Get a site

Si e spiunuan Grekët Naim Frashërin te Sulltani, botoi historinë e Skëndërbeut

Naim_frasheri

Grekët u nxituen me i a raportuem fill e për pê Sulltanit. Dhe kishin ç’i raportojshin! Se ajo s’ishte as historí, por nji libello  qi shfrente kundra Tyrqet vënerin e katërqind vjete të nji populli të pushtuem ashtu siç e ndiente, jo vetë ai popull, por auktori. Prûna vetëm nji shembull, por në letërsinë jugore, të botueme përjashta, ke sa të duesh edhe tjerë qi tregojnë se ç’synojshin intelektualët shqiptarë, se ku dojshin me dalë nëpër shkollat kombtare në gjuhë shqipe. Sikur shkrimi shqip, letërsija shqipe të kishte pasë nisun e vazhduem me vepra si Lahuta e Malcisë në të cilën shqiptarët gjithkund luftojnë “për mbret e troje të veta” e “të bardhën fé”, kush mundet me thânë se na nuk do të kishim pasun shkollat t’ona në gjuhën t’onë, librat t’anë e gazetat t’ona, jo vetëm lirisht, por edhe të nxitun e të subvencjonuem prej shtetit othoman? Vênu ti në thronin e Abdylit e gjyko në se ka faj, sidomos tue marrë para sŷsh se ndërsa shkrimet e Neim Frashërit me shokë ka pasun plot kush me t’i raportuem e me komentime të rafinueme, e ato të kokave të randa si Fishta me shokë jo. Un në të ritë t’em i kam kënduem me enthusjazëm e tue derdhun lot veprat e Neimit. Por sot i gjykoj historikisht. Pra këndej del edhe qi të drejtën duhet jo vetëm t’a keshë ndiem, kuptuem e çëmuem, por edhe të dijsh me e përdorë. Tjerë të huej, veç Greket, un s’besoj qi kanë bâmë intriga kundra gjuhës s’onë. Por besoj se do të ketë pasun Shqiptarë të poshtër, këta po, qi kanë menduem vetëm për interesat personale qi mund të biershin e mâ fort ato qi do të fitojshin tue trathtuem kombin e vet. Kush ka qênë? X-i e Y-i et. a në dash thuej dreqi e i biri!

“… i cannoni e i fucili tuonano.. eç.” i referohet sigurisht kryengritjes së Kosovës. “Malinteso” këtu âsht fjala për nji shprehje diplomatike, besoj un.

Un s’besoj se ka pasun nji komitet shqiptar Kombi: gazetë me kët’ emën po, por komitet jo. Ndoshta nji patrijot a nji grusht ksish kanë mujtun me përdorë nji emën të këtilë për të impresjonuem ke ka qênë nevoja. Âsht nji systemë revolucjonare të pafuqishmish qi e kam përdorë edhe vetë në 1910.

Unë e kam besuem gjithmonë se ndër Shqiptarë instinkti racjal ka qênë mâ i fortë se ndiesija fetare, por jo “interesa kombtare”, të cilën ata s’e kuptojnë as sod. Këtu s’po shkoj mâ gjatë, se besoj se ndryshimi ndërmjet dý shprehsivet kuptohet lehtë.

Lidhja e Prizrenit dhe kundërshtarët

Shkupi, nën sûndimin othoman, ka mujtun me arsye me u quejtun qytet shqiptar. Posë qi afërsinat e tij kanë qênë me shumicë shqiptare, kujtoj se i tilë ka qênë edhe vetë. Influenca shqiptare ka qênë sigurisht mâ e fortë në Shkup se ajo e çdo elementi tjetër.

Ça i përket Ahmet-Muhtar Pashës do të ketë ndodhun kundra Lidhjes së Prizrendit (1878-1881). Me ato të dhâna qi gjêj në letrën t’ânde, un kështu mund t’a zgjidh atë problemë algjebrike.

Merqez = qêndër, kryevênd, kryeqytet, selí etj, simbas rasës.

“Nel Kazá di Luroshetc” do t’i afrohet mjaft së vërtetës.

Për Janinën un nuk dij kurrgjâ të sigurtë, madje nuk dij veçse çança qi vijshin rrotull aso kohe e që ishin në gojë të gjithë kundrështare të Ismail-Kemalit. Dij qi ky ka dekun pa ovull në xhep e qi në Vlonë pranë tij kanë qênë Luigj Gurakuqi, D. Nikoll Kaçorri e sa patrijotë tjerë të panjollë.

Mbas dokumentit qi po më thue, duhet të kenë qênë ndoshta edhe të krishtênë me Esatin në Shkodër, sado pak e ushtarë (luftarë) apo civila. Un me fakte nuk dij gjâ. Rândsij’e kushtit t’Esadit âsht kjo, qi në Shkodër po hŷnte Mali i Zi e, pa atë kusht, të krishtênët qi kishin qênë në shërbim të tij do të pësojshin dame e ndëshkime.

Përgjegjet i mbarova shi ku duhet e për tjera s’po kap nji copë letër tjetër mâ, por mirë se të flasim nji tjetër herë kur të më keshë shkrue ti, e tu mirë qofsh.

M.Kruja

[the_ad id=”4118″]

Komento rreth shkrimit