Get a site

Atdhetarë që nga Lidhja e Prizrenit

Atdhetarë që nga Lidhja e Prizrenit

LIDHJA-620x481

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u formua pas përfundimit të luftës ruso-turke të viteve 1877-1878. Më 3 mars 1878, Rusia dhe Turqia nënshkruan traktatin e Shën Stefanit, i cili e coptoi keq Turqinë. Kurrë më parë nuk pat ndodhur që një shtet i mundur në luftë të detyrohej të humbte kaq shumë territore. Traktati i Shën Stefanit, që e copëtonte aq shumë Turqinë nuk i pëlqeu Evropës, e cila, për interesa të veta, vendosi të ndërhyjë. Ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, konti Andrasy, deklaroi se Rusia s’ka të drejtë ta imponojë vetë traktatin e paqes. Britania e Madhe me notën qarkore të lordit Salisbury deklaroi më 1 prill se traktati i Shën Stefanit s’ka vlerë praktike dhe se ai cënonte të drejtën ndërkombëtare. Britania e Madhe dhe Austro-Hungaria filluan të armatosen. Nga këto masa Rusia u tremb. Ministri i saj i Punëve të Jashtme Gorçakov, më 9 prill iu përgjigj notës qarkore të lordit Salisbury duke thënë se paqja e Shën Stefanit mund të diskutohej e të kontrollohej nga Fuqitë e Mëdha.

Më 30 maj Britania e Madhe e Rusia u morën vesh duke pranuar propozimin e Austro-Hungarisë për të thirrur një kongres më 13 qershor 1878 në Berlin. Kongresi i Berlinit e copëtoi Shqipërinë në të gjitha krahët. Vendimet e Kongresit të Berlinit i dëshpëruan shumë shqiptarët, të cilët vendosën t’i dalin për zot trojeve të veta. E gjithë Shqipëria iu drejtua Kongresit të Berlinit për padrejtësitë e mëdha që po i bënin kombit shqiptar. Rreziku ishte mbarëkombëtar. Në këto kushte disa atdhetarë shqiptarë organizuan një mbledhje në Gjakovë, lidhën besën dhe vendosën të bëhej një mbledhje mbarëkombëtare më 10 qershor në qytetin e Prizrenit. Stambolli, sapo mori vesh se shqiptarët përgatiteshin për një mbledhje mbarëkombëtare, vendosi ta përkrahë atë. Sulltani thirri disa personalitete të rëndësishme shqiptare, bisedoi gjërësisht me ta dhe u premtoi autonomi nën sovranitetin e vet. Gjithashtu ai urdhëroi komandantët ushtarakë në Shqipëri të mos e pengonin Lidhjen dhe veprimet e saj.

Mehmet efendi Kavaja – Sedja (1837 – 1880)

Meqenëse Kongresi i Berlinit do të hapej më 13 qershor, të gjithë qytetet e Shqipërisë vendosën të dërgojnë përfaqësuesit e vet në Prizren. Kavaja, atëkohë bënte pjesë në Vilajetin e Shkodrës, qe bërë një qytet relativisht i madh dhe i zhvilluar. Më 1838 Kavaja qe bërë qendër rrethi dhe kishte 38.000 banorë, veç tregtisë e zejeve të ndryshme kishte shkolla fillore e të mesme turqishte, 1 shkollë fillore greke dhe ishin bërë disa ndërtime publike. Karvanet e saj që rrihnin rrugët e Shkodrës, Dibrës, Ohrit, Manastirit, Elbasanit e Vlorës, sillnin jo vetëm mallra por edhe informacione për punën që bëhej në qytete të tjera për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Atdheut. Në xhami e kafene, në mjedise familjare e institucione, biseda e ditës ishte Kongresi i Berlinit, copëtimi i Shqipërisë dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kavaja u përfaqësua në Prizren nga avokati Mehmet efendi Sedja, Mesa duket ky fenomen nuk qe vetëm për Kavajën.

Vaso Pashë Shkodrani në Promemorien që i paraqiti ambasadorit të Austro- Hungarisë në Stamboll, kontit Zichy, ndërmjet së tjerash, shkruante: “Çdo krahinë ka dërguar në Prizren delegatët e vet e këta nuk kanë qenë krerë, as njerëz me influencë. Ata folën në emër të popullit shqiptar, pse populli ishin ata vetë dhe shpirti i tyre e ndjeu thellë fyerjen e rëndë që po i bëhej kombësisë shqiptare dhe burrërisë së tyre ushtarake… Pasi e zgjuan ndërgjegjen kombëtare, delegatët e Prizrenit u zhdukën, hynë përsëri në gjirin e popullit prej të cilit kishin dalë dhe sot kërkohen kot, sepse as duken, as kapen, pasi çdo krye, çdo plak katundi e çdo kryetar familjeje janë bërë bajraktarë e ushtarë një. Nga ndërgjegjja kombëtare marrin urdhërat si krenë dhe binden si ushtarë”. Avokati Mehmet efendi Sedja qëndroi në Prizren gjatë muajit korrik 1878, derisa u bënë të njohura vendimet e Kongresit të Berlinit. Përballë kësaj gjendjeje vërtetë kritike, më 5 gusht Këshilli Qendror i Lidhjes dha kushtrimin për të grumbulluar sa më shumë luftëtarë që të përballej armiku.

Delegatët e kra-hinave u larguan nga Prizreni me detyrën për të propaganduar rrezikun e copëtimit të Atdheut dhe të organizonin punën për grumbullimin e luftëtarëve, që do të niseshin drejt Veriut. Mehmet efendi Sedja u kthye në Kavajë dhe, pasi sqaroi situatën e rëndë në të cilën ndodhej Atdheu, shtroi detyrën për të nisur luftëtarë drejt Veriut. Në xhami, në kafe e kudo, popullit iu bënë të njohura vendimet që ishin marrë në Prizren. Dy vjet, pas kthimit nga Prizreni, Mehmet efendi Sedja nuk përmendet më në burimet e shkruara. Ai vdiq papritur në moshën 42 vjecare, por puna që ai kish bërë në ngritjen e komisioneve në fshatra e qytet vazhdonte. Ndërkohë vazhdonte puna për mobilizimin e luftëtarëve për të mbrojtur trojet shqiptare veriore të të Shkodrës, që rrezikoheshin drejtëpërdrejtënga lakmitë shoviniste të monarkive fqinjë.

Në Kavajë, ditën e pazarit telalli dha kushtrimin: “Atdheu është në rrezik! Shkodra kërkon ndihmë! Kush del fidai (vullnetar) të shkojë në hyqymet!” Thirrja e Shkodrës u bisedua edhe me kryepleqtë e fshatrave. Aty ku ishte e mundur, të dilte një burrë për shtëpi. Më 21 prill 1880 konsulli i Francës në Shkodër Le Rei i shkruante Ministrisë së Jashtme Franceze se “anëtarët e Lidhjes kanë dërguar telegrame në të gjitha anët për të thirrur shqiptarët nën armë”. Nga fundi i muajit prill 1880 pothuajse gjithçka u bë gati. Më shumë se 200 burra nga qyteti dhe fshatrat kishin dalë vullnetarë. Të gjithë ishin veshur me të bardha, fidainj, shenjë kjo që tregonte se niseshin për të mos u kthyer më.

Roli i Francës

Dega e Shkodrës njoftonte Qendrën në Prizren: “Kena qitur kushtrimin. Në Shkodër kanë ardhur luftëtarë nga Elbasani, Durrësi, Kavaja, Tirana, Kruja, Mati, Puka, Mirdita…” Forcat e Kavajës duhej të niseshin drejt Shkodrës në dhjetëditëshin e parë të muajit maj 1880. Kur në bibliotekën e qytetit u diskutua plani për mësymjen kundër malazezëve, të gjithë qenë të një mendimi “që sulmi të fillonte më 19 maj, pasi të vinte fuqia e Kavajës dhe e Tiranës”. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Arsyet nuk dihen. Forcat e Kavajës nuk u nisën as në qershor. Me sa duket diçka ka ngecur, por asaj nuk i gjenden gjurmët. Të dhënat thonë se vetëm në ditët e para të muajit korrik 1880 forcat e Kavajës u nisën drejt Shkodrës. Edhe krahina të tjera shqiptare nisën ndihma.

Konsulli francez i Shkodrës Le Re njoftonte Ministrinë e Jashtme Franceze se “sipas njoftimeve që më vijnë këtë çast numri i vullnetarëve, që ndodhen në kufi paska arritur tashmë tek 12.000 burrat”. Po vërtetohej kështu fjala e kryekonsullit austro-hungarez më 8 maj 1880 se “shqiptarë pa ndryshim feje janë ngritur të gjithë të frymëzuar nga ideja kombëtare”. Frika e Malit të Zi ndaj sulmit të shqiptarëve arriti kulmin. Ministri i Jashtëm malazez i alarmuar njoftonte Fuqitë e Mëdha se shqiptarët “…kërcënojnë se do të sulmojnë edhe vetë zotërimet e vjetra të Malit të Zi”. Ndërkohë që sulmi kundër malazezëve nuk ishte bërë ende, drejt Shkodrës vazhdonin të vinin forca të reja nga krahinat shqiptare. I ngarkuari me punë i Francës në Cetinë Sen Kanten i shkruante Ministrisë së Jashtme Franceze se“sipas lajmeve të fundit që na vijnë nga Shkodra, shqiptarët duhet të kenë një forcë prej 10.000 burrash që brenda 4 orëve mund të arrijnë në 18.000 vetë. Siç duket ata kanë si qëllim të sulmojnë së shpejti malazeztë”.

Përgatitjet ushtarake të shqiptarëve dhe lufta diplomatike e Lidhjes Shqiptare, sidomos e degës së Shkodrës, e shpëtuan hëpërhë Hotin e Grudën, por Fuqitë e Mëdha e kompensuan duke i dhënë Ulqinin. Ky lajm u bë i njohur më 27 qershor. Lidhja vendosi të kundërshtojë me forcë. Krahas forcave të tjera ushtarake drejt Ulqinit u nisën edhe forcat e Kavajës. Dega e Shkodrës duke parashikuar një konflikt që mund të vazhdonte gjatë i nisi një telegram tjetër Kavajës, Tiranës e Durrësit për të nisur forca të tjera. Këto veprime që nuk mund të mbeteshin të fshehta e frikësuan keq Malin e Zi. Ministri i Jashtëm malazez Radoniç i shkruante të Ngarkuarit me Punë të Francës në Cetinë, Sen Kanten, se “pritet të vijnë njerëz nga Dibra, Kruja, Tirana e Kavaja dhe llogaritë tregojnë se pas arritjes së tyre numri i forcave shqiptare, midis liqenit dhe detit, do të arrijë në 5.000 a 6.000 vetë”.

Beteja për të marrë Ulqinin dhe marrëdhëniet e Fuqive të Mëdha me Turqinë

Më 20 korrik 1880 I Ngarkuari me Punë i Malit të Zi në Stamboll lajmëroi ambasadorët se 8000 shqiptarët nga Shqipëria e Mesme kishin ardhur në Shkodër për të sulmuar Malin e Zi. Ditët e para të gushtit 1880 Fuqitë e Mëdha i drejtuan Turqisë një notë kolektive, ku i kërkonin asaj të ndërhynte ushtarakisht për t’i dorëzuar Ulqinin Malit të Zi. Stambolli, pasi u informua për dërgimin e flotës ushtarake prej 18 anijesh në Ulqin nga Fuqitë e Mëdha, nën komandën e admiralit britanik Seymour, dërgoi në Shkodër disa pashallarë për t’i bindur shqiptarët, që ta dorëzojnë Ulqinin, por pa sukses. Malazezët, pasi u informuan për dështimin e të dërguarve të Sulltanit në misionin e tyre, u shqetësuan mjaft, sepse pëshpëritej që 6.000 shqiptarë të armatosur ishin pranë kufirit dhe 3-4.000 të tjerë po vinin nga Shqipëria e Mesme. Sulltani emëroi në Shkodër Komisar të Lartë Marshall Dervish Pashën me një fuqi ushtarake 21 batalione (10.000 ushtarë).

Ulqinakët dhe forcat ushtarake që kishin hyrë në qytet kishin vendosur që më mirë t’i dorëzoheshin flotës së Fuqive të Mëdha, por kurrsesi Malit të Zi. Ata nuk donin t’ia dinin as për Turqinë e se do të luftonin si kundër malazezëve, ashtu edhe kundër ushtrive të Sulltanit deri në pikën e fundit të gjakut. Dervish Pasha, pasi dështoi në misionin e tij për të bindur shqiptarët të dorëzojnë Ulqinin, më 14 nëntor shpalli shtetrrethimin dhe ngriti gjyqin ushtarak. Më 22 nëntor urdhëroi ushtrinë të marshonte drejt Ulqinit. Pas dy ditëve luftë, ku pati qindra të vrarë, Dervish Pasha hyri në Ulqin.

Konsulli francez i Shkodrës thotë se “… nga të dy palët humbjet janë mjaft të ndjeshme”. Ndonëse konsulli jep një informatë të thatë, lufta për mbrojtjen e Ulqinit qe mjaft e ashpër. Artileria turke shkatërroi fortifikimet e llogoret e mbrojtësve dhe vrau shumë prej tyre, që kishin zënë pozicione në Kodër të Kuqe në fshatin Klesna. Në disa vende u luftua edhe trup më trup. Porta e Lartë i luftoi shqiptarët me egërsi, sepse mbronin qytetin e tyre. Flota e Fuqive të Mëdha bënte sehir, sepse donte të kënaqte ambicjet shoviniste të “nji shteti të paqytetnuem e katundar”, siç e kishte cilësuar arqipeshkvi i Shkodrës më 11 mars 1878 Malin e Zi. Pas betejës, ndërmjet të vrarëve ishin edhe komandanti e zv.komandanti i vullnetarëve të Kavajës Mehmet Murati, Shaban Aliu e të tjerë, që nuk ua dimë emrat. Kur u nisën qenë veshur me të bardha, fidainj. Nuk e dhanë jetën për vendlindjen e tyre, për Kavajën, as për ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë së Mesme, por për Ulqinin verior. Dhanë gjithçka për Ulqinin, sepse Ulqini, nga kohë që nuk mbahen mend, ishte i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

Populli i vendlindjes u ka ngritur atyre një këngë sa trimërore, aq edhe prekëse: Kral Nikolla me Rusinë, du´n xhevap me hy n´Ulqin: Kral Nikolla i Cetinës, t’jep xhevap gryk’ e martinës, s’asht përgjigja e Dovletit, as e kralit, as e mbretit, por asht pushka e miletit. Met Murati nga Kavaja me dyqind vjen nga kazaja. Met Murati me Shabë Alinë bajnë gajret me mbajtë Ulqinë: -Dervish Pasha, hiq ushtrinë, s’e bajmë hasha na Ulqinë. Hiqi topat, Dervish Pasha, na Ulqinin s’e bajmë hasha. Me luftu’, me vdek’ të tanë veç Ulqinin mos me e lanë…

Ibrahim Mehmet Kavaja – Sedja (1864 – 1951) Ishte djali i dytë i Mehmet efendi Sedjes. Kishte lindur më 1864, në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qe 16 vjec. Shkollën fillore, ruzhdie dhe medresenë e kreu në vendlindje më rezultate shumë të mira. Vdekja e beftë e të jatit e angazhoi në moshë të re në lëvizjen kombëtare, mësoi fshehurazi shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe e krahas atdhetarëve të njohur kavajas propagandoimësimin e gjuhës shqipe. Karvanet tregtare që bënin rrugët e Manastirit sillnin në Kavajë gazetën shqipe “Drita”, revistën “Albania” e libra të botuara në Bukuresht e Stamboll. Ato lexoheshin fshehurazi dhe kalonin dorë më dorë. Përpjekjet për hapjen e shkollës së parë shqipe në Kavajë u shtuan pas hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë.

Nismëtarë për hapjen e saj qenë Dhaskal Rusi e Dhaskal Leka, të mbështetur nga atdhetarët e tjerë myslimanë dhe nga Alltunët. Nga marsi deri në korrik të vitit 1887 përpjekjet për hapjen e shkollës së parë shqipe në Kavajë u shoqëruan me kundërshtime të ashpra. Interesant është fakti se kundërshtimet vinin jo vetëm nga krahu fanatik mysliman, por edhe ai ortodoks. Edhe të parët, edhe të dytët ngulnin këmbë që shkolla shqipe të mos hapej, nxënësit kishin shkolla turke e greke. Thuhet se Ibrahimi i ri u ndesh keq me turkomanët dhe myftiun e qytetit, i cili ishte kundërshtar i fortë i mësimit të gjuhës shqipe. Ibrahimi i ri u kërcënua me vdekje, E ëma dhe vëllai i madh e nisën për në Stamboll për studime. Atje u shqua për vullnet e këmbëngulje në përvetësimin e njohurive, u diplomua për drejtësi.

Nisi të shkruajë në gazetat e revistat e kohës. U njoh me Naim e Sami Frashërin, Dervish Himën, Hoxha Tahsinin, Shahin Kolonjën, Kostandin Kristoforidhin e të tjerë e atdhetarë. Që nga ajo kohë ndihmesa e tij në lëvizjen kombëtare nuk u ndërpre për asnjë çast. Emri i tij u bë i njohur në qarqet intelektuale të Stambollit, u ftua të jepte leksione në Universitetin e atjeshëm, më pas u emërua pedagog, ku qendroi deri sa doli në pension. Mbajti korespondencë të vazhdueshme me familjen e tij në Shqipëri derisa vdiq. Ai pati vetëm tri vajza. Ndërroi jetë në Stamboll në vitin 1951 në moshën 87-vjeçare.

Personazhet historikë dhe roli i tyre në çështjen shqiptare

Abdurrahim Mehmet Kavaja – Sedja (1872-1937)

Abdurrahimi mbeti pa baba në moshën 7 vjecare. U kujdesën për të e ëma dhe vëllai i madh Mustafai. Rezultatet e shkëlqyera që arriti në shkollën fillore e ruzhdie të vendlindjes e nxitën nënën dhe vëllain e madh ta nisnin për studime në kryeqytetin perandorak. Atje kish vajtur kohë më parë për studime Ibrahim Sedja, vëllai i dytë, kështuqë ai do të ishte nën kujdesin e tij. Në këtë mjedis u ushqye edhe i riu Sedja nga Kavaja. Ndryshe nga i ati dhe vëllai ai ndoqi shkollë ushtarake, u diplomua më 1899 dhe shërbeu në ushtri. Në kujtimet që ruhen në Muzeun Historik të Kavajës thuhet se Abdurrahim Sedja qe njohur e miqësuar me Mustafa Qemal Ataturkun, i cili gjatë revolucionit demokratik turk më 1918-1923 e ftoi të shkonte në Turqi qëtë bashkëpunonte me të. Më 1909 ai gjendej me shërbim në qytetin Kozhan, ku qe shfaqur si luftëtar trim e i palodhur i çështjes kombëtare. Qe nismëtar i themelimit të klubit të atjeshëm “Vëllazëria”.

Në shtator të atij viti klubi “Vëllazëria: e zgjodhi atë delegat në Kongresin e Elbasanit, ku u morën vendime të rëndësishme për zhvillimin e arsimit kombëtar, për hapjen e njëshkolle të mesme pedagogjike në Elbasan, për futjen e gjuhës shqipe në shkollat e huaja, për njësimin e programeve e të klubeve e shoqërive të ndryshme shqiptare,për qendrimin qëduhej mbajtur ndaj turqve të rinj etj. Gjatë ditëve të atij kuvendi ai do të takohej e bisedonte me figura të shquara të Lëvizjes Kombëtare si Dom Nikollë Kacorri e Jahja Ballhysa – delegatët e Durrësit, Gjergj Qiriazin – delegat i klubit “Bashkimi” të Manastirit, Dibrës e Follorinës. Përmallim të vecantë do të ndjente në takimin me bashkëqytetarin e atdhetarin e njohur Andrea Ekonomi – delegat i klubit “Drita” të Gjirokastrës e të tjerë. Para përfundimit të Kongresit ata u kthyen së bashku në Kavajë, ku propaganduan vendimet e marra atje dhe gjallëruan më tej atdhetarizmin në ato ditë të vështira për Lëvizjen Kombëtare.

Pas disa javësh Ekonomi u nis për në Gjirokastër, ndërsa Abdurrahimi qendroi më gjatë mes patriotëve kavajas duke ndihmuar në organizimin e lëvizjes atdhetare në rrethanat e reja. Kjo gjendje revolucionare pasqyrohej edhe në gazetën “Bashkimi i Kombit” të datës 15, vjeshtë e dytë 1909: “… Sa gëzim ndjeu zemra ime këtë radhë duke shkuar… në Kavajë: nuk është e zonja pena ime t’jua tregoj. Një erë e re fryn në këto vise, një erë Shqiptarizmi e cila të mbush plot shpresë, se Kombi Shqiptar është i zoti të kuptojë të mirën e vet… Në Kavajë ndryshimin e solli më një anë gazeta “Bashkimi i Kombit”, … më tjetër anë i ndershmi dhe i flakti atdhetar Abdurrahim Eff. Sedja, i cili, pasi u mbyll Kongresi i Elbasanit, vajti në Kavajë dhe dha shkoqitje për punën e kësaj mbledhjeje kombëtare dhe këshilloi shqiptarët të punojnë të gjithë bashkërisht, si vëllezër që janë për të mirën e Atdheut të vet”… U përndoq e u persekutua, ashtu si dikur dhe vëllai i vet Ibrahimi, por kurrë nuk u largua nga udha e shqiptarizmës. Pas Shpalljes së Pavarësisë u kthye në Kavajë. Në vitet e Kryengritjes Fshatare u përndoq nga turkomanët e esadistët, sepse mbronin flamurin kombëtar dhe gjuhën amtare me alfabetin latin. Në vitet e Luftës së Parë Botërore jetoi në Kavajë. Në qershorin e vitit 1920 qe ndër veprimtarët kryesorë për organizimin e vullnetarëve dhe nisjen e tyre drejt Vlorës kundër pushtuesve italianë. Më 1923 u emërua kryetar i Zyrës së Rekrutimit në Tiranë. Përkrahu Revolucionin e Qershorit 1924. Me rikthimin e Zogut në pushtet u tërhoq nga jeta politike, Vitet e fundit të jetës i kaloi në Durrës, vdiq më 1937.

Mehmet Mustafa Sedja (1905 )

Nipi i drejtpërdrejtë i përfaqësuesit të Kavajës nëLidhjen Shqiptare të Prizrenit. Mehmet Sedja i ri u edukua me traditën atdhetare të familjes. Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, ndoqi mësimet në Institutin Shqiptaro- Amerikan tëKavajës, u diplomua teknik i mesëm bujqësor,.Në vitet e Luftës Clirimtare Antifashiste familja e tij u rreshtua në krahun e luftëtarëve antifashistë, duke ndihmuar në të gjitha mënyrat luftën për liri. Mori pjesë në mbledhjen e parë themeluese për krijimin e këshillit të parë nacionalclirimtar të nënprefekturës së Kavajës më 08 shkurt të vitit 1943. Pas Çlirimit deri në fillim të vitit 1946 punoi përgjegjës i Seksionit të Ekonomisë, Bujqësisë dhe Pyjeve në Komitetin Ekzekutiv të nënprefekturës Kavajë.

Ai kishte marrë në shkollë dhe familje formim demokratik dhe nuk u pajtua me reformat radikale që mori pushteti komunist. Emri i tij nisi të pëshpëritej si njeri i pakënaqur nga reformat e “pushtetit popullor”. Mehmeti qe burrë me karakter, nuk i fshihte mendimet e tij, madje guxoi që në zgjedhjet e tetorit 1945, guxoi të kandidonte si i pavarur në zgjedhjet për Komitetin Ekzekutiv të nënprefekturës Kavajë, ku edhe fitoi. Që nga ajo kohë emri i tij u fut në rrethin armiqve të pushtetit, Më 15 mars 1946 u arrestua, prokurori kërkoi dënimin e tij me vdekje, më pas masa ndëshkimore erdhi duke u ulur, iu sekuestrua pasuria. Ndërroi jetë në vitin 1981.

[the_ad id=”4118″]

A do të krijohet Lidhja, Lëvizja, Lobi, Aleanca apo Partia demokratike shqiptaro-evropiane dhe si do të jetë kjo forcë e re politike

A do të krijohet  Lidhja, Lëvizja, Lobi, Aleanca apo Partia demokratike shqiptaro-evropiane  dhe si do të jetë kjo forcë e re politike

14559094706634

(Referat, për diskutim në mbledhjen inicuese

me 20.02.2016, D-79540 LÖRRACH)

Të nderuarat Zonja dhe të nderuar Zotërij,

të nderuarat dhe të nderuarit organizatorë të këtij manifestimi,

të nderuarat pjesëmarrëse dhe të nderuarit pjesëmarrës, miq e dashamirë,

mysafirë të nderuar të këtij manifestimi,

JU PËRSHËNDES TË GJITHËVE DHE JU LUS QË TË MË DËGJONI!

Disa herë kemi qenë në konsultime të ndryshme, prej individëve, prej partive e prej forcave të tjera apo individëve të tjerë evropian, pro e contra, rreth shqiptarëve…

Po i lexoj vetëm disa fragmente të zgjedhura nga punimi im paraprak, i hedhur në mjaft organe e mjaft portale të shtypit, me titullin e atjeshëm, “A do të krijohet një aleancë evropiane në tokat shqiptare”, pa historinë e vet dhe pa statistikat e tij.

Armiqtë tanë kombëtarë, të mobilizuar aq shumë kundër nesh, bëjnë çmos për të na lënë ne, shqiptarëve, të ardhur nëpër histori “pas tyre”; sikur “jemi të ardhur më vonë”; sikur kemi një “gjuhë” të shkruar përmes alfabetit pas Kongresit të Manastirit, më 1908; të një gjuhe e cila i ka rrjedhat e veta, madje pas “formulës së Pagësimit”, në vitin 1462, etj. etj. dhe kjo nuk është tërësisht e vërtetë.

E vërteta fillon prej shqipes, që është e origjinës sonë të parë, pellazgo-ilirëve, që e flisnin këtë gjuhë, për të mos thënë se këtë gjuhë e kanë folur prej Babilonisë së vjetër, me ndërtesën e parë e më të madhe në botë… Çdo gjë që do të marrim dhe të bëjmë për kombin pellazgo-shqiptar, që janë arbër, arban, arbëresh, arvanit, alban dhe arnaut, na shpie në logjikën e prishjes së kombit tonë; të shkatërrimit të tij, si gjeneratë e vjetër njerëzore. Dalja e këtyre pjesëve nën emra të “kombeve”, e që janë “pseudokombe”, është fakti që nuk e përfillin ato asnjë kriter që të quhen “kombe”

Kombi Shqiptar është kombi që e flet gjuhën shqipe, kriterin e parë të kombit. Pra, ai është shumë më shumë se e kanë dhënë sot disa çerthuj të amiqve tanë, të cilët i kam kritikuar, edhe me shkrim, por nuk marrin vesh, sikur “kombi shqiptar i ka vetëm 10`000`000 pjesëtar në Botë”.1 Ka faqe të tjera që shkruajnë pak më mirë se ata. P.sh. po e marrim faqën tjetër në FB, “Mërgata dhe Mëmëdheu”2, veçanërisht të cilën e ndihmon Vilma Markaj. Madje, kjo faqe, e ka në vend të atdhedashurisë thënien Vaso Pashë Shkodranit, “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, të cilën e kam pasur kaherë si moto timen nëpër punimet shkencore.

Te atdhetarja Vilma Markaj na jepet një shifër më e saktë. Nëpër të gjitha shtetet e botës, ku ka shqiptarë, mbledhen gjithsejt 14`015`800 persona.

Pjesët që i kemi logaritur, mund t`i lexoni në punimin tim, e cila është botuar dje e pardje, në disa organe prej Amerikës e në tokat shqiptare, dhe në njëren, në të cilën jam edher unë, pjesëtar i redaksisë, http://www.ikvi.at. Kjo shifër do të arrinte në fund të fundit, rreth 15`680`800 shqiptarë për Evropën, me Turqinë.

Kjo shifër për ne, është shumë e rëndësishme, sepse po krijojmë aktualsht apo e fillojmë një forcë të posaçme politike, një parti apo aleancë evropiano-shqiptare, që prej kohës mungon në spektrin partive politike të Evropës, sepse jemi së bashku me EU e me te; sepse njëherë e përgjithmonë duhet të orientohet çështja shqiptare drejt zgjidhjes paqësore e demokratike, pa luftë; paraprakisht tërë Evropa duhet të jetë në këmbë, sepse aty bëjnë pjesë edhe pështjellimet pseudoshencëtarëve të Evropës; ata që janë të mobilizuar prej shteteve që nuk na përkrahin aspak nga Evropa; dhe ata që janë për ne armiqtë më të rrebtë e të praptë antishqiptar.

Po i lëmë anash shtetet e tjera të botës, nga të cilat janë mbledhur disa nga Vilma Markaj, si p.sh. SHBA, që e mbajnë në peidestal çështjen shqiptare e po i kthehemi organizimit të levës së Arkimedit për Evropë.

Këtu nuk bëjnë më punë, edhe po të çmendemi ne, partitë e tona të konsumuara, të ngjallura nga e kaluara, të kopjuara nga disa tjera, etj. sepse forcat tona negative janë mësuar të vrapojnë në drejtim të kundërt, pra përmbrapa, negativisht, në vend se të ecin përpara, pra pozitivisht, sikur duan të ngjallin me këtë partitë e forcat që janë dëshmuar deskrutivisht në skenën shqiptare dhe që janë të panevojshme të hargjojmë energjinë tonë, në rastin tonë.

Nuk po futem më thellë: duhet të krijohet logjika e përtërirjes, logjika pozitive, jo negative; e ecjes sonë përpara; e përparimit tonë si komb; e bashkimit të kombit nga trojet tona autoktone shqipfolëse; e unitetit kombëtar por edhe ndërkombëtar, pra të krijohet një forcë e vitalitetit tonë si komb për Bashkimin Europian, sepse këtu jemi, në Evropë dhe për Evropën, së bashku me shumë kombe të tjera, edhe pse prej tyre ka kombe që janë të organizuara kryeput si antishqiptare dhe kundër nesh, por ne duhet t`i ç`armatosim me punën tonë pozitive.

Nuk jemi ne “Lopë race” as për Kosovën; as për Shqipërinë; as për Maqedoninë; as për Kosovën Lindore, që e ngushtojnë ata që nuk na duan të mirën, si “Lugina e Preshevës”; as për Çamërinë, që unë e marr në spektrin kombëtar, me tëpër se është kjo, pra Epirin Jugor; as për Malin e Zi e as për Saxhakun e Serbisë dhe të Malit të Zi, sepse jemi mërgatë e vlerëshme për bashkimin e qetë të tokave tona autoktone në një bashkësi, dhe në anën tjetër, në Bashkimin Evropian.

Ne i kemi kuadrat më të vlershme në Evropë dhe këtu jemi, në Evropë, e të lidhur direkt me Evropën; e nuk do të kenë mundësi ata që duan të kenë “një mundësi” për të na shfrytëzuar, pra klikat e tyre të shumta nëpër Evropë, sepse shfrytëzimi i tyre dhe manipulimi i tyre ka marrë fund, njëherë e përgjithmonë.

Në qoftë se 15 milion shqiptarë në Evropë i vitalizojmë për një politikë evropiane, duke dhënë shembullin tonë për paqe, prosperitet, siguri, jetesë të pastërt e ambient të pastërt, me korrektësi, me vitalitet e me gjallëri, do të kthehet bota e nuk do të thotë si gruaja më fortë në botë, Angela Merkel, siç na përshërisin disa në intenet “se janë gënjeshtra të gazetave”, e cila thotë se shqiptarët duhet të lirohen nga klikat e korrupsioneve shtetërore e të tjera deri në prill të vitit 2016, ose duhet t`ia mësyjnë detit Adriatik e të bëhen ushqim humanitar për gjallesat.3

Ajo ka thënë gjoja në deklarat e saja nëpër internet dhe nuk duhet të habitemi, se janë edhe ata nga fisi arianë.4 Kjo është e vërteta historike e lashtë. Gjemania duhet të ma njohë si komb i lashtë, sepse jemi vëllezër me gjermanët. Më së paku, dy fiset i kanë të lidhura me ne: gotët dhe albanët. Ne quhemi albanë. Ilirët kanë jetuar deri në Düsseldorf e me rrethinë. Ata kanë lënë gjurmë të pa shlyera nëpër Gjermani. Në Austri e në Zvicër i kemi edhe Alpet e Mëdha. Kudo në Evropë, deri në Spanjë, jemi ne, shqiptarët, bij të ilirëve, nipa të pellazgëve, pa e cekur më tej origjinën tonë.

Martin Çuni, një mik i imi, në Gjermani, një prej atyre që kanë luftuar në Kosovë dhe bashkëthemelues i “Radio Kosova e Lirë” gjatë luftës së UÇK-së, duke folur për mosnjohen e Republikës së Kosovës në UNESCO, “për dy vota mangut”, thotë se “për dy vota ka humbur gjuha shqipe në Greqi; për dy vota ka humbur gjuha gjermane në SHBA; për një gabim të vetin ka humbur Napoleoni”-po e vazhdoj unë- në Rusi; “për shumë gabime ka humbur Hitleri”, po e them qartazi dhe hapur-nëpër Evropë; për shumë gabime nuk ka humbur vetëm Serbia dhe shqiptarët kanë humbur pa asnjë gabim!!!”5. Ne, kemi bërë aq shumë armiq, duke filluar prej armiqëve më të afërt: Rusisë, Bullgarisë, Bullgaro-Maqedonëve, Serbisë, Malit të Zi, Greqisë së sotme e të djeshme, që është edhe ajo kundër nesh; dhe, më të madhes prej tyre, Turqinë. Kur t`i kundërshtojme, t`i urrejmë, t`i shtyejmë, t`i bëjmë të gjithë armiqë, atëherë nuk duam te jemi në Evropë dhe kemi ardhur deri te fundi, kemi mbaruar! Është përmbushur thënia e kundërshtarëve tanë të mëdhenj në kontinent, lugati më i rrebtë i saj sot, Rusia, e më i rrebti kundër nesh Greqia, dhe më e madhja e më e pamëshirshmja me fenë islamike sunite-Turqia!!…

Nese nuk mundemi të dalim prej Evropës, dhe nëse jemi për Evropën, ne duhet të bashkohemi me të vërtetë me Evropën. Në qoftë se duhet t`i themi asaj ndonjë fjalë prej nesh, këtë fjalë do t`ia themi afër dhe siç e ka për traditë Evropa, me takt e me kulturë, e jo si bisha e egër e duke i valëvitur para syve flamujt kuq e zi, sepse ajo atëherë e ka një fakt për të kundërshtuar dhe për të ma lënë si “të harruar”

Ju thashë që më parë, se kisha disa rekomandime nëpër Evropë, se blloku i tretë që i mungon de fakto është aleanca fetare katolike e krishterë, me seli në Romë, por kësaj nuk mund t`i afrohemi, sepse dy aleancat; e para, alenca e krishterë ortodokse me “seli” të saj në Rusi, Angli dhe në Greqi; dhe e dyta, aleanca islamike, me selinë që i lëvizë nga Turqia e në shtetet e tjera islamike, veçanërisht në Iran, të cilat, janë të lidhura poashtu me të ashtuquajturën “Ballkan”, me Rusi e Serbi, sepse edhe aty i kanë farefisnitë e veta, por edhe lidhjet fetare islamike dhe sunite; dhe bota tjetër, duke e përfshirë pjesërisht Francën, tërësisht Spanjën e Portugalinë- aspak nuk e lënë dhe askund të krijohet kjo aleancë, sepse i ngjallë luftërat fetare.

Ne nuk jemi për luftëra fetare, por jemi një komb me traditë të vjetër kulturore. Në qoftë se mendohemi vetëm pak me baballarët tanë, e dimë çka na flisnin ata dhe si na flisnin ata: flisnin mjaft rrallë dhe flisnin burrërisht.

Nga kjo duhet të mbushemi mend. Feja është dukuri sekondare, e kam thënë 100 herë ne shkrimet e mija publike, ndërsa çështja kombëtare është dukuria primare. Duhet të dimë çka na nevojitet të bëjmë, në këtë rast. Evropa edhe pa ne e kundër nesh, do të ekzistojë më tutje. Ajo, është krijuar.

Ne, duhet të këndellemi, të zgjohemi, të shpërlajmë sytë dhe t`a dimë se Evropa do të ecë përpara edhe pa ne. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Koha ecën, nuk rri në një vend. Nuk jemi komb i shpërfillur; komb i prapambetur; komb i ç`rrënjosur nga trojet e veta; pra një komb i paqenë; i egër, i vonë, etj. por është e kundërta.

Territori ku jetojmë nuk duhet të jetë busollë e ecjes përpara. Ajo po na kufizon. Ne, duhet të organizoheni, pa këta kufinj, nëpër të gjitha viset ku jetojmë, me një formulë të përgjithshme për tërë Evropën. Kriteri i regjionit është kriter lokal; kriteri i jonë duhet të jetë Bashkimi Evropianë; praktika e vërtetë nuk do të jetë forma e veprimit, por kualiteti; mendimi kombëtar nuk do t`i hidhet Evropës si bombë, por ai do të jetë mendimi ynë kreativ, natyrisht me përmbajte kombëtare.

Duhet të mësohemi vetë nga mënyra e re e mendimit, pra nga e reja, jo nga puna kolektive, por nga kualiteti i punës vetiake. Në vend që të shohim pas, të shohim përpara; në vend që të merremi me organizime të kota e të kahershme, të merremi me kërkesën tonë aktuale; në vend se të shkojmë pas bishtave të partive apo degëve të mërgatës, të themelojmë një aleancë të re të zgjimit tonë, në Evropë. A është parti, lob, aleancë, lidhje, lëvizje apo diçka tjetër, këtë do ta themi në momentin e duhur. Në qoftë se merremi për mërgatën e Kosovës, ajo është e vogël për tërë mërgatën e të gjitha tokave tona, sepse as ato nuk e kanë të zgjidhur çështjen kombëtare të tyre. Për vete, Kosova, ka i krijuar shumë parti, që të mos i numërojmë. Këtu, do të fillon një organizim i ri. Ne, nuk mund të themi se çka është kjo gjë, sepse ju do të vendosni për këtë organizim, por do të jetë demokratike dhe shqiptaro-evropiane.

Këtyre ditëve, kemi marrë disa thirrje, apele, e lexuar shkrime rreth organizimit të mërgimtarëve, se do të krijojmë menjëherë “lobin shqiptar”, siç e ka krijuar ate edhe Joseph DioGardi në Amerikë. Për Evropë, ne mund të krijonim degën e tyre, por jo të krijonim një “lob” të ri për Evropën, sepse e dimë çfarë tensioni të lartë ka patur Serbia, që t`a fusë dorën e saj në mes të shqiptarëve. Ne, jemi duke ecur pas degëve dhe duhet të kursejmë “investimin” e Serbisë, derisa e dimë se Serbia ka bërë ç`është e mundur që të vie me lakenj të saj deri në qendër të Evropës.

Po t`i marrim vetëm apelet e Skender Shalës, në Zvicër, do të shohim se ai në të vërtetë dëshiron të themelojë një “lob” për Kosovën, por “lobi” nuk duhet të kufizohet vetëm në një ndarje administative të tokave shqiptare.6

Shteti Shqiptar është para Kosovës; para Maqedonisë shqiptare; para Çamerisë dhe Kosovës Lindore; para Sanxhakut; para tokës shqiptare të Malit të Zi; dhe ata që kuptojnë rolin e iniciativave në bazë të nivelit rajonal, do ta kuptojnë se është vetëm një insiativë lokale me diapozon ndërkombëtar. Kjo do të thoshte të ngriteshe mbi një kodrinë të vogël të një province e të bërtasësh në nivelin evopianë. Ata e dinë se këto ndarje gjeografike rajonale të tokave tona amtare, është bazë për thirrjet tona në atë nivel, e cila duhet të aktivizohet edhe në nivelet e tjera gjeografike. Pra, në qoftë se thirret “në nivelin kombëtar”, duhet paraprakisht të keshë një nivel të tillë. E dyta, kjo ndarje rajonale e gjeografike, është logjikë e ndarjes dhe e shkatërrimit të tokave tona; e shkapërderdhjes së energjisë sonë kombëtare nëpër terene të vogla, dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me logjikën e përparimit, e zhvillimit dhe bashkimit të kombit. Në qoftë se ne kemi një rini shumë të mirë, siç thotë Skender Shala, në atë shkrim, “një gjeneratë të shkëlqyeshëm ekspertësh, që kanë specializuar në shtetet më të zhvilluara perëndimore”,7 atëherë duhet të krijohet një “lob” i tillë jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha tokat amtare, sepse nuk është uj ku notojnë këta peshk të mëdhenj. Peshku i ynë shqiptar duhet të notojë nëpër oqeane, jo nëpër përronj. E mora si shembull Skender Shalën, të cilin e njoh, siç e njoh Himë Shalën, apo Miftar Shalën. Ai i ka kushërinj. Ne, po e marrim një tjetër prej kësaj inicitaive, Xhafer Ahmetaj nga Novegjia, prej tërë mërgatës mbarëshqiptare.

“Ky skllavërim mentaliteti”, siç thotë Xhafer Ahmetaj, 8 “duhet stopuar”, jo për tërë mërgatën mbarëshqiptare, por nëpër të gjitha ndarjet administrative të tokave tona. Jo të krijojmë “Lobin e mërgatës mbarëkombëtare”, por të krijojmë levën partiake të mbarë kombit shqiptar, në drejtim të Evropës. Jam mjaft i qartë!…

Sado që janë miqtë e mi, Skender Shala, Xhafer Ahmetaj, sikur Skenderbeg Klaiqi, Sami Fejza, Musa Tolaj, Asllan Dibrani, Erjon Elezi, shefi i Portalit të dhënë nga ne, “Shqipëria Jonë”, etj. u detyrova t`ua nënvizoj një nëvizim të qartë se nuk duhet imituar apo kopjuar emërtimet e mëparshme, si p.sh. Lobi, sepse kjo ka qenë një gjë e arësyshme në Amerikë (SHBA), por jo në Evropë, sepse kontinenti është ndryshe, ka armiq më të mëdhenj, si Rusia, Serbia, Greqia, Turqia. Lobi nuk mund të kthehet në forcë, ndërsa partia, lëvizja apo lidhja mund t`i ndërrojë mjetet e veta.

Miku im, Xhafer Ahmetaj, më është përgjegjur menjëherë se “çështjen e kopjimit e të emërtimit e mbronë vetë ligji”, ndërsa mendonte se “në rastin e shprehjes Lob, nuk ka të bëj asgjë me kopjim apo thyerje ligji”. Por, po i shpjegojmë se kjo gjë është një analogji e vërtetë krijimi sikur të krijohej “Lobi shqiptaro-evropian”.

Ai e kishte si propozim “një kulm organizativ”, për mërgatë. Në tubimin e radhës shumica vendos për emrin, platformën dhe detajet e tjera. Pra, “thirrja për unitet nuk është ideologji e re dhe e askujt”, është “një thirrje e sinqertë nga halli i madh i kohës dhe nevoja për një autonomi për mërgimtar-siç thekson ai, sepse “jemi të lodhur nga organizatat politike që luftojnë interesat familjare e klanore!”.

Prandaj, po e përfundoj, se kundërshtarët tanë dhe këlyshët e tyre nëpër tokat shqiptare, po na e fusin në kokë të dhënen kryesore e të qëllimtë të tyre, që ne të organizojmë “një Lob për mërgatë”, sepse edhe ata kanë marrur prej nesh sa kanë dashur, dhe duan “të harrojnë” me qëllim, se mërgata jonë ka një dorë mjaft të lartë të shqiptarëve dhe vetë mërgata është diapozoni i dy të tretave të shqiptarëve!!…

Në Amerikë nuk kanë jetuar dy të tretat e shqiptarëve, e në Evropë janë dukshëm më shumë, pra janë 15`000`000 shqiptarë. Evropa është vendi ku jetojmë…

Po e them hapurazi se nuk jemi për “Lob”, por personalitete dhe forcë politike, të reja e të papërdorura, që kur të “ngulemi” krahas veprimtarisë së të gjitha forcave politike rajonale shqiptare, do të bëjmë një BUM të madh, në Evropë!

Ne nuk na frigon askush dhe nuk i jemi friguar asnjëherë askujt. Do ta themi fjalën tonë, pa marrë parasysh se a do të na ndëgjojnë dikush, apo jo!…

Nëse doni t`ua them se çka është kjo gjë, me parë duhet të lidhemi.

Nga punimi im do të mxirrni edhe ju, fare lehtë një gjë: a është kjo Lidhje, Lëvizje, Lob, Aleancë apo Parti Demokratike Shqiptaro-Evropiane, do të shohim!…

Ju faleminderit shumë prej juve, për kujdesin tuaj dhe përkushtimin tuaj!

Brahim Ibish AVDYLI http://www.facebook.com/Brahim Avdyli,

http://www.brahimavdyli.ch,

______________________ http://www.krijues.com,

http://www.shkshz.ch,

http://www.a-d-s.ch/Lexikon

E-Maili im: [email protected]

[the_ad id=”4118″]