Get a site

PËRJETIM I PËRSËRITUR -DUKURIA DEJA-VU

dejavu

Shkruan Sabir KRASNIQI

Misteri i fenomenit Deja-vu nuk qëndron në natyrën e saj enigmatike, por në natyrën  enigmatike të vet qenies njeri. Njeriu, siç e dimë edhe shkencërisht, është qenie me aftësi të kufizuara. Pra ai nuk është një specie e përkryer, edhe pse ne kemi dëshirë të mendojmë ashtu. Ai përkufizohet vetëm nga pesë shqisat e tij, dhe përmes tyre e percepton realitetin që e rrethon. Pra, bota që na rrethon nuk është e përkufizura, por të kufizuara jemi vet ne.
           

 

Të relaksuar bisedoni dhe çlodheni me një mikun tuaj në një kafene të qytetit bregdetar ku ju keni shkuar për pushime. Mbi tavolinë ndjeni aromën e kafes së porositur. Dhe, për një moment, juve ju përshkon një ndjenjë e çuditshme dhe ju duket sikur keni qenë edhe një herë këtu. Pikërisht në këtë karrige, në këtë tavolinë dhe po e njëjta aromë  e kafes! Bile, juve ju kujtohet edhe fluturimi i një mize pranë filxhanit… përjetim i përsëritur! Por, kur kishte ndodhur kjo? A është kjo vallë  e mundur? Ju ndodheni për herë të parë në atë vend…

Kjo ndjenjë konfuze e një situate të panjohur por të përjetuar më parë, nuk është diç e pazakontë. Me siguri se shumica prej nesh e ka përjetuar, së paku një herë, këtë ndjenjë të çuditshme. Dhe, kjo dukuri e pazakontë, ky fenomen psikologjik, është emërtuar si Deja-vu, që  rrjedh nga frëngjishtja, e që do të thotë “një herë e parë (përjetuar) ose tashmë e parë (përjetuar)”. Anketat e ndryshme, në shumë vende të botës, kanë vërtetuar se dikur rreth 70% e njerëzve e kanë përjetuar fenomenin Deja-vu. Një studim i bërë në Universitetin Halle-Wittenberg  të Gjermanisë shkon edhe më lart. Ai rezultoi se 90% e pjesëmarrësve e kishin përjetuar, së paku një herë, një situatë të tillë. Edhe në forumet shqiptare (virituale), ku diskutohej për fenomenin Deja-vu, shumica e diskutuesve e pranojnë se kishin përjetuar efektin e Deja-vu-s. Ja disa nga postimet e diskutuesve:

A. – “Ndjenja e Deja-vu-s , nuk të ndodh veç një herë, por shpesh herë. Personalisht e kam shpesh ketë ndjenje, dhe për çudi, disi truri im, sikur përkujton se një bisede apo një veprim po ndodh për te dytën herë!”

L. – “…shpesh me ndodh. Ja p.sh. një situate që është kah ndodh momentalisht, me duket se ka ndodhur edhe më parë. Gjithçka është plotësisht e njëjte… gjithçka e përjetoj si për herë të dytë! Gjithashtu e di se cila është fjala tjetër. P.sh. që ka për t’ma thënë personi…  Shumë interesant …shumë mister.”

K. – “Mua personalisht më ndodh shpesh një gjë e tillë. Kur jam në ndonjë situate në jetën e përditshme (pa marr parasysh çfarë situate) më ndodh që të mendoj se kjo situate ka ndodhur  edhe më parë, para disa kohesh.”

E. – “Edhe mua më ka ndodhur shumë herë. Çka me duket interesant është se gati çdo herë ka qenë një situatë e parëndësishme…”

M. – “Nuk mendoj se vuaj nga ky fenomen, se është diç që më ndodh rrallë, ama ngel në kujtesën time…”

A. – “Mua kur më ka ndodhur, disa herë kam menduar se ka të ngjarë që unë kam qenë më herët në ketë bote, por në një trup tjetër, e tash kur më ripërsëriten ato gjëra me duket se po i dijë të gjitha, por jo në ketë trup që jam tash….”

M. – “Kjo edhe mua më ndodhe shumë herë por zgjatë vetëm 2-3 sekonda. E di se çka ndodh në atë moment ….dhe më duket që e kam përjetuar atë situatë më pare.”

Edhe për këtë dukuri, sikurse edhe për shumë dukuri të tjera, kanë shfaqur interesim shumë koka të mëdha  njerëzish që nga lashtësia.  Përjetimet e tilla i përshkruan para më se dy shekujsh edhe i shenjti Augustin, e të cilat i krahason me “kujtesën e falsifikuar”. Fenomenin Deja-vu, flitet se e ka përjetuar edhe Napoleon Bonaparta. Derisa e vështronte ushtrinë e armikut, i ishte parafytyruar beteja e cila do të pasonte pak qaste më vonë. Bile supozohet se edhe vet dukuria Deja-vu, e ka burimin nga ajo kohë.  S. Frojdi e ndërlidh dukurin e Deja-vu-s me mendimet dhe imagjinatën tona, të ndrydhura, për ndonjë arsye, diku thellë në ndërdijen tonë  ose me sekuenca të harrura nga ëndrrat tona të shumta, të cilat në situata të reja krijojnë ndjenjën e Deja-vu-s. Edhe J. W. Gete, në një nga librat e tij e përshkruan një përjetim që i përngjanë shumë fenomenit Deja-vu. Në librin “Sajimi dhe e vërteta”, ai e përshkruan një situatë, kur si i ri, duke kalaruar me kalë nëpër natyrë, e sheh për një moment vetveten, gjithashtu duke kalaruar në një kalë tjetër, por nga drejtimi i kundër. Aty dukej më i moshuar dhe i veshur me rroba tjera. Disa vite më pas, ai kalëron rastësisht po nëpër të njëjtin vend dhe i kujtohet plotësisht përjetimi i mëhershëm dhe vëren se vërtet ai bartte po ato rroba të cilat i ishin parafytyruar atëherë.  Këtë dukuri nuk ka mundur ta tejkaloj as Holivudi, për të cilën edhe ka realizuar një film me të njëjtin emër “Deja-vu – gara kundër kohës”, ku rolin kryesor e interpreton artisti i mirënjohur Denzel Washington.

 

            Në fakt ç’është Deja-vu?

Njëri ndër profesorët e psikologjisë nga Universiteti i Dallasit, që u mor posaçërisht me dukurin Deja-vu, është Alan Brown. Ai kishte mbledhur studime të shumta nga kolegët e tij shkencëtar, në lidhje me këtë fenomen, dhe i kishte studiuar me vite të tëra.  Rezultatet e tij ishin deprimuese: aq shumë mendime kishte, po aq sa edhe shkencëtar!

Megjithatë, të gjitha këto mendime (supozime) nga hulumtimet dhe eksperimentet e bëra, shkencëtarët i ndajnë në dy grupe. Disa mendojnë se fenomeni Deja-vu është çrregullim psikologjik i një “lidhje të shkurtër” në tru, ose thënë ndryshe, një mini-sulm në tru, dhe si pasojë e atyre çrregullimeve, halucinacionet e reflektuara, pranohen si realitet  faktik. Ndërsa të tjerët mendojnë se këtu kemi të bëjmë me përjetime të mëhershme, të memorizuara diku thellë në ndërdije, të cilat në momente të caktuara, i perceptojmë si Deja-vu, pra, nga eksperienca dhe ngjashmëria e tyre, krijojmë bindjen se një situatë të tillë e kemi përjetuar edhe më parë.

Sipas përkrahësve të teorisë së parë (anomalisë mentale), ku fenomen paraqitet, pasi një devijim i përcaktuar në tru, shkakton spontanisht ndjenjën e njohjes.  Normalisht kjo ndodhë  në laprat e tëmthit të trurit, në qendrën e vetëdijshme të kujtesës, ku  Hippocampusi, rregullon sipas një strukture të veçantë, për secilin perceptim shqisore përshtypjen e të njohurës ose të panjohurës. Nëse kjo përshtypje  është e njohur, neuronet flakën në një pjesë tjetër të laprave të tëmthit, tek parahippocampalis Gyrus, ku edhe  shkaktohet ndjenjën e njohjes. Tek fenomeni i Deja-vu-s, flakën neuronet në parahippocampalis Gyrus, pa u përcaktuar më parë si perceptime faktike. Pra, truri na mashtron dhe tek ne paraqitet  ndjenja e njohjes, e bindjes së përjetimit të situatës edhe më parë. Një anomali e tillë mund të shkaktohet nga faktor të ndryshëm si: lodhja, medikamentet etj., por më shpesh nga ndonjë avari që pason gjatë proceseve metabolike në tru.

 

Argumente për këtë teori paraqesin pacientët që vuajnë nga epilepsia, ku vatër e sulmeve janë laprat e tëmthit. Ata edhe përjetojë jashtëzakonisht shpesh fenomenin Deja-vu. P. sh. kemi rastin e Klaus Gecke-s nga Berlini, të cilit, gjatë mënjanimit të një tumori në tru, i lëndohen këto qendra të kujtesës, dhe dy muaj më pas, ai fillon të përjetoj diç të çuditshme: “Në rrugë dhe gjetiu kisha ndjenjën se secilin njeri po e njoh!”- shprehej ai më pas. Në kokën e tij, pas operimit, ishte zhvilluar epilepsia. Neurologët besojnë se janë në gjendje që në çdo kohë të provokojnë ndjenjën e Deja-vu-s. Nëse parahippocampalis Gyrus ngacmohet me sinjale elektrike, sipas tyre, provokohet ndjenja e njohjes, të cilën e dëshmojnë pacientët e eksperimentuar.

Mirëpo, edhe përkrahësit e teorisë tjetër kanë argumentet e tyre.

Ata mendojnë se gjithçka që na duket si e njohur, ne veç e kemi parë ose përjetuar diç të ngjashme, ndoshta vite e vite më parë, por me kohë është “harruar” diku në depon e kujtesës. Në fakt, gjatë procesit jetësor ne u nënshtrohemi vazhdimisht veprimit të numrit jashtëzakonisht të madh të ngacmimeve. Pra, ne pranojmë shumë më shumë përshtypje se sa në të vërtet mendojmë. Mirëpo ne perceptojmë dhe zgjedhim vetëm një pjesë të vogël të tyre, ato që i konsiderojmë si më të rëndësishme dhe nevojshme për mirëqenien tonë. Pra, truri vendos se cilat informacione meritojnë vëmendjen dhe cilat mospërfilljen tonë dhe ato informacione  i memorizon në forma të ndryshme. Një përshtypje nga ambienti i jashtëm, qarkullon në forma të ndryshme nëpër procesin përpunues të trurit dhe tek në hierarkinë më të lartë qendrore të tij, këto pjesë informacionesh krijojnë imazhin e plotë. Mendohet se dukuria Deja-vu paraqitet kur ndonjë nga këto informacione arrin pak me vonesë në hierarkinë qendrore. Pra, arrin deri tek qendrat e kujtesës, derisa informacionet e tjerat veç kanë kaluar në vetëdije. Kjo ngecje e informacioneve krijon përshtypjen se situata pasuese për ne është tashmë e njohur.

Ekzistojnë edhe shumë teori tjera rreth fenomenit Deja-vu.  Spanjolli Hoze. L. Pinios, mendon se paraqitja e Deja-vu-s shfaqet si pasoj e një moskordinimit mes receptorëve  dhe efektorëve. Derisa njeriu përmes shqisave pranon perceptimet nga bota e jashtme, dëgjon, sheh, ndjenë etj. dhe këto informacione i memorizonë në ndërdije, mendja e tij ndodhet krejt diku tjetër. Dhe kur këto dy procese koordinohen, pra kur vetëdija  bëhet e vetëdijshme për situatën, paraqitet fenomeni Deja-vu. Tani njeriu e përjeton situatën, që e ka ndjerë pak sekonda ose milisekonda më parë, edhe emocionalisht.

Mirëpo ka edhe shkencëtarë të tjerë që mendojnë se fenomeni Deja-vu është i lidhur me çrregullimet e rënda shpirtërore siç është epilepsia, skizofrenia, anksioziteti etj. dhe këto dukuri shfaqen gjatë fazave sulmuese tek të sëmurit.

[the_ad id=”4118″]

Komento rreth shkrimit