Get a site

Mburoja e “Aleksandërit të Madh” në Apoloni?

Mburoja-e-aleksandrit

Historia e një mburoje zbuluar në Apoloni / E ndarë në 8153 copë, u deshën 760 rrugë për konservimin e saj për më shumë se 20 vjet falë një pasioni këmbëngulës
Kush ka qenë mbajtësi i saj dhe a mund të lidhet me Aleksandrin e Madh. Dihet se Aleksandri i Madh thërriste në fushatat luftarake të gjithë shtetasit e vet. Në këtë rast, edhe apoloniatët. Që poseduesi i kësaj mburoje ka qenë në fushatat e Aleksandrit vështirë se mund të kundërshtohet. Armatimi i gjetur në varr, sidomos i shpatës, jep edhe më shumë argumente bindëse. Këllëfi i shpatës kishte elemente kockore, tipike të Lindjes. Por, ka edhe dëshmi të tjera.

Kush ka qenë mbajtësi i saj dhe a mund të lidhet me Aleksandrin e Madh. Dihet se Aleksandri i Madh thërriste në fushatat luftarake të gjithë shtetasit e vet. Në këtë rast, edhe apoloniatët. Që poseduesi i kësaj mburoje ka qenë në fushatat e Aleksandrit vështirë se mund të kundërshtohet. Armatimi i gjetur në varr, sidomos i shpatës, jep edhe më shumë argumente bindëse. Këllëfi i shpatës kishte elemente kockore, tipike të Lindjes. Por, ka edhe dëshmi të tjera.

Frederik Stamati
Viti 1983 i dhuroi Apolonisë një pasuri të rrallë arkeologjike: në tumat e fshatit Kryegjat, arkeologu Vangjel Dimo zbuloi një varr që ngriti mendjen e të gjithë specialistëve të fushës. Në varr ndodhej një mburojë prej bronzi, e mbi të skeleti i shtrirë anash i të zotit të saj. Objekte të tjerë, të rrallë për nga forma dhe dekoracionet interesante gjendeshin përgjatë mbeturinave kockore të trupit të dikurshëm: një përkrenare e paparë, po prej bronzi, një shpatë hekuri së bashku me gjurmët e këllëfit të zhdukur, katër enë prodhim vendas në qeramikë, sandale prej metali, thika, kruajtëse, etj., etj., dhe gozhdët me të cilat ishin mbërthyer fort dërrasat e qivurit të madh. Thuajse të gjithë arkeologët e antikitetit shkuan nga dita në ditë për të parë zbulimin e rrallë. Kuriozitetin më të madh e krijonte mburoja, forma e shkatërruar e së cilës lindte diskutime jo pa hamendësi.    Unë shkova kur mburoja ishte nxjerrë nga toka, ishte transportuar dhe mbahej në ruajtje të sigurt në magazinat e muzeut. Ah, e sigurt! Një pjesë e saj, rreth një e treta, në mos më shumë, ishte shembur së bashku me dheun nën të, duke u kthyer në thërrmija të vërteta! Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se edhe pjesa tjetër e saj, ajo që kishte shpëtuar nga shembja nuk ishte më mirë: vetëm një mori thërrmijash dhe diku më shumë, por të organizuara në një rrafsh, ku nuk merrej vesh thuajse asgjë. Tetëmijë e njëqind e pesëdhjetë e tre copa!
Që në njohjen e parë lindi e vërteta për vështirësinë e ringritjes së saj. Konsultat pa fund nuk jepnin zgjidhje. Një rebus? Nuk është asgjë! Isha si mbi det, ku lëkundesha nga tallazet e mendimeve të ndryshme. Jo me orë, as me ditë dhe as me javë, por me muaj të tërë kam qëndruar mbi copat e mburojës për të gjetur lidhjet midis tyre dhe zhvillimin e motiveve zbukuruese, tashmë të prishura. Vëzhgoja gjithçka në stereomikroskop. Mundohesha të kapja edhe shenjën më të vogël që do të orientonte lidhjet. Pashë të gjithë relievet me mburoja dhe të gjitha statujat luftarake në muzetë e Shqipërisë për të kuptuar të kaluarën e panjohur nga ne. Sot, kur e shikon të restauruar, është e lehtë të flasësh, por nuk duhet harruar se ajo ka njëzet vjet punë dërmuese të trupëzuar në vetvete.
Thanë që ta restauronin diku jashtë, si për më mirë, por askush nuk e mori përsipër. I mbeti laboratorit tonë. Përpunova dhe eksperimentova shtatëqind e gjashtëdhjetë rrugë dhe nga ato përzgjodha atë që do ta çonte punën deri në fund, duke dhënë garanci absolute. Absolutisht asnjë mëdyshje për ta “parë më konkretisht kur të vinte momenti”, gjithçka e parapërcaktuar dhe ashtu u veprua pa asnjë problem deri në fund. E kam tepër të vështirë të paraqes në një shkrim gazete punën e kryer. Fotot dhe skicat që shoqërojnë botimin do të na ndihmojnë në shtjellimin e temës. E shoh të domosdoshme edhe paraqitjen në skicë të prerjes tërthore. Është në shtatë nivele: 1-meduza, prej bronzi, 2-fleta metalike e sipërme, po prej bronzi, 3- material i zi lidhës dhe mbushës, 4-dru, 5-përsëri material lidhës, 6-lëkurë, 7-elemente bronzi, që shërbenin për ta mbajtur si dhe gjatë ecjes. Diametri: 72 cm. Trashësia në qendër rreth 2,5 cm, anash rreth 4 mm. Lartësia e kubaturës nga plani 11-13 cm. Gjëja e parë dhe mbi të gjitha ishte përfytyrimi i saj në lashtësi. Këtu nuk po i jepnim “kon”. U konsultova disa herë në Gjermani, në Hungari dhe në Greqi.
Materiali i zi lidhës dhe mbushës u analizua në Institutin Mbretëror të Pasurive Artistike Kombëtare në Bruksel, institut me famë botërore dhe rezultoi të ishte një masë bituminoze me vaj gjysmë të thatë, ku ishte shtuar edhe rrëshirë pishe. Po në këtë institut u kontrollua nëse ka qenë e lyer me ndonjë bojë lëkura dhe rezultoi që jo. E bëmë këtë kontroll, sepse në literaturë thuhet se herë-herë lëkura në pjesën e prapme të mburojës lyhej me bojë të kuqe. Në rastin tonë nuk u gjet asnjë element kimik, që të përdorej në lashtësi në formë komponimesh, e që jep ngjyrë të kuqe. Veçse në ka qenë e ngjyer me të kuqen e purpurit! Ajo kur shpërbëhet nuk lë asgjë për ta identifikuar. Kështu na mbetet që të pranojmë faktin. Lëkura e përdorur ka qenë lëkurë nga bagëtitë e trasha dhe pikërisht lëkurë kau. Në Universite Paris-Sud, në laboratorin e hidrologjisë izotopike dhe në laboratorin e datimeve me karbon 14 në Saklei, si dhe në Institutin e Fizikës Bërthamore në Tiranë u përcaktua mosha. Po, është e periudhës së Aleksandrit të Madh! Dhe këtu na u ngrit mendja!     Mburoja është e tipit maqedonas. Të gjithë ata që mendojnë se është ilire, gabohen. Gabohen sepse forma dhe ndërtimi janë krejtësisht të mburojës maqedonase të shekullit të katërt para Krishtit. Vërtet që rrathët koncentrikë i gjejmë edhe në monedha ilire, por ky huazim nuk është pasaportë për të kaluar kufijtë e kulturave. Në mes të mburojës është koka e Meduzës. Mitologjia e shpjegon në një formë shumë tërheqëse. Perseu, mbasi ia preu kokën, e futi në një thes dhe ia dhuroi Athinasë, e cila e vendosi në qendër të mburojës së saj. Dhe kudo që ta shohësh Athinanë me mburojë, gjithmonë do të dallosh kokën e Meduzës në qendër të mburojës. Me sa duket Athinaja e bëri këtë meqë koka e Meduzës kishte vetinë që të kthente në gur çdo njeri që do ta shikonte. Aleksandri i Madh ishte shumë i dhënë pas këtij miti dhe dha urdhër që të gjitha mburojat në ushtrinë e tij, të kishin në qendër të tyre kokën e Meduzës. E meqë jemi te Medusa, po merremi pak edhe me Meduzën e mburojës sonë. Ajo është realizuar në një fletë metalike dhe kapej me pesë gozhda në bazamentin nën të. Motivet janë punuar me dalta tepër të holla dhe të vogla, 2 mm të trasha. Ja, këto dalta i kanë kaluar nëpër vraga për të krijuar flokët në formë gjarpërinjsh, vetullat, etj. Si nuk kanë përtuar! Gjuha ka qenë e ngjitur me kallaj. Sytë e bardhë janë prej guri gëlqeror në formën e cilindrave të hollë, që ngjiteshin me kushedi se çfarë në pjesën metalike. Zakonisht përdornin dyllë bimorë. Edhe Meduza erdhi copë në laborator, por në foto është pas përfundimit të punimeve. Fleta e sipërme e mburojës është një e vetme dhe e shtrirë me rrahje. Mirëpo një studim në laboratorët e “Strukturës së materies” në Fakultetin e Shkencave Natyrore na detyron të biem në mendime. Në qendër ka një brimë. Aty ajo ka pas qenë mbërthyer përkohësisht gjatë punës në negativin e formës të saj. Ky negativ duhet të ketë qenë prej materiali jo shumë të fortë. Nga mbrapa është gërvishtur e gjithë skema e zbukurimit. Pastaj zbukurimi është realizuar me rrahje, duke i dhënë profilin e ullukut. Në shtatë vende, metali është çarë. U gjetën shtatë arna të ngjitura me kallaj. Dekoracioni është nga ata që gjinden rëndom në lashtësi: rrathë koncentrikë dhe themtha. Për organizimin e dekoracionit kanë pas përdorur koeficientin tre. Ashtu punonin në lashtësi, me koeficientë të një munuri të përzgjedhur. Po ta shikoni me kujdes do të vëreni se gjithçka është tre, ose shumëfishi. Tre rrathë koncentrikë, gjashtë grupe gjithsej, tre themtha, (themthat janë ato si gjysmë sfera), madje edhe hapja këndore në themtha dhe në rrathët koncentrikë është 120 gradë. Pra, dekoracionet janë në reliev. Kjo do të thotë që mburoja nuk është luftarake. Ato luftaraket nuk janë me reliev, sepse do t’u jepnin më shumë mundësi shigjetave. Luftaraket ishin të lëmuara, në mënyrë që të rrëshqisnin shigjetat. Dekoracionet i pikturonin me bojë të kuqe. Dhe vërtet kërkuam, por nuk gjetëm asnjë shenjë ku mund të ishte ngulur ndonjë shigjetë. Rezulton që mburoja të jetë ceremoniale. Ai që e ka pasur këtë mburojë ka qenë një njeri i rëndësishëm në Apoloni! Dhe kjo na e fut më tepër mendjen në labirintet e kuriozitetit. Por këtë çështje do ta shtjellojmë në fund. Dy kanë qenë format e mburojave maqedonase në atë kohë: me buzë dhe pa buzë. Kjo e jona është pa buzë. Gjatë marshimit ato me buzë vareshin në sup, këto të tjerat kishin nga mbrapa rripin me lëkurë ku futej krahu dhe një spango paksa të lëvizshme që kapej në grusht, e tërhiqej për ta tendosur. Spangoja kalonte nëpër tetë udhëzues, katër prej të cilëve në rastin tonë kanë në palmeta tipin e zbukurimeve më të arrira në atë shekull. Njëra u gjet e thyer dhe me mungesa. Nuk u gjet edhe njëri nga të katërt udhëzuesit e tjerë në formë rrethi. Kishte rënë kushedi se kur dhe ishte zëvendësuar me një të një lloji tjetër, por jo të panjohur në ato kohëra. Kuptohet se një mburojë nuk mund ta bënte një njeri i vetëm, sepse duheshin disa mjeshtëri. Ato prodhoheshin në punishte të specializuara dhe kjo është edhe një nga arsyet përse elemente të ndryshme janë të njësuar. Pjesa më e qëndrueshme e mburojës ishte ajo e brendshme, prej druri, ku montoheshin të gjithë elementet e tjera përbërëse të saj. Nuk e gjetëm, ishte zhdukur gjatë kohës së qëndrimit në tokë. Me këtë pjesë fillonte puna. Në anën e prapme ngjitej lëkura me materialin e zi bituminoz. Pastaj mbërtheheshin me gozhda elementet udhëzuese për spangon dhe rripi prej lëkure ku futej krahu. Në qendër ka pasur gjithmonë një kuti prej argjendi, në të cilën futej ndonjë lutje për luftëtarin. Pra, ishte si punë hajmalie. Kjo pjesë nuk është gjetur, veçse në fletën prej metali duken gjurmët e ngjitjes me kallaj të një kutie katrore me brinjë rreth 5 cm. Pastaj i vinte radha montimit të fletës së sipërme. Edhe ajo pozicionohej me ndihmën e masës bituminoze, që luante edhe rolin e mbushësit për ulluqet e dekoracioneve, që ata të mos shtypeshin. Kjo fletë mbërthehej anash me 98 gozhda prej bakri, të gjitha të përthyera në të njëjtin drejtim. Së fundmi buza e mburojës qarkohej me një fashetë bronzi në formën e germës U, që e lidhte përfundimisht. Tani, mbasi e përshkruam, po themi edhe disa pak fjalë për punën që mori vite të tëra, e që u shtri në periudhën kohore nga 1983, e deri në 2011, por jo pa ndërprerje. Realisht mori pak më tepër se njëzet!     Restaurimi i saj ishte një shartim i idesë dhe faktit. Edhe e kundërta: fakti drejt idesë. Është e vështirë t’i ndash. Për njëzet vjet ata kryqëzoheshin me njëri-tjetrin në një rrjetë imagjinatash. Idetë qëndrojnë në ajër. Vite të tëra imazhi i saj qëndronte përpara syve, në hapësirë, në një lëvizje të papërcaktuar. Luhatje në mendime dhe imazhe! Dhe këto duhej të thëthiteshin nga rrëmuja e materialit, ose materiali të gjente vend në ide dhe imazh. Ka qenë e vështirë, tepër e vështirë! Kushedi se sa herë kjo lojë e papërcaktuar u përzje edhe me mjekun e urgjencës nga rritja e tensionit… Ndoshta, pa shumë filozofi, mund të themi se me kohë u formua një si forcë centripetale që bashkoi imagjinatën me faktin. Aty filloi edhe puna konkrete, që zgjati aq shumë.     Gjithçka u pastrua nga papastërtitë dhe mineralet e korrozionit deri në atë sipërfaqe ku këto produkte korrozioni formonin atë që quhet patinë fisnike, një shtresë minerale sa më pranë asaj origjinale. Është si të thuash një harmoni midis ruajtjes dhe prishjes, midis asaj që ka mbetur dhe tendencës së transformimit natyror drejt niveleve më të ulëta energjetike. Sot, të gjithë muzetë e botës e kanë kthyer në postulate këtë ekuilibër të brishtë. Ai nuk mund të mbahet vetë, do ta detyrosh. Do ta detyrosh nëpërmjet reaksioneve kimike dhe pasivizimit të transformimeve. Nuk është e lehtë, jo vetëm nga rrethanat që krijohen si rrjedhojë e “plakjes” në tokë. Kimikatet që përdoren për këtë punë janë helme dhe njëkohësisht kancerogjene. Do mendosh jo vetëm për objektin, por edhe për kokën. Të tilla ndërhyrje janë bërë në këtë mburojë. Vitet e kaluara gjatë qëndrimit në laborator dhe fakti që nuk u shfaq asnjë problem qëndrueshmërie vërtetuan se qëllimi ishte arritur. Mirëpo çështja nuk mbyllet me kaq. Do të duhet të mendosh edhe për personelin e muzeut që do ta marrë nëpër duar dhe për vizitorët. Edhe këto janë marrë parasysh. Qëndron më ndryshe puna e pasivizimit të disa reaksioneve kimike. Transformimet në tokë janë të tilla që krijojnë disa lloje mineralesh të qëndrueshëm në vetvete, por që kthehen në pluhur kur lagështia në mjedis është e lartë. Kësaj pune nuk ka se çfarë t’i bëjë laboratori, ajo krijohet në vitrinë, apo në sallat e muzeut nëpërmjet ushqyerjes me ajër të kondicionuar, me kondicionerë jo nga ata që përdoren nëpër shtëpi, por profesionalë. Por puna është se muzetë e Shqipërisë janë të papajisur me teknologjinë e përshtatshme, kështu që rreziku i riprishjes mbetet “mbas derës”.

 

U ndërtua një bazament sektori sferik (po i bie shkurt, sepse ai ishte mjaft i komplikuar), mbi të cilin u “transferua me rregull” e gjithë moria e çrregullsisë së fragmenteve. Aty, për vite të tëra, mburoja u formua në pozitivin e saj, që ka formën e saçit. Pastaj erdhi momenti më emocional, kur u shkëput me ngritje nga bazamenti. Mrekulli! E plotë, pa asnjë dëmtim! Që njëzetë e ca vjet më parë ishte parashikuar ky çast kaq delikat! Kishim dëshirë që në vend të drurit të munguar të formonim një strukturë të njëjtë në formë, por që të ishte e tejdukshme, në mënyrë që të jepte një strukturë hapësinore, ku të dallohej qartë ajo çfarë kishte mbetur dhe mënyra se si ishte ndërtuar mburoja. Por sado që kërkuam nëpër Europë një material të tillë plastik, fillimisht të lëngshëm, e që pastaj të ngurtësohej, nuk e gjetëm dot. Kështu që u detyruam të përdornim rezinë poliester, në të cilën u trupëzuan shtresa prej tekstili xhami. Në këtë moment futa në masën akoma të paforcuar të materialit plastik një pllakë prej bakri, në të cilën kam shkruar me gërvishtje me dorën time një mesazh për restauruesit e vitit 2311, si dhe një foto. Mora të gjitha masat që ato të qëndrojnë të paprishura gjatë tre shekujve të ardhshëm. Kështu, pllaka prej bakri është amalgamuar me zhivë dhe pastaj është veshur me një shtresë argjendi dhe mbi të një shtresë ari. Që të mos lidhet me rrëshirën sintetike e dyllosa me dyllë mikrokristalin në të nxehtë. Edhe fotoja gjithashtu. Gjatë punës u mendua edhe për ndonjë ndërhyrje të papritur. Për këtë arsye, të gjithë elementet e mburojës nuk u lidhën pazgjidhshmërisht me rrëshirën: ata mund të çmontohen lehtësisht. Më në fund u bë edhe integrimi në ngjyrë i masës plastike, e cila e lënë në një nivel paksa më të ulët, dallon realen nga e shtuara. Mbetej edhe tri ditë punë, gjithsej edhe tri ditë nga njëzet e ca vjet! Do të përurohej Muzeu i Apolonisë. U thashë të gjithë atyre që merreshin me përgatitjet që të mos e merrnin mburojën: ajo le të ekspozohej më vonë. Një ditë të shtunë e morën fshehurazi dhe e çuan në Apoloni, ku qëndron e ekspozuar si saç televizori në një vitrinë krejtësisht të papërshtatshme dhe jashtë projektit konservues, të llogaritur që në fillim.   Më kot kërkova nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve që ta kthente disa ditë në Tiranë mburojën, aq sa për të mbyllur punimet. Ndërsa ministria pyeste ata që nuk kanë punuar kurrë me të nëse kanë përfunduar apo jo punimet! Sidoqoftë mburoja i bëri ndonja dy xhiro andej nga Italia dhe Kosova… Mirë, tani le të kthehemi te dy pyetjet më kurioze: kush ka qenë mbajtësi i saj dhe nëse mund të lidhet me Aleksandrin e Madh. Dihet që Aleksandri i Madh thërriste në fushatat luftarake të gjithë shtetasit e vet. Në këtë rast edhe apoloniatët. Që poseduesi i kësaj mburoje ka qenë në fushatat e Aleksandrit vështirë se mund të kundërshtohet. Armatimi i gjetur në varr, sidomos i shpatës, jep edhe më shumë argumente bindëse. Këllëfi i shpatës kishte elemente kockore tipike të Lindjes. Por ka edhe dëshmi të tjera. Fatkeqësisht, shumë objekte të këtij varri, u vodhën në vitin 1992 dhe sot nuk i “thërrasim” dot në diskutim. (Shpeshherë kam menduar me keqardhje se pse nuk i mora në laborator të gjithë ato objekte që përbënin inventarin e varrit). Do të thoni se nga Lindja mund t’i ketë sjellë dhe tregtia? Po, por është e vështirë të grumbullohen në një varr të gjithë ato lloj armësh që përbënin arsenalin e luftëtarit të asaj kohe dhe që mund të kenë prejardhje nga tokat përtej kufijve të Maqedonisë së atëhershme. Vite më parë, kur ndodhesha për një specializim në Muzeun Numizmatik të Athinës, drejtori i atij muzeu, që ishte veçanërisht i interesuar për objektet metalike që u gjetën nga ushtarët dhe zboristët në atë varrin e pasur pranë Belshit, më tregoi disa botime të ilustruara me foto, ku pashë forma krejtësisht të njëjta me ato të objekteve të Belshit, që i pata restauruar dikur. Ai më shpjegoi se enët metalike që shihja në foto ishin nga Lindja dhe se Aleksandri i Madh i lejonte ushtarët e tij që të përvetësonin të gjithë plaçkën e gjetur në qytetet e pushtuara dhe kur nuk kishte aq plaçkë për të grabitur, ai u jepte si shpërblim ushtarëve materiale nga thesari i tij.

 

Armatimi i gjetur në varrin “e mburojës” është armatimi bazë, por gjithsesi jo i plotë i ushtarit të falangave. Kallçitë për shembull mungojnë. Pse? Nuk e themi dot. Pra i varrosuri nuk ka qenë hoplit, por falangist. Me falangat e Aleksandrit të Madh duhet të ketë luftuar ai! Fantazinë dhe gjykimin na e shtyn më tej mburoja. Ajo, siç edhe e thamë më lart, është ceremoniale dhe jo luftarake. A mund ta konsiderojmë në mënyrë figurative si gradë, apo shpërblim? Pra ky ka qenë një njeri i rëndësishëm, ndoshta një prijës që ka komanduar ushtarët apoloniatë. Në mbyllje po themi se ishte edhe i pasur. Veç të tjerave këtë e dëshmojnë sandalet metalike, që mund t’i mbanin vetëm të pasurit. Lëre pastaj objektet e tjera aq të rralla dhe cilësore! Ky është objekti më i vështirë që është restauruar, apo më mirë, konservuar, ndonjëherë në Shqipëri. Një punë e shtrirë në më shumë se njëzet vjet! Më tepër se dhjetë milionë lekë, nëse do të bazoheshim në koston e së sotmes! A ia vlejti e gjitha kjo? Mburojën sot e ka jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota! Po mua, çfarë më mbeti nga i gjithë ky stërmundim? Mua? Asgjë!
[the_ad id=”4118″]

Komento rreth shkrimit