioneve te reja sepse ne sot jemi nen nje pushtim te ri
    te nendheshem dhe ashtu besoj se do te vepronte edhe i Madhi Skenderbe.

Komento rreth shkrimit