Get a site
HISTORI

SHQIPTARËT – TOKA DHE BANORËT

14788691498144shqiptaret-toka-dhe-banoret

SHQIPTARËT – TOKA DHE BANORËT

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

(Shkëputur nga libri “SH Q I P T A R Ë T” të George Fred Williams, Tiranë – Shtypshkronja “Dielli” – 1934 )

Tokë e Shiqipërisë lemë të hedh sytë e mij,
Mbi ty, O nanë e mjerë e njerëzve primitivë.
– Bajroni tek “Udhëtimi i Çajlld Heroldit”

“Bah! Shikoni këto barbarë!” ka thirrur çdo tiran që ka shtyrë në fatkeqësi viktimën e vet, kur më në fund e ka pa të pamundshme me e bërë skllav. Ngjarja e dhimshme e Shqipërisë nuk i është treguar popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo ka qenë zhdukur në vendin e vet të Bajronit dhe të shteteve të mëdha, të cilët kanë vendosur të zhdukin nga faqja e dheut këtë popull heroik. Në sallat e errta të diplomacisë Europiane për shekuj me radhë ka qenë mbyllur e munduar fati i Shqipërisë. Edhe tani, me lot ndër sy dhe krejt e dobësuar nga robërija dhe padrejtësia e shekujve, ajo po nxjerr përpara duart thatanike për të kërkuar drejtësi dhe liri; por akoma më kot. Po, shpërblimi i mëkateve është vdekja dhe kujdesi i drejtë i Perëndisë nxjerr përpara faktin se gjendja e keqe e sotme e Europës rrjedh drejtpërsëdrejti po nga ajo politikë që e përdori për Shqipërinë. Megjithëse ka shumë për të thënë, dal përpara ta them unë këtë ndodhi, të përshkruaj tokën, origjinën, gjuhën, zakonet dhe historinë e këtij populli, intrigat e Europës për ta mbajte këtë popull skllav të Turqisë, mundimet dhe kërkesat e drejta të tij për liri dhe pavarësi, dhe më në fund se si Amerika mund ta ndihmojë duke i prirë këtij populli në të drejtat e veta.
Toka e Shqiptarëve
Valona ishte një pjesë e vogël e kësaj toke prej së cilës ata që shkelën Shqipërinë krijuan emrin Albania në shekullin XI. Emri i vërtetë i kësaj toke është Shqipëri dhe i popullit Shqiptar që domethënë toka dhe bijt e Shqipes. Shqipëria, në mes të Malit të Zi dhe të Austrisë kah Veriu, le Serbinë kah Lindja dhe Greqinë kah Jugu, dhe shtrihet 390km përgjate bregut Lindor të Adriatikut. Ajo është shumë afër bregut Italian ku qytetet dhe portet prej Brindisi deri në Venedik duket sikur duan me thënë se janë kryenaltë me përparimin dhe lumturinë e tyre përpara anës tjetër të shkretë të detit të fqinjës së vet. Si në Jug ashtu edhe në Veri të Shqipërisë ka porte të bukur dhe liqenj të mëdhenj e të mrekullueshëm. Buza e Drinit dhe liqeni i Shkodrës, të cilët janë tani pothuaj të pavozitshëm, duhet që nëpërmjet tyre t’u zhvillonte një tregti e madhe e përgjithme. Katër porte të tjerë përgjatë bregut Shqiptar janë pa mole dhe pa farë përmirësimi. Lumenjt janë të mbushur e të pavozitshëm, ndërsa pyje të mëdhenj po kalben në balta e moçale. Fusha të mëdha e pjellore shërbejnë vetëm si një kullote e dobët për tufat e dhenve të një race shumë të dobët; i vetmi plug është parmenda e drunjtë e Romës së lashtë. Minierat e punuara prej Romakëve dhe Venecianëve janë zhdukur nga pamja dhe s’dihet fare ku janë. Përveç rrugës Egnatia, një tregues i pushtimit Romak, s’ka rrugë dhe fuqi të mëdha ujrash shkojnë kot, sepse s’ka asnjë central elektrik. Nuk ka bankë dhe ka shumë pak të holla; nuk ka një zyrë postare të vendit veç atyre të të huajve. Ka shumë pak gazeta dhe libra; shumë rrallë lëviz ndonjë lloj maqine dhe madje s’ka as qeveri të vendit.
Ministri i Punëve të Jashtme të Italise, i shquari San Xhuljano, bëri një përshkrim se si mbërriti nga bregu i detit deri në Shkoder, qyteti kryesor, hypur mbi kalë, nëpër fusha, moçale, ferrishte e baltra, mbi një rrugë të verbët, ndërsa gjatë rrugës së tij në njërin krah kalonte i bukuri lumë pengues dhe i pavozitshem, i cili me pak shpenzime mund të bëhet që të kalojnë nëpër të prej qytetit deri në det vaporë prej më se tre mijë tonelatash. E pamundur! Në zemër të Europës të ndodhet një shkretirë kësi soji, por qe një fakt. Në të vërtetë kjo rrjedh nga se ky vend ka mundësira përparimi më të mëdha se çdo shtet tjeter i Ballkanit por që Europa e ka pa të arësyeshme me e bërë këtë vend të mjerë e të shkretë. Ky vend zë pozitën gjeografike më të mire në Europe; ai është çelsi i tregtisë së Ballkanit dhe porta e kalimit për në Lindje. Me gjithë këtë, sot nuk ka asnjë udhë hekuri që t’i përshkojë Ballkanet prej Adriatiku në atë mënyrë që kjo të jetë një vijim i linjës Austriake.
Faksimili i origjinalit të librit“Shqiptarët“
Kur Princ Vidi dhe përfaqësuesit e gjashtë fuqive të mëdha e bënë Durrësin kryeqytet të Mbretërisë, ata sot zunë një vend të keq, një katund të qelbët, porse Durrësin nën emrin Epidamus siç quhej në kohët e vjetra Ciceroni dy mije vjet përpara e përshkroi si një vend të bukur, të madh e të lulëzuar. Në atë kohë ishte një qendër e madhe tregtie, por sot sikurse edhe fqinji i tij Tivari në Veri, qëndrojnë si njëmendore e mëkatit të shkatërrimit turk. Në tokën e Epirit ku sot 600’000 frymë rrojnë mjerisht, nën Pax Romana rronin 4’000’000 në lumturi. Do të shohim më vonë se jo natyra por arti i zi e zbriti këtë vend nga lumturia e hershme në gjendjen e dhimshme e të mjeruar të sotme. Kjo u qeth e u shkurtua në traktatin e Berlinit, në ndarjen e Ballkanit dhe në marrëveshjen e Londrës, saqë askush s’mund të dije sot sipërfaqen dhe popullsinë e saj. Mund të jetë e madhe sa shtetet Konektikat dhe Masaçuset bashkë dhe popullata mund të çmohet nga 500’000 në 1’500’000, por mesatarisht mund të jetë 750’000 shpirt. Shkodra ka 40’000 banorë dhe me pak përjashtime ky vend përbëhet prej katundesh.

 

[the_ad id=”6025″]

 

[the_ad id=”4118″]

About Author

Komento rreth shkrimit