Get a site

Pazare për hetim: Delimitimi detar me Greqinë dhe demarkacioni me Malin e Zi

Lisen Bashkurti

Shqiperiajone/ Lisen Bashkurti

Fare pak kohë më parë u bë me dije nga mediat më prestigjioze të Kosovës që Kryetari i Komisionit Shtetëror për demarkacionin, specialisti i kadastrave Meha posedonte në xhirollogarinë bankare 508 mijë euro. Kjo indicie, përsëri sipas burimeve të mediave kosovare serioze, duket të jetë bërë indicie provë për hetime nga ana e Prokurorisë së Kosovës.

Ndërsa sot, serish mediat kryesore në Kosovë bëjnë me dije se prof. Tomorr Çela, që është shpalosur publikisht në mbrojtje të variantit aktual të demarkacionit, është shpërblyer nga Kryeministri i Kosoves me një tender që kap shumën prej gjysmë milion euro. Mendoj se edhe ky njoftim mediatik publik mund të shërbejë si indicie prove për hapjen e procedurës së hetimeve për Tomorr Çelën.

Mbas këtyre dy rasteve, të bera me dije nga mediat krijohet perceptimi publik se Kryeministri i Kosovës, Mustafa po blen me paratë e takspaguesve, specialistë për të shitur trojet e vete këtyre takspaguesve.

Edhe në këtë rast indicia mediatike e për korrupsion është objekt për Prokurorinë e Kosovës që të hetojë prof. Tomorr Çelën. Për të dy rastet e lartpërmendura fijet analitike të shpien te zyra e Kryeministrit Mustafa, i cili krijon perceptimin opinional se po blenë me financa publike ekspertë në mbrojtje të draft- marrëveshjes së demarkacionit.

Nëse prokuroria i provon këto dy raste atëherë dy ekspertët dhe vetë Kryeministri Mustafa mund të përballen me veprat penale më të rënda të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës: korrupsion të niveleve të larta dhe tradhëti të interesave shteterore.

Këto ditë, gjithashtu u bënë publike ndërkombëtarisht pazarlleqe në rastin e marrëveshjes së delimitimit të kufirit detar Shqipëri-Greqi. Kabllogramet Wikileaks-it, dëshmojnë se prapa manovrave për devijime detare në favor të Greqisë qëndrojnë pazare shumë të rrezikshme te grupeve apo individëve të lartë, funksionarë e firmëtarë të kohës.

Te dy rastet, delimitimi i kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe demarkacioni territorial midis Kosovës dhe Malit të Zi ngjasin si dy pika uji. Atyre u vjen era pazare të rënda. Në këto pazare rrezikshmëria qendron te përdorimi i korrupsionit për të shitur dete e territore së bashku me vlerat dhe pasuritë që ato bartin në vetvete.

Shqetësimi publik shqiptar është ngritur si kurrë më parë. Opinioni publik mbarë kombëtar si dhe i miliona shqiptarëve kudo në botë presin veprime konkrete nga organet përkatëse të drejtësisë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë për të nisur procedimet penale bazuar në dispozitat kushtetuese dhe kodet penale të shteteve shqiptare.

Korrupsioni dhe tradhëtia i shërbejnë njëri-tjetrit. Ato ngjajnë si dy pika uji. Por ujë i zi dhe helmatosës.

[the_ad id=”4118″]

Komento rreth shkrimit