Get a site

MALLKIMI I LIBRAVE TË DJEGUR…

Shkruan: Bujar Kule

MALLKIMI I LIBRAVE TË DJEGUR…

15 mars 2017.
Ora 10.40.
Biblioteka kombëtare digjet.
Libra që shkrumbohen, hi dhe tym.
Tymi mbush mendjet e dhjamosura të shqiptarëve të fillim shekullit të XXI, që pasi kujdesen të zënë hundët me shamiçka prej letre, shfryjnë me mospërfillje, “hajt mo se libra janë”…

***
15 mars 44 p.e.s.
Gai Jul Çezari vritet në Senatin e Romës.
Sot e kësaj dite, historianët, grinden e bëjnë sherr për numrin e thikave që u ngulën në trupin e Çezarit. E vetmja gjë e sigurt është, se thika e fundit ishte ajo e Brutit.
“Edhe ti Brut?”, rënkoi Çezari, pushtuesi i Galisë, i Spanjës, i Pontit, i Egjiptit, etj, etj, etj, dhe…
Vdiq!
Një ditë më pas, në 16 marsin e vitit 44 p.e.s, së bashku me hollësitë e lajmit për vrasjen e Çezarit, rrugëve të Romës zuri të përhapej si tym i zi, thashethemnaja, se shkaktarë të vrasjes së Çezarit, nuk ishin vrasësit, që romakët i njihnin me emër dhe mbiemër, por një mallkim i errët. Të molepsur nga ky mallkim, njerëz si Bruti dhe Kasi që shquheshin për besnikërinë e tyre ndaj Çezarit, kishin vrarë udhëheqësin e tyre të dashur që aq shumë e lëvdonin dhe e adhuronin.
Ç’mallkim ishte ky që i ishte vënë pas Çezarit deri kur, me dorën e senatorëve romakë si Bruti dhe Kasi, i kishte marrë jetën?
Si quhej?
Ku kishte lindur?
Kur dhe përse e kishte nëmur Çezarin?
Romakët e quajtën thjeshtë “mallkimi i librave të djegur”…
Në vitin 48 p.e.s gjatë pushtimit të Egjiptit, Çezari i vuri flakën Bibliotekës së Aleksandrisë.
Lucio Aneo Seneka do të dëshmonte, se ishin djegur 40.000 libra.
Aulo Gelio do të shkruante për 700.000 volume të kthyera në hi, dhe…
Librat e djegur e kishin nëmur!
Për çdo faqe të djegur, një mallkim…
Për çdo fjalë të shndërruar në tym, një nëmë…
U thafsh deri në rrëzë!
Të vrafshin ata që më shumë të duan!
Mos paç varr!
Të humbtë gjaku, soji dhe sorollopi!
Si qentë u shqefshin Julët me njëri tjetrin, deri kur, të mos ngelë i gjallë as edhe një i vetëm!
Kishte edhe ca mallkime të tjera akoma më të mynxyrshme, që romakët nuk guxonin as ti përmendin, arsye kjo, që as ne nuk do ti përmendim.
***
Ndërkohë që flakët ende përvëlonin faqe librash dhe tymi i zi i zhdukjes së memories kombëtare lëpinte qiellin, njësoj siç do të bënte edhe Çezari nëse do ti kishte shpëtuar thikave të Brutit dhe Kasit, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare u shfaq përpara telekamerave dhe, buzagaze deri në marrëzi, i njoftoi shqiptarët të mos e vrisnin mendjen, sepse…
“Ato që po digjeshin ishin vetëm ca libra… Nja dy apo tre rafte… Besoj të rikuperueshme… Relativisht pas viteve 90… Deri më tani nuk na rezulton, që të jenë prekur të dhëna të rëndësishme… Në kushte aktuale është ende herët për të dhënë dëmet konkrete materiale… E rëndësishme është që sistemi ka funksionuar…”
Sistemi ka funksionuar? Kush sistem? Ai i shkatërrimit sistematik të historisë dhe kulturës kombëtare? Ca libra? Kush libra? Sa? Nja dy apo tre rafte? Besoj të rikuperueshme? Relativisht pas viteve 90?
Edhe pse drejtoresha buzagaze e Bibliotekës Kombëtare mbante mbi shpinë më shumë tituj se edhe vetë Çezari, na është profesoreshë, doktoreshë e kush e di se çfarë tjetër, tituj që theksojmë, ndryshe nga Çezari, askush nuk e di se për çfarë bëmash shkencore i ka merituar, ishte e vështirë ti besoje pohimeve të saja buzagaze. Por edhe nëse i besoje, mjaftonte të kishe vetëm katër klasë shkollë për të kuptuar se, 27 vite të historisë dhe kulturës shqiptare mund të ishin kthyer në hi dhe për fat të keq, titujt e drejtoreshës nuk mund të zhbënin as edhe një grimë dëmin, që i kishte bërë kombit. Atëherë, përse drejtoresha, doktoresha, profesoresha e Bibliotekës Kombëtare, qeshte?
Çfarë e lumturonte?
Kush ishte marria që e gëzonte?
Si mund ta vinte buzën në gaz, ndërkohë që librat, kujtesa kombëtare që asaj i ishte besuar të ruante, po digjej?
Përtej shqetësimit që nuk e kishte kryer detyrën e shenjtë që i ishte besuar, si dashamirëse e librave dhe e kulturës, siç është e logjikshme të besosh se duhet të jenë drejtuesit e bibliotekave (aq më tepër të asaj kombëtare!), vallë a nuk duhej ti digjej zemra dhe përvëlohej shpirti, jo për dhjetëra dhe qindra libra të djegur, por edhe për grisjen e një faqeje të vetme libri?
Por ajo qeshte…
Vetëm qeshte…
Përse?
Mos ndoshta…
E pa shqetësuar për këto pyetje që torturonin mendjet e atyre pak shqiptarëve që vazhdojnë te lexojnë libra dhe që janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka kujtesa e shkruar për mbijetesën e kombit tonë në shekullin e XXI, drejtoresha, gjithmonë buzagaz, i qetëson rishtazi shqiptarët (ata pak që ishin shqetësuar), duke i dhënë lajmin e lumtur se librat e djegur ishin botime të pas vitit 2000.
Pra…
Vetëm 17 vite, histori dhe kulturë e humbur!
Ama, ato, fotografitë dhe filmimet nga djegia bibliotekës tregonin të kundërtën…
Të kundërtën?
Dëshmonin se drejtoresha gënjente!
Apo…
Nuk ja kishte aspak idenë se ç’ishte dhe ç’nuk ishte djegur!
Mes tymit, unë vetë, munda të dalloja disa libra të fëmijërisë time që, me gjithë dëshmitë qetësuese të drejtoreshës, i kisha kaluar në vite 70 – 80 të shekullit të kaluar.
Diçka nuk shkonte…
Dyshimet për këtë diçka që nuk shkonte, në dëshmitë e drejtoreshës nxitoi ti mbulonte zv. ministri i Ministrisë së Ç’kulturës të Republikës së Shqipërisë, theksoj, e njëjta ministri që mbyll sytë përpara shkatërrimit të historisë dhe kulturës shqiptare në qytetin e Durrësit, e njëjta ministri që projekton kthimin e kështjellave shqiptare në diskoteka dhe restorante, etj, etj, etj…
Me një ton të qetë (ndërkohë që duhej të bërtiste, të ulërinte, të shkulte flokët nga marazi) zv. ministri i ç’kulturës të shtetit shqiptar, pyetjes së gazetarëve nëse ishin djegur dokumente me vlerë, i përgjigjet prerë, “absolutisht jo!”, dhe i qetëson shqiptarët duke i rrëfyer se,“ishin djegur vetëm disa libra të periudhës ruse…”.
Me pak fjalë, “mos u shqetësoni o shqiptarë, për ca libra të periudhës ruse. Madje duhet të na falënderoni që i vumë flakën!”
Çfarë është djegur?
Vetëm, Çehovi, Pushkini, Gogoli, Tolstoi, Gorki në gjuhën origjinale!
Hiç gjë!
Pa e vrarë mendjen se përse librat e periudhës ruse, pra të viteve 50 – 60 të shekullit të shkuar, gjendeshin në të njëjtat rafte ku ndodheshin edhe ato të viteve 2000, siç kishte para pohuar drejtoresha, zv. ministri (me sa duket, ministresha e ç’kulturës kombëtare nuk e kishte quajtur të denjë për lartësinë e saj intelektuale dhe politike të shqetësohej për ca libra të djegur), i zbulon më tej shqiptarëve shkakun që Biblioteka Kombëtare kishte marrë flakë. Arsyen se përse, Kombi Shqiptar kishte rrezikuar të humbiste njëherë e përgjithnjë të gjithë kujtesën e tij të shkruar!
Fajtor ishte sistemi elektrik!
Pra…
Me qetësinë më të madhe zv. ministri i ministrisë së ç’kulturës të shtetit shqiptar (shqiptar?) pohonte se kujtesa e shkruar e kombit shqiptar ishte rrezikuar të zhdukej, për disa dhjetëra metra tel elektrik dhe disa duzina llamba neoni që plotësonin standardet e sigurisë BE. Që shteti shqiptar (shqiptar?) dhe ministria e ç’kulturës ku ai kryente, apo më saktë, merrte rrogën si zv. ministër, e kishte quajtur të panevojshme të harxhonte paret për këto dhjetëra metra tel dhe disa duzina llamba neoni, ndërkohë që harxhonte miliarda për “bunker art” dhe art bunkerësh apo për ngrehina shëmtake prej betoni si “veliera” famëkeqe e kryebashkiakut të Durrësit.
Vallë, çdo ti themi nesër pasardhësve tanë?
Kujtesën e shkruar kombëtare ja u dogjëm, sepse nuk kishim pare për të blerë tela dhe llamba neoni por, në këmbim, po ju lejmë bunker artin dhe velierën?
Cili është dëmi që i është shkaktuar kujtesës së shkruar të Kombit Shqiptar nga djegia e Bibliotekës Kombëtare?
Drejtoresha buzagaze na përgjigjet se, edhe nëse janë djegur vetëm ca libra të viteve 1990 – 2000, ose, 2000 –2010, ose, 1950 –1960, ose, të gjitha bashkë, të mos kemi merak sepse, një grup ekspertësh do të vlerësoj dëmin dhe do të na e thotë…
Një grup ekspertësh?
Kush do ti përzgjedhë këta “ekspertë”?
E njëjta ministri e ç’kulturës që zgjodhi drejtoreshën?
E njëjta ministri e ç’kulturës që lejoi që biblioteka të digjej, sepse në vend që të blinte disa qindra metra tel dhe dhjetëra llamba neoni për vendin e shenjtë ku ruhet kujtesa kombëtare e kombit tonë, vendosi të harxhonte miliarda për bunker art dhe art bunkerësh?
A mundemi ti besojmë ekspertëve të përzgjedhur nga një ministri e këtillë?
Së fundmi, Mirela Kumbaro, ministresha e Ministrisë së Ç’Kulturës vendosi të zbriste nga lartësitë olimpike të llumit ku e ka zhytur kulturën shqiptare, dhe në një deklaratë të titulluar; “Le t’i vëmë pikat mbi i!”, i shpreh falënderimet e saj të përzemërta drejtoreshës gaztore të Bibliotekës Kombëtare për punën e palodhur në shërbim të librave dhe…
Nuk vë asnjë “pikë mbi i” për arsyet që rrezikuan zhdukjen e kujtesës së shkruar të kombit shqiptar!
Në një shtet normal, e vetmja “pikë mbi i” që mund të vendosej përballë një ngjarje të tillë e çnderuara ministre e Ministrisë e Ç’Kulturës të shtetit shqiptar (shqiptar?), do të ishte ostracizmi, ndëshkimi me të cilin athinasit antikë dënonin tradhtarët e kombit.
Dënimi juaj dhe i drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare me largim të përjetshëm nga trojet ku jetojnë shqiptarët!
Për sa i përket dëmeve në Bibliotekën Kombëtare, përtej dëmit shkaktuar nga flakët, atij të shkaktuara nga uji i përdorur për të shuar flakët, pamjet e fotografive dhe filmimeve nga brendësia e Bibliotekës Kombëtare, dëshmonin se, djegia e Bibliotekës Kombëtare nuk kishte zënë fill në 15 mars por shumë vite më parë.
Ngado shihje dengje librash të shtrënguar me spango, të grisur e të mykur dhe përpara kësaj pamje, nuk mund të mos rënkoje, “Të shkretët ne! Në duart e kujt e kemi lënë librin, pasurinë më të madhe që zotëron një komb? Edhe armiku më i madh i Shqipërisë, sado të përpiqej, nuk do të mund të na bënte një gjëmë më të madhe se kaq!
Por, fatkeqësisht, gjëma e shkatërrimit sistematik të historisë dhe kulturës kombëtare, për shqiptarët e fillim shekullit të XXI, është kthyer në një normalitet. Shqiptarët dëgjojnë sesi kujtesa e tyre kombëtare vlen për shtetin shqiptar më pak se disa dhjetëra metra tel dhe, nuk bëjnë zë…
Dëgjojnë sesi, kryebashkiak telebanë si ai i Durrësit, mendon se vota i jep të drejtën të zhbëjë historinë e kombëtare dhe, rishtazi nuk bëjnë zë…
Heshtin!
Njësoj si delet në pritje të kasapit…
Të pafuqishëm për të zgjuar mendjet e përgjumura dhe të dhjamosura të shqiptarëve të fillim shekullit të XXI, të pafuqishëm për të ndalur zezonën që po gëlltit çdo gjurmë të historisë tonë, nuk na ngelet gjë tjetër veç të shpresojmë se mallkimi i librave në të cilin besonin bashkëkohësit e Çezarit të jetë i vërtetë.

03. 18. 2017.

Për shkrime të tjera vizitoni; https://kulebujar.wordpress.com/

[the_ad id=”4118″]

Komento rreth shkrimit