Get a site

NËNA ME KARROCË

zymer-mehani

NËNA ME KARROCË

Shkruan Shefki PËRVETICA

Deri sa po qëndroja ulur në veturë, të parkuar para një ordinance private, në periferi të Prishtinës, kundroja qytetin si në pëllëmbë të dorës.
Ditë e premte e mesit të dhjetorit.
Nuk mund ta fshihje ngazëllimin nga ajo pamje panoramike e kryeqytetit të Kosovës; ndërtesa të reja, tipesh të ndryshme, që ta këndja t’i shikoje me sy. E mua, udhëtarit, mendimet më çonin gjithkah nëpër periudha të ndryshme, jo aq të largëta.
Shumë pyetje më silleshin ndërmend, por shumicës prej tyre nuk ishte vështirë t’ua gjesh përgjigjen.
Prishtina, qyteti ynë i zbrazur! Zogjtë e qiellit të saj kishin marrë shtegtimin drejt vendeve të Evropës së qytetëruar.
Na kujtohet të gjithëve se Prishtina gjatë viteve ’80 të shekullit XX ishte qendër e vlimeve dhe e ngjarjeve me peshë për të ardhmën e kombit tonë.
E shkrimi im mund të jetë një dromcë e kohës jo aq e këndshme për shoqërinë tonë kosovare.
Ashtu i thelluar në kujtimet nga e kaluara jo fort e largët, mendimet vërtiteshin mbi retë e ngjarjeve të ndryshme historike, e duke soditur panoramën magjepsëse të qytetit tonë, një pamje tejet emocionuese seç m’i preu si me teh shpate mendimet. Një personazh i gjallë u shfaq para syve të mi, të cilin, ashtu siç e pash, nuk do të dëshiroja ta shihja kurrë në jetë.
Ngela i shtanguar, tamam si mumje memece, pa nxjerrë asnjë fjalë prej goje.
Një nënë e lodhur me gjysmë shpirti të dërrmuar, por të dëlirë si i çdo nëne shqiptare, u ndal m’u para veturës sime bashkë me karrocën, të stërmbushur me hekurishte , të cilën e shtynte me mundim. S’do mend se kjo nënë, nga pamja dukej tejet e lodhur e mezi mbushej frymë prej peshës së rëndë. Unë u emocionova aq shumë dhe s’e di se si u përmbajta, ngase në fytyrën e saj, sikur pash sytë e nënës sime! Shumë pyetje m’u sollën ndërmend në ato çaste. Por, vallë, kujt t’ia drejtosh këto pyetje?! Prej kujt të kërkosh përgjigje?!!! E me vete thashë në heshtje:- ku është ndërgjegjja e kësaj shoqërie??? Çfarë e ka shtyrë këtë krijesë njerëzore që të kryejë një punë kaq të rëndë, madje edhe për ne meshkujt muskulozë? E përgjigje i dhashë vetes:-mbijetesa!!!
Fillova të rendis pyetje të pafund e nga më të ndryshmet, por në adresë të kujt t’i drejtoja!?
Po, kush meriton respekt më të madh se nëna?! Nëna, është krijesa më e shenjtë në faqe të dheut që sa herë që e thërrasim këtë emër shpirti e zemra na shkrihen të tërat. Lumë si ai, i cili ka fatin ta thërrasë këtë emër të shenjtë!
Lokja pranë veturës sime po pushonte për t ‘i ripërtërirë forcat dhe për ta marrur veten, sepse rrugën sigurisht e kishte ende të gjatë për ta përballuar barrën e rëndë të karrocës. E unë, si me gjysmë zëri thashë;
-Pusho, o nënë e mirë! Ku është shpërblimi që ta ka dhënë kjo shoqëri, ky pushtet?!!!
Jam mëse i bindur se kjo nënë punëtore nuk është e pashoqe, nuk është e vetme me një fat të tillë! Po, gjithkah nëpër Kosovën e pasluftës mund t’i takosh shoqet e kësaj nëne me vuajtje dhe telashe të njëjta. E klasa jonë politike, sikur nuk është fare e interesuar të dijë për hallet e një shtrese të popullatës sonë. Raportet më qytetarët kjo klasë politike i vendos, vetëm atëherë kur i duhet vota.
Për shumëkë, edhe pas kaq vjetësh nga përfundimi i luftës, hallet për të mbijetuar ende po vazhdojnë. Kthetrat e mjerimit po dalin të jenë shumë të ashpra edhe në Kosovën e Lirë!!!
Këto mendime të miat dhe kundrimin ndaj kësaj nëne me karrocë, për ca çaste i ndërpreu kumbimi i zërit nga minaretë, që të dukej sikur po çante dhe kupën e qiellit. E mbase hoxha edhe kështu ndoshta don t’i hyjë në hatër të Madhit Zot, apo mbase….?!!!
As kambana e kishës nuk e la mangut me gjëmimin e saj.
Ky bashkëdyzim zërash sikur më ktheu prapa në kohën migjeniane të Shkodrës së viteve ’30.
E mes dy kohësh, ja kontrasti: Rrugicat e Shkodrës së Migjenit i shkelnin pajtonët e agallarëve dhe beglerëve, që ia ripnin shpirtin shtresës së varfër, madje edhe për një kokërr misër, e në Prishtinë tonë të pasluftës, rrugët e saj i shkelin veturat luksoze të zyrtarëve mendjemëdhenj, që t’i verbojnë edhe sytë me shkëlqimin e tyre, por me shkëlqim të zi, tamam si të korbit!
Derisa unë po bëja krahasime të tilla epokash të ndryshme, nëna e urtë e hallemadhe, ishte ulur pranë një furre buke. E shikova dhe me vete thashë
-Ngije shpirtin bukë, moj nënë, se ky shtet e pushtet nuk mund të krenohet se të ka dalë hakut, e as kafshatën e bukës jo se jo!!! Dëshmi e fuqishme për këtë që mendoj, është gjendja jote, moj nënë, dhe e shumë nënave të tjera, që kombit i dhanë edhe djemtë e vajzat e veta e sot, me shumë vështirësi janë duke i rritur nipër e mbesa, që ua lanë amanet bijtë dëshmorë, të rënë në altarin e atdheut.
Muzgu i mbrëmjes vetëm sa kishte nisur të mbretëronte në qytetin tonë, e nëna dhe unë vazhduam rrugëtimin, secili në drejtimin e vet. Nëna e stërlodhur, ndërsa unë- i stërlënduar në zemër dhe në shpirt!
Këtë material e postoi Prof. Zymer Mehani

 

[the_ad id=”6025″]

 

[the_ad id=”4118″]

Komento rreth shkrimit