Get a site

Sulltan Mehmeti Gjergj Kastriotit: Më lejo të pushtojë Europën. Ja si i përgjigjet Skënderbeu

Sulltan Mehmeti Gjergj Kastriotit: Më lejo të pushtojë Europën. Ja si i përgjigjet Skënderbeu
skenderbeu
Në librin e autorit francez, Camille Paganel, me titullin “Histoire de Scanderbeg ou Turks et Chrétiens au XV siècle”, të vitit 1855

Në librin e autorit francez, Camille Paganel, me titullin “Histoire de Scanderbeg ou Turks et Chrétiens au XV siècle”, të vitit 1855, gjejmë një letërkëmbim diplomatik ndërmjet sulltan Mehmetit dhe heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit.

Sulltani, në pamundësi të mposhtë “vëllain” e tij, ashtu siç i thur lajka në letër, i propozon disa kushte në këmbim të paqes.

Gjergj Kastrioti, me zgjuarsi dhe kurajo, duke mos dyshuar aspak në dinakërinë e Mehmetit, i kthen atij përgjigjen e merituar, madje duke e trajtuar atë si princ dhe jo si sulltan dhe emir.

Letrat, të përkthyera më poshtë në gjuhën shqipe, gjenden në faqet 302 – 305 të librit, i shkruajtur në gjuhën frënge.

sulltan mehmetiLetra e Sulltan Mehmetit, 6 maj 1461:

“Unë, Sovrani i madh, Emiri i madh, Sulltan Mehmet Beu, i biri i Sovranit dhe Emirit të madh, Sulltan Murat Beu-t, për Skënderbeun, princin e Shqiptarëve dhe të Epiriotëve, përshëndetje.

I shtrenjtë Skënderbe, nuk njoh miqësi më të përzemërt se sa ajo e intimitetit (familjaritetit) të gjatë ; sidomos kur ajo lind që në rini, si në rastin tonë, atëherë kur ti mbaheshe peng tek babai im, dhe kur të dy jetonim bashkë vëllazërisht.

Kështu, kur mendoj për gëzimet e ëmbla të fëmijërisë sonë, kur kujtoj shkelqësinë e shërbimeve tuaja, gjithçka që ti ke bërë për lavdinë e Pallatit Osman, për madhështinë e Perandorisë sonë, të të pres dhe të dëshmoj këtë mirënjohje më duket një detyrë e domosdoshme.

Asgjë nuk mund të më sjellë më shumë kënaqësi, marr Zotin për dëshmitar, se sa të ritakoj më në fund, për të kaluar ca kohë në praninë tënde.

Nëse disa prej trupave të mia i kanë lejuar vetes të pushtojnë tokat tuaja duke shkaktuar përleshje, i abdikoj ato ; ato kanë vepruar pa urdhërin tim, dhe fitoret tuaja, ndëshkim i drejtë ndaj guximit të tyre, nuk më kanë inatosur.

Le ti harrojmë këto dhe të kthehemi në marrëdhëniet tona të vjetra, ku një bashkim i shenjtë dhe paqësor na pajton përgjithmonë.

Pra, ja se cilat mund të jenë bazat e aleancës sonë, po ti paraqes, duke e ditur fare mirë se nuk i përket aspak atij që kërkon paqen të vendosë kushtet.

Së pari, unë kërkoj lejekalim në tokat tuaja për trupat e mia, që të shkojnë për të luftuar venedikasit ; së dyti, që ti të më japësh si peng, Gjonin, djalin tënd, i cili do të trajtohet si djali im ; së treti dhe së fundmi, që popujt tanë të tregtojnë lirisht mes tyre.

Në qoftë se ti pranon, eja të më takosh në sigurinë më të plotë : pritja do të jetë dinjitoze e rangut tuaj. Po, mbi besën dhe fjalën e sovranit, do të mbaj besnikërisht me ty një paqe të pacënueshme ; tashmë vendi yt nuk do të shqetësohet as nga armët e mia as nga dikush tjetër.

Për më shumë, në qoftë se ke pyetje apo dyshime për të sqaruar, mund ti drejtohesh me besimin më të plotë, Mustafait, të dërguarit tim.

Letër e shkruar në qytetin tonë perandorak të Konstandinopojës, më 6 maj të vitit 1461, vit sipas lindjes së Jezu Krishtit.”

Letra e Gjergj Kastriotit, 1 Qershor 1461:

“Gjergj Kastrioti, i thirrur Skënderbe, princ i Epiriotëve dhe i Shqiptarëve, ushtar i Jezu Krishtit, për Mehmetin, sovranin e Turqve, përshëndetje.

Princ i dalluar, ne e kemi marrë letrën ku dallohen përshtypjet e miqësisë tënde. Të ndarë prej shumë kohësh nga njëri – tjetri, kjo miqësi reciproke, e thënë nga ti, ishte si e përgjumur, dhe ti dëshiron ta zgjosh atë nëpërmjet një aleance intime (të ngushtë).

E pranoj propozimin tënd me kënaqësi, por jo të gjitha kushtet.

Kështu, aleat dhe mik i venedikasve, nuk mundem, pa shkelur mbi betimin dhe dinjitetin tim, të të jap lejekalim për t’i sulmuar.

Përsa i përket dhënies peng të djalit tim, për ta pasur atë si nyje të një lidhje të re mes nesh, zemra e një babai dhe një nëne nuk mund të përballojë një sakrificë të tillë. Është fëmija i vetëm që Zoti na ka dhuruar, dhe është akoma i mitur ! Përveç kësaj, do t’i shkaktohej një dëm i pariparueshëm nëse nuk rritet me zakonet dhe fenë e vendit të tij.

Tani, mbetet çështja në lidhje me tregtinë e lirë mes dy vendeve ; këtë, i gjithë Këshilli im dhe unë, ne e mbështesim plotësisht, sepse të dy kombet gjejnë një përfitim të barabartë.

Ti më fton për vizitë, me besimin më të plotë, për të përforcuar mes palëve një miqësi prej kohësh në vuajtje : falenderime princ i shkëlqyer për mirësinë tënde. Fatkeqësisht për mua, ky udhëtim në Konstandinopojë, i cili më sjell ndër mend shumë kujtime, nuk është i mundur nga që përkujdesem për qeverinë time ; sepse po të vij, nuk mund të drejtoj si duhet këtë komb krenar shqiptar po aq të zjarrtë dhe të pathyeshëm, sa dhe të padurueshëm për pushim (paqe).

Por këtë vizitë e shtyjmë për një herë tjetër, do të mundohem kur të jetë e mundur.

Nga ana jonë, 1 qershor 1461.”

13988688_10210236309413707_1564854312_n

*Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat-Albania

[the_ad id=”6025″]

 

[the_ad id=”4118″]

E rrallë/ Fjala e Skënderbeut para princave para vdekjes

E rrallë/ Fjala e Skënderbeut para princave para vdekjes

skenderbeu

Aurenc Bebja, Francë – 03 / 08 / 2016

Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannovich, me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J.J.Kesler, Frankfurt. Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve. Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge. Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti :

“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni. Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj. Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…

Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë. Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtruesë dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtytëve. Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe lluksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj. Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.

Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin. Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.

Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.

Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysëm veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…

Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe rracës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…

Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…

Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të pergjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…

Mos përbuzni askënd; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.

Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhëtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.

Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë. Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhërin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënjen e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.

Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëheqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë

Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhuesë ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht. Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i feshu mbretit pafajsinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqinj. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.

Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…

Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.

Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtas politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka. Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.

…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi. Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.

Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij… Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur. Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit ».

Burimi : Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

[the_ad id=”4118”]

Tezat e panjohura për origjinën e Skënderbeut: Nuk ishte dibran!?

Tezat e panjohura për origjinën e Skënderbeut: Nuk ishte dibran!?

SkënderbeuHistorianët kanë lënë jashtë vëmendjes studimet e Nolit e Athanas Gegës për origjinën e Heroit Kombëtar. Ja lajthitjet e Marin Barletit për origjinën e Skënderbeut…

 

Historianët, që synojnë të zbulojnë të vërtetat e mëdha për ngjarje të rëndësishme e personalitete të mëdhenj, sikur u ngjajnë bletëve punëtore, të cilat e mbledhin nektarin në lule të ndryshme. Ata, duke gërmuar nëpër dokumente e libra të ndryshme, analizojnë e krahasojnë të dhënat që kanë mbledhur, për t’i dhënë opinionit publik të vërtetat e mëdha dhe jo grimca të dhënash, që nuk na japin të tërën që kërkon logjika historike. Por, kjo nuk ka ndodhur kur është folur, veçanërisht, për vendorigjinën e familjes princore të Kastriotëve, sepse disa fakte tepër të rëndësishme për historianin janë lënë në harresë, kurse të tjera janë interpretuar në mënyrë të dyshimtë.

Kështu, kur është folur për vendorigjinën e Kastriotëve, janë lënë jashtë vëmendjes, përveç atyre që u përmenden, shumë të dhëna që sjell Fan Noli në variantin e vitit 1921 të “Historisë së Skënderbeut”, siç janë lënë pa kujtuar edhe shumë parashtrime për vendorigjinën e Kastriotëve të Athanas Gegës, të poetëve Gavril Dara i Riu dhe Risto Siliqi e të rilindasit Zef Jubani. Se nuk mund të kalohet lehtë pohimi i Fan Nolit, sipas të cilit “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”.

Ky pohim do kuptuar thellë, sepse pasqyron një të vërtetë të madhe: Të vërtetën që Mirdita, si djepi i Dukagjinëve legjendarë, rrënjët e të cilëve duken, të paktën, që në shekullin e VII-të të kohës së re, shtrihej si “Dukagjini i vërtetë”, edhe në Has e më tej. Për këtë dëshmon fakti që “banorët e Hasit, edhe sot e kësaj dite, e quajnë veten dukagjinas dhe krahinën e tyre – Dukagjin”.

Lidhur me këtë, nuk mund të anashkalohet edhe gjykimi nolian se “Aemathia e Barletit ka qenë, që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh, se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe, shpesh, tërë Maqedonia”. Këto “lajthitje”, siç e ka konstatuar me kohë Dhimitër Shuteriqi, kanë bërë që jo vetëm Barleti, por dhe historianë të tjerë, t`i atribuojnë Matit ngjarje e personalitete që lidhën me Mirditën. Për këtë mjafton të sjellim vetëm citimin e Atë Giuseppe (Zef) Valentini, i cili shkruante: “Sipas Barletit, projë (mbrojtës ose prijës – shënimi im) e Sfetigradit kanë qenë ndër duar të nji abati të Shën Lleshit në zonën e Matës, i cili ishte prej familjes së zotnive të Përlatit”, ndërkohë që kisha e Shën Lleshit gjendet në Orosh të Mirditës, ashtu si edhe fshati Përlat, i cili nuk shtrihet në rajonin Matit!

Për rrjedhojë, studiuesit seriozë të historisë së Heroit tonë kombëtar i mbetet t`u japë të drejtë historianëve tanë të shquar: Aleks Buda, Selman Riza, Kasem Biçoku, Selami Pulaha e Dhimitër Shuteriqi, të cilët emrin e Gjon Kastriotit e lidhin më shumë me Mirditën dhe jo me Matin e Kastriotin e Dibrës! Dhe, kjo ide përforcohet kur Fan Noli, duke folur për vendorigjinën e Kastriotëve, thotë: “Në Dibër të Poshtme ka një katund të quajtur Kastriot, por nuk dihet a e ka marrë emrin katundi nga Kastriotët, apo Kastriotët nga katundi”. Dhe, a nuk është ky gjykim, në një fare mënyre, një mohim i tezës që i nxjerr Kastriotët me origjinë nga një fshat me të njëjtin emër që shtrihet në rrethin e Dibrës?!

Fan Noli, në variantin e parë të “Historisë së Skënderbeut” të vitit 1921, si pa dashur, sikur kundërshton edhe tezën që i bën Kastriotët me origjinë nga një Kastrat i Hasit. Këtë historiani ynë e bën kur shkruan se “Thaloc dhe Jeriçek (në veprën “Zwei Urkunden aus Nordalbanien” – shënimi im) e quajnë përallë sllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi i tyre… tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri”. Dhe a nuk duhet ta mbajnë parasysh këtë gjykim ata historianë që merren me vendorigjinën e Kastriotëve?! Se fshat me emrin “Kastër” ose “Kastri” në trojet shqiptare ka vetëm në Mirditë!

Tezën që i bën Kastriotët nga një fshat me emrin Kastrat në rrethinat e Hasit, Fan Noli përsëri si pa dashur, e kundërshton kur pohon, si edhe historianë të tjerë, se është vështirë të dalë nga një “Kastrat”, qoftë ky i Hasit, apo i Shkodrës, mbiemri “Kastriot”. Këtë e bën kur shkruan se “Etimologjikisht është shumë e rëndë që të dalë llagapi Kastriot nga një Kastrat”. Dhe, duket se historiani, duke iu referuar logjikës gjuhësore e historike, i bën të mendohen thellë pasardhësit, kur u kujton se “fshatra me emrin Kastri ka sot në Shqipëri, një në Çamëri dhe një në Mirditë, (Kastri-Shënimi im) afër Drinit”.

Duke gjykuar mbi tezat kontradiktore rreth vendorigjinës së familjes princore të Kastriotëve, Fan Noli thotë se “Të gjitha dëshmimet e ndryshme që numëruam sipër, mund t’i përmbledhim e t’i pajtojmë kështu: Kastriotët rrjedhin nga katundi Kastriot i Dibrës, ose nga një fshat i quajtur Kastria, që ndodhej a në Mat a në Mirditë, a në Has a pranë Mazarekut (Mazrekut – shënimi im) a në Kastrat, sidomos në Malësitë afër Drinit”. Dhe, pasi fshat me emrin Kastri – a nuk ka as në Has, as në Kastriot të Dibrës, as në Mat, por vetëm në Vig të Mirditës, i duhet besuar tezës që i nxjerr Kastriotët nga treva e Mirditës etnografike.

Dhe, ai që e thotë me zë të lartë këtë të vërtetë është prifti historian Athans Gega, të cilin Fan Noli e quan njohësin më të mirë të historisë së Gjergj Kastriotit. Ky historian, në veprën e tij “Arbëria, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, hedh dritë mbi vendorigjinën e Kastriotëve duke dëshmuar, së pari, se “Kastriotët zotëronin… territorin e përfshirë në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës e deri në Prizren”, pohim i bërë edhe nga disa historian të tjerë.

Dhe, së dyti, për ta bërë më të qartë mendimin e tij, historiani vazhdon: “Në perëndim shtriheshin pronat e Dukagjinit, që përfshinin fushat e Zadrimës dhe lokalitetin e Fanit”. Dhe, shkon më tej autori, duke i vënë në mendime pasardhësit, kur thekson se “nuk mund të përcaktojmë me saktësi kufinjtë që ndanin pronat e këtyre dy familjeve” (të Kastriotëve dhe të Dukagjinëve – shënimi im).

Të njëjtën ide për fqinjësinë e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve përcjellin edhe gojëdhënat e ndryshme që qarkullojnë në Mirditë në rrjedhën e shekujve. Për këtë etnologu Mark Tirta, sjell një gojëdhënë të mbledhur në fshatin Pëshqesh të Mirditës, në të cilën pohohet se “Mirdita ka shkuar me zotërimet e Skënderbeut, por këtu ka sunduar Lekë Dukagjini (deri në tre bajrakët e Mirditës së fisit)”.

Dhe, kjo ndodhte, siç thoshte gojëdhëna, sepse “Kufijtë midis Dukagjinit e zotërimeve të Skënderbeut nuk ishin të caktuara”. Kësaj ideje i vjen në ndihmë edhe konkluzioni i A. Gegës, i cili pohon qartë: “Kështu arrijmë në përfundimin se Mirdita bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëve. Por, nuk duhet harruar që Fani (njëri nga bajrakët e Mirditës etnografike – shënimi im) u takonte Dukagjinasve”.

Kështu, gjersa “sipas burimeve osmane, Kastriotët ishin pronarë të tokave në mes Shkodrës dhe Lezhës”, siç shkruan Skënder Riza; gjersa, siç pohom historiani Aleks Buda “tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit… përfshinin trevën në jug të lumit Drin: Mirditën e Lumën”; gjersa, siç kumton A. Gega, “sipas një dokumenti venecian të vitit 1439, pronat e Kastriotëve ishin fqinjë me Shkodrën dhe Lezhën”; gjersa, siç thotë Fan Noli, “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti”, atëherë edhe Gjergj Kastrioti, i biri i Gjonit, diku në pronat e babait të tij do ketë lindur më 1405, të cilat duket se i përkasin qartë Mirditës etnografike.

Dhe, duket se kurorën e këtij mendimi ia vë historiania turke Nuray Bozbora, e cila në veprën “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në perandorinë osmane”, na thotë: “Skënderbeu ishte më i vogli i tre djemve (duhej thënë katër – shënimi im) të Gjon Kastriotit, kreu i familjes Kastrioti, që njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”.

Ky pohim përbën një monument, i cili nuk mund të rrëzohet lehtë, sepse studiuesi i epokës skënderbejane e di që krahinat e ndryshme të Shqipërisë e, veçanërisht ato të malësive, princat i kishin vendas. Ato nuk mund t`i “importonin”, siç mund të ndodhë në kohët modern! Për rrjedhojë, nuk mund të mendohet që Gjon Kastrioti të ishte nga Hasi, nga Kastrioti i Dibrës, apo nga Mati dhe të vinte princ në Mirditë! Kjo bëhet më bindëse kur mbajmë parasysh faktin që Gjon Kastrioti ishte kreu i kësaj familje legjendare dhe jo një “Kastriotas” çfarëdo. Këto troje Gjon Kastrioti, qysh në 1407, i quante toka të fisit të vet prej shekujsh, siç dëshmon, indirekt, akademiku Dh. Shuteriqi.

Ndoshta, këto të vërteta i dinte A. Gega, kur në temën e doktoratës, në universitetin e Luvrit, deklaronte: “Mbiemri Kastrioti… që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshatin – shënimi im) e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit (Dibri si bajrak i mëvonshëm i Mirditës – shënimi im) Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”. Të njëjtën tezë duket se mbron edhe Atë Giuseppe Valentini, kur Dibrin, trevën nga Vigu në Kaçinar të Mirditës e quan “tokë të Kastriotëve”. Këto pohime tregojnë se edhe emërtimi “Gjon Dibrani” nuk ka të bëjë me Dibrën buzë Drnit, po me Dibrin që njihet si bajraku i katërt Mirditës.

Dhe, teza e Athanas Gegës, të cilin Fan Noli e quan njohësin më të mirë të historisë së Skënderbeut, si edhe pohimi i Giuseppe Valentinit, duket se i mohojnë prerë tezat mbi origjinën e Kastriotëve nga Hasi i Kukësit, nga Kastrioti i Dibrës, apo nga Mati, të cilat janë përmendur si vendorigjina të mundshme të këtij fisi të lavdishëm ne historinë e Shqipërisë.

Tezës së A. Gegës, i cili e konsideron Kastrin në Vig të Mirditës si vatrën qendrore të Kastriotëve, duket se i vijnë në ndihmë edhe dy fakte: Së pari, një pohim i historianit Mikel Prenushi, i cili duket se zotëron një dokument interesant, sipas të cilit Gjergj Kastrioti, ka vënë kurorë pikërisht në Kastër, afër Vigut; së dyti, fakti që Gjergj Kastrioti u varros në Kishën e Shën-Kollit në Lezhë dhe jo në Has të Kukësit, në Kastriot të Dibrës, apo në Mat, siç ka qenë dhe është në zakonet dhe besimet e katolikëve.

Për historianin e vëmendshëm, ky fakt nuk duket kaluar pa një analizë të hollë të fenomenit, kur dimë se një udhëheqës i përmasave të mëdha, si Gjergj Kastrioti, mund të linte si amanet ta varrosnin edhe në kështjellën e Krujës, por ja që duhet menduar se ai zgjodhi Lezhën, afër Kastrit në Vig të Mirditës si banesën e përjetshme të tij!

Me idenë e dokumentit që duket se zotëron historiani M. Prenushi, sipas të cilit Gjergj Kastrioti ka vënë kurorë në Katër, afër Vigut, sikur bashkohet edhe historian gjerman Markus W. E. Peters. Ky, në veprën “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri” (1919-1996), shkruan: “Kisha gotike e Vaut të Dejës, e vetmja e këtij stili në Shqipëri… ishte kisha në të cilën ishte martuar (kishte vënë kurorë – shënimi im) Heroi kombëtar katolik Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Edhe historiani francez, Alen Dysylje, në një kumtesë mbajtur në Konferencën e Dytë Kombëtare të Studimeve Albanologjike, duket se e dëshmon qartë se vendorigjina e Kastriotëve është Mirdita, kur shkruan: “Midis rrjedhës së poshtme të Matit dhe të Drinit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër”. Kjo duhet besuar kur mbahet parasysh mendimi i rilindasit Preng Doçi, i cili e quan Lezhën si “cepi i Mirditës”.

Dhe, për të shkuar më tej në gjurmim të vendorigjinës së Kastriotëve, ia vlen të përmendet edhe një pohim i historianit të madh francez Zhan Klod Faveirial, i fiksuar në librin “Historia e Shqipërisë”, botim i “Plejard” i vitit 2004. Ky historian, duke rrëfyer për Heroin tone kombëtar dhe duke hequr paralele midis tij e mbretit të epirotëve – Pirros, i cili e kishte pohuar origjinën e tij epirotase, shkruan: “Dikur, epirotët e lashtë e kishin quajtur shqiponjë Pirron, sovranin e tyre. ‘Po, unë jam shqiponjë’, u përgjigj ai, por prej jush jam i tillë! Kjo (do të) ishte pikërisht përgjigja që do t`u jepte Skënderbeu të gjithë shqiptarëve, por mirditorëve në veçanti…”.

Pra, ashtu si Pirroja u tha epirotasve se “prej jush jam i tillë”, për të treguar me krenari për vendorigjinën e tij, po ashtu, siç pohon historiani francez, edhe Skënderbeu do t`u thoshte “mirditorëve, në veçanti”: “Po, unë jam shqiponjë, por prej jush jam i tillë”!

Një argument më tepër në favor të tezës që e konsideron Kastrin si vatrën qendrore të fisit të Kastriotëve dhe si vendlindjen e Gjergj Kastriotit, sikur gjendet edhe në fushën e dialektologjisë. Për këtë flet fakti që mbiemri “Kastrioti” në të folmen e Mirditës shqiptohej gjer vonë në formën “Kastërjoti”, gjë që na zbulon qartë emrin Kastër në trajtën e pashquar, siç shqiptohet, shpesh, edhe në ditët tona nga mirditorët. Forma “Kastërjoti” duket se ka qenë zotëruese në gjithë Shqipërinë e veriut, por mbi të, ndoshta, kanë vënë dorë herë historianët e herë gjuhëtarët. Sidoqoftë, me sa duket, i duhet besuar tezës, sipas të cilës mbiemri Kastrioti vjen nga trajta e shquar e një Kastri, plus prapashtesën-iot, siç ka qenë që herët një traditë e shqipes. Dhe ky Kastër gjëndet vetëm atje ku janë gërmadhat e një kështjelle të vjetër pranë Vigut të Mirditës etnografike!

Mga: Preng Cub Lleshi

[the_ad id=”4118″]

 

Kadare për Skënderbeun

Kadare për Skënderbeun

ismail-kadare

“Gjergj Kastrioti ishte prijësi më i madh i Ballkanit , absolutisht  më i madhi i epokës së vet . Ai ishte i pari që përpunoi me mendje të hekurt, dhe vizion madhështor rrugën e Shqipërisë , nga do të ecte ajo, nga lindja apo perëndimi. Nuk janë të rastit lëvdatat ndaj tij, ai qe themeluesi i idesë shqiptare me tërë ndërlikimin e saj. Prandaj ka marë kaq famë në Evropë ai, nuk e mori për sytë e bukur. Ka më shumë famë se Shqipëria vet. Ai ishte prijësi më i madh i Ballkanit që i dha vendit të tij një orientim drejt Europës deri në fund , sa vdiq. Ai ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve. Testamentin e tij e zgjohu . Ky është një rrugëtim shumë i gjatë. Tani kanë dalë lloj lloj sofistash që thonë, po jo turqit s’kanë qenë aq të kqij. Thuhet, po pse qëndruam ne 500 vjet me ta ? Pesëqind vjet  e patën të gjithë ballakanasit Turqinë në qafë, jo vetëm ne shqiptarët, e patën greku, që mbahet si flamurtar kundër Turqisë, serbët , bullgarët, gjithë Ballkani. Nuk është teori, kjo është e vertetë!

Kanë dalë tani, pale, ca gjoja si shkencëtarë, dhe po ti shikosh dalin studiuar në Turqi, të cilët vijnë me idenë që Shqipëria të kthehet përsëri në zonë turke. Kjo është e turpshme. Shqipëria është europiane, Shqipëria ka qënë europiane dhe, pikë. Shqipëria ka qen shtet tipik europian, ashtu siç ishte me principata feudalesh. Europa ka qenë me principata feudalësh në atë kohë. Se ne kujtojme ajo ka qenë si sot me terë ato shtete të ngritura. Italia ka qenë jo e përçarë, por dhjet herë më e përçarë se Shqipëria. Ajo ka qenë me tërë ato mbretëri që ziheshin dhe përgjakeshin me njëra tjetrën” (I.Kadare , Köln më dhjetor 2010-ën ..intervistë )

Para ca kohe u përhap, jo vetëm djepi por dhe kurora e Serbisë është Kosova, por edhe heroi ynë, Skënderbeu është serb. Doli më vonë nje sulm mbi Skënderbeun. Nga mund të jetë sllav ai? Nëna mund të jetë ose është dhe sdo të thotë asgjë . Feudalet e mëparshëm martoheshin ashtu. Dhe as na turpëron fare ne një gjë e tille. Kjo ska të bëjë fare. Po vete më tutje, edhe babai i Skënderbeut mund të ishte sllav, punë e madhe ! Emri i tyre ishte i lidhur vetëm me Shqipërinë. S ka asnjë rëndësi , vetëm idjotët mund të mbahen pas këtyre tezave. E quan historiani Schmidt , Ivan Kastrioti babanë e Skënderbeut , sepse ka gjetur diku ne dokumenta sërbe. ne e morëm me shumë nxehje k`të gjë . Problemi është, ti thuash , more zotëri sërb a ishte sërb Skenderbeu ?- Po pika të raftë ai të braktisi, s’donte të dëgjonte emrin ty ,ai erdhi e u dashurua me një atdhe tjetër, ta zëmë se, në qoftë se ! Ju jeni turpëruar jo ne.

Familja Gjon Kastrioti , Gjergj Kastrioti, janë të lidhur me Shqipërin në mijëra e miliona dokumenta e pikë. Miti ishte i keq, se në vulgun botëror pi ujë kjo gjë edhe sot. Po ne duhet të dinim të shpjegonim, e jo te druhemi se obobo e bëri një zvicerian, gjerman dhe s’duhet kundërshtuar. Ja thua dhe gjermanit dhe austriakut dhe kujdo. Ç´do të thuash me këtë, le që s´ështe e vërtetë, po përse i jep kaq bujë të madhe ?…(I.Kadare ,Köln , 12.12.2010)

Skënderbeu, siç ndodh me personazhet e mëdhenj, mbështjell rreth vetes gjithçka thelbësore që ka të bëjë me kombin shqiptar. Sot, pas 600 vjetësh, ai mbetet personazhi numër një, më aktual se kurrë, i lidhur drejtpërdrejt me problemin themelor të kohës: rikthimin e Shqipërisë në Europë. Ai është programuesi i parë i këtij projekti. Ka 600 vjet që himnizohet për këtë projekt dhe po aq vite që sulmohet pikërisht për të. Në këtë pikë ai është i pamposhtur dhe do të dilte i pamposhtur, qoftë edhe kundër vetë Shqipërisë, në rast se ajo do ta humbte përkohësisht orientimin, siç i ndodhi gjatë komunizmit. Duke e pranuar Skënderbeun si një personazh të madh të saj, Europa ka pranuar në të vërtetë thelbin shqiptar, atë që rastis të jetë më i fortë se Shqipëria fizike. Nuk ishte as pjellë e ndonjë miti, e as e ndonjë besimi fetar. U gjend në qendër të historisë dhe kjo s’është aspak një metaforë. Ideja e mbrojtjes së Europës nga mësymja osmane ishte ideja e parë e kohës. Shumë popuj u rreshtuan për mbrojtjen e saj: ballkanasit, hungarezët, polonezët, austriakët, por Kastriotit i qëlloi të gjendej pikërisht në rrugën e mësymjes së parë, asaj më të tmerrshmes. Arbëreshët e cilësojnë si “të pafat”, ngaqë nuk arriti dot të tërhiqte plotësisht Europën, për të luftuar në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, ai bëri të pabesueshmen: bashkoi aq sa mundi ushtrinë dhe kështjellat e tij me europianët, sidomos me afrimin e fundit të jetës. Do të mjaftonte vetëm ky akt, në të vërtetë kjo ide, për ta bërë të pavdekshëm. ( I.Kadare, Prishtine , .06.2014 ,për “Zërin e Kosoves ,,)

[the_ad id=”4118″]