Get a site

QËNDRIMI I SHTETIT SHQIPTAR DHE I UDHËHEQJES SË TIJ NDAJ NGJARJEVE TË KOSOVËS

QËNDRIMI I SHTETIT SHQIPTAR DHE I UDHËHEQJES SË TIJ  NDAJ NGJARJEVE TË KOSOVËS

uckQËNDRIMI I SHTETIT SHQIPTAR DHE I UDHËHEQJES SË TIJ  NDAJ NGJARJEVE TË KOSOVËS (1981-1989)
Shkruan Prof. Zymer Mehani
Pjesëmarrja e fuqishme dhe masovike e shqiptarëve në demonstratat e organizuara brenda viteve 1981- 1989 e shqetësuan mjaft shumë Shqipërinë, ish-Jugosllavinë, vendet e Ballkanit, por edhe vetë Evropën, pasi asnjëherë nuk kishin llogaritur se shqiptarët në ish-Jugosllavi mund të protestojnë aq fuqishëm e në këtë mënyrë. Për Shqipërinë këto ngjarje ishin tepër shqetësuese për faktin se në Jugosllavinë e asaj kohe jetonin gati gjysma e popullsisë shqiptare në Ballkan. Prandaj me të drejtë Shqipëria ishte e shqetësuar për demonstratat e vitit 1981 dhe ndërhyrjet ushtarake e policore të ish-Federatës Jugosllave, kundër shqiptarëve në Kosovë, që kërkonin të drejtat e veta elementare, të drejta të barabarta me popujt tjerë në ish-Jugosllavi. Për shkaqet themelore të krizës në ish-Jugosllavi, që në këtë rast ishte Kosova, ish-kryetari i Shqipërisë, Enver Hoxha e konsideronte se ishte diskriminim i statutit të Kosovës dhe shqiptarëve, niveli i prapambetjes ekonomike në Kosovë dhe pjesët tjera shqiptare në Jugosllavi, shkeljet e të drejtave të njeriut, të drejtave arsimore e kulturore të popullit shqiptar nga vetë Federata Jugosllave. (1 Dokumente sekrete të CIA-së për Kosovën, qëndrimi i Shqipërisë, për Kosovën, Koha Ditore, 21. 2. 2005, f.8).   Shkeljet e të drejtave kombëtare e njerëzore kundër shqiptarëve, ushtrimi i dhunës dhe represionit të vazhdueshëm fizik, psikik, mbi popullin shqiptar në Kosovë, duke përdorur mekanizma për shfarosjen apo pastrimin etnik të shqiptarëve që bënë Jugosllavia kundër tyre.( Po aty). Në ditarin e vet sekret, Enver Hoxha shkruante se faktori shqiptar në ish-Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë ka qenë faktori më i përbuzur politikisht e ekonomikisht, po ashtu kishte gjendje të rëndë në arsim e kulturë, por faktori shqiptar ka qenë më i durueshmi e më i dëgjuari, por edhe më i zgjuari dhe njëkohësisht më realist në kaosin politiko-ekonomik , ku ishte zhytur Jugosllavia pas Luftës së Dytë Botërore, ishte Kosova.( Lisen Bashkurti, Diplomacia e Vetëizolimit, Tiranë, 2004, f, 600).  Shqipëria më 8 prill 1981 përmes Tiranës zyrtare dhe gazetës zyrtare të saj ‘Zëri i Popullit’, e shprehu qëndrimin e vet politik zyrtar për demonstratat dhe ngjarjet në Kosovë. Me këtë rast, Shqipëria zyrtare dënoi ashpër përdorimin e dhunës policore e ushtarake të ish-Jugosllavisë kundër popullit shqiptar. Ndërsa i gjithë populli shqiptar, doli në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar në Kosovë, duke u solidarizuar me demonstratat dhe kërkesat e tyre për Republikën e Kosovës.( Po aty ). Në krye të politikës shqiptare për mbrojtjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi  priu ish-udhëheqësi i Republikës Popullore të Shqipërisë, Enver Hoxha(Enver Hoxha, Ditari politik për çështje ndërkombëtare 1980-1981, për përdorim të brendshëm ) i cili asnjëherë nuk pranonte që Shqipëria kishte ndërhyrë e as ishte nxitëse e provokuese për çështjen e Kosovës. Shqipëria respektonte parimet e Kombeve të Bashkuara për shtetet sovrane dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme të shteteve të tjera, pra s’po ndërhynte as në punët e brendshme të ish-Jugosllavisë. Por mes tjerash, Enver Hoxha konsideronte se shteti shqiptar nuk mund të rrinte duarkryq dhe të pranonte heshtur kur shkeleshin, dhunoheshin e  maltretoheshin shqiptarët përtej kufirit shtetëror nga një shtet fqinj, që kishte nënshkruar Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut.( Dokumentat e CIA-së, për Kosovësn, Enver Hoxha për Kosovën, Koha Ditore, Prishtinë, 20. 2. 2005). Për këtë arsye, Tirana u konsiderua nga ish-Jugosllavia dhe u identifikua si nxitëse e trazirave në Kosovë. E vërteta nuk ishte ashtu, ngase Tirana asnjëherë nuk u përfshi drejtpërsëdrejti në Kosovë, gjatë asaj kohe, pasi që edhe gjendja ekonomike e Shqipërisë nuk ishte në pozitë të mirë. Ish-Jugosllavia ishte e vetëdijshme dhe krejt e ndërgjegjshme për rëndësinë që kishte për shqiptarët Shqipëria, qasja e saj në qëndrueshmërinë për Kosovën por edhe për vetë ish-Jugosllavinë në tërësi.( Vicreks Miranda, Midis Serbve dhe Shqiptarëve, Një histori e shkurtër, Tiranë, 2004, f. 252 ). Mënyra e sjelljes së Shqipërisë gjatë viteve në vijim përbënte pengesën kryesore dhe serioze për Beogradin, pasi ajo i inkurajonte shqiptarët e Kosovës, që u jepte shpresë, guxim e vetëdijesim për të qëndruar në rrugën e tyre të drejtë për liri e barazi kombëtare, theksonte Enver Hoxha.( Ethem Çeku, vep e përm, f. 274). Më 17 prill 1981, politika shqiptare doli haptas dhe qartas në mbrojtje të kërkesave të demonstratave të studentëve dhe popullit shqiptar në Kosovë për Republikën e Kosovës, duke saktësuar edhe kërkesat: Kosova do të qetësohet kur të hiqet shtetrrethimi, të tërhiqet ushtria, të lirohen të burgosurit politikë, dhe djemtë e vajzat t’u kthehen familjeve të tyre.( Mehmet Hajrizi, Histori e një organizate politike 2004, f,. 221). Përkrahja e shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës ishte serioze dhe në përputhje me kërkesat e shqiptarëve të Kosovës. Politika e Shqipërisë pas këtyre ngjarjeve duket qartë më e hapur më e interesuar për zgjidhjen e çështjes shqiptare si një problem kombëtar, duke dhënë sinjale sensibilizimi të çështjes shqiptare edhe si një problem evropian nga Jalta e deri më tani.( Bedri Islami, Shqipëria dhe Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, Epoka e re , Prishtinë, 7 prill. 2006, f, 10 ). Por të gjitha këto qëndrime, komunikata, e intervista, bazën e kanë në qëndrimin zyrtar të Shqipërisë për çështjen e Kosovës në vitin 1981, që paraqiti Enver Hoxha në Kongresin e 8 të PPSH-së, i cili duke i trajtuar gjerësisht zhvillimet politike historike të vitit 1981 në Kosovë, ai midis tjerash tha: ‘Politika e Shqipërisë Socialiste ndaj Jugosllavisë ka qenë gjithherë konstante dhe e pandryshuar’, por keqësimi i tanishëm i situatës në Kosovë i ka acaruar  marrëdhëniet Shqiptaro-Jugosllave. Andaj për të gjitha  këto pasojat i mbanë Jugosllavia për shkak të veprimeve kundër shqiptarëve në Kosovë. Shqiptarët në Kosovës përbëjnë një etni, një popull të formuar me shekuj, që ka historinë, gjuhën, kulturën e vet, të një populli autokton, të cilët i shkëputën e i copëtuan nga mëmëdheu i tyre me ndihmën e Fuqive të Mëdha.( M. Hajrizi, vep e përm, f. 227). Qëndrimi zyrtar i politikës së jashtme të Shqipërisë, lidhur me gjendjen në Kosovë dhe statusin e Kosovës pati implikime të konsiderueshme të evoluimit e ndërgjegjeje politike, mbarëkombëtare, në rajonin e Ballkanit, pasi deri në këtë kohë Shqipëria qëndronte për idenë e bashkimit të trojeve shqiptare. Më në fund Enver Hoxha mbështeti opcionin për Republikën e Kosovës brenda ish-Federatës Jugosllave.

 

[the_ad id=”6025″]

 

[the_ad id=”4118″]

PËRKUJTOJMË DËSHMORIN SHEFKI KULETA

PËRKUJTOJMË DËSHMORIN SHEFKI KULETA

SHEFKI-KULETAShkruan ZYMER MEHANI

PËRKUJTOJMË DËSHMORIN SHEFKI KULETA
(21. 3. 1999 – 21. 3. 2016)

BIOGRAFIA E DËSHMORIT

Më 20 maj të vitit 1970, në fshatin Tërnavë të Podujevës, u lind dëshmori i kombit, Shefki Kuleta, në një familje që njihet për traditë atdhetare dhe dashuri arsimore.
Shefkiu, shkollën fillore e kreu në vendlindje, në shkollën “Jeta e re”, ndërsa të mesmen, dy vite i kreu në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, kurse vitin e tretë dhe të katërtin, në Normalen e Prishtinës, drejtimi i matematikës. Pas shkollës së mesme, të cilën e kreu me sukses të lartë, i lindi dëshira për t’u regjistruar në Mitrovicë, në Fakultetin Xehtaro – Metalurgjik, dega e xehetarisë. Si student e kuptoi vlerën e lirisë. Si shkak i rrethanave të vështira që ekzistonin në Kosovë, ai u frymëzua me ndjenja patriotike të popullit dhe vuajtjet, të cilat i përjetoi edhe vetë gjatë shkollimit. Diplomoi më 19.02.1998 në Prishtinë, pas tërheqjes së Fakultetit Xehtero – Metalurgjik nga Mitrovica në Prishtinë, dhe mori titullin Inxhinier i xehetarisë. Ishte mjaft aktiv në të gjitha protestat dhe demonstratat që mbaheshin dikur si forma të shpeshta për të kundërshtuar regjimin serb që dita ditës po ua ngushtonte hapësirën dhe veprimin dhe po ua rrëmbente shqiptarëve edhe atë pak liri që e kishin pasur për disa vite. Ishte pjesëmarrës aktiv i demonstratave të viteve 1988-89 dhe në protestat studentore ishte pjesëmarrës i dalluar. Si kuadër i shkolluar dhe njeri përparimtar ka ndihmuar jetën plurale në rrethin e tij. Shefkiu në këto anë njihej si njeri me virtyte të larta njerëzore.
Pas daljes në skenë të UÇK – së, Shefkiu pa hezituar dhe pa humbur kohë, lajmërohet në Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë, ku vendos kontaktet e para me Fatmir Humollin dhe kushëririn e vet, Agim Kuleta, i cili veproi një kohë të gjatë në ilegalitet.
Nga ky takim që kishte, Shefkiu e merr detyrën dhe orientohet që kontributin e tij në vazhdim ta japë në Zonën Operative të Llapit. Menjëherë lajmërohet për në Bajgorë për përgatitjet ushtarake dhe fizike. Përgatitjet e duhura ushtarake i përfundoi në korrik të vitit 1998. Pasi i mbaroi stërvitjet ushtarake në Bajgorë, me shumë shokë të tjerë niset për të shkuar së bashku në Shqipëri për të sjellë armatim për pjesëtarët UÇK-së. Ai fare nuk i përtonte rrugës së gjatë dhe me plot rreziqe, në të cilën pësuan shumë nga luftëtarët e UÇK – së. Pas kthimit nga Shqipëria, të gjithë ushtarët që kishin qenë atje, Komanda e ZOLL – it i lejon të bëjnë një pushim të shkurtë në shtëpitë e tyre. Gjatë kësaj kohe fillon Beteja e njohur e Kaqanollit e cila zhvillohet për tri ditë me radhë 15, 16 dhe 17 shtator 1998, në kodrën ku bashkohet Llapi me Shalën. Me të kuptuar se çfarë po ndodhte, Shefkiu e ndërprenë pushimin dhe nëpër flakën e pushkëve, duke kaluar një rrugë të gjatë nga fshati i lindjes deri në vijën frontit arrin që të bashkohet me shokët e tij.
Shefkiu ishte i vetëdijshëm për bashkërendim të detyrave të veta dhe rreshtohet në mesin e ushtarëve të lirisë në vijën e parë të frontit. Më vonë pas themelimit dhe zgjerimit të strukturave dhe formacioneve ushtarake në ZOLL, formohet edhe njësiti “Kështjella -26” që vepronte në anën e djathtë të magjistrales Prishtinë – Besianë ( në fshatin Shpat ). Gjatë kësaj kohe Shefkiu angazhohet për të kryer edhe shumë punë të tjera, që kërkohej të mbaheshin vazhdimisht lidhjet me qytetin e Prishtinës.
Nga njësiti “Kështjella – 26” për ndihmë vendeve të tjera u shkonin ushtarë të shumtë, pavarësisht ku zhvilloheshin betejat si në Kodrioni (ish Godishnjaku), Burimi (ish Buricë), Penuh etj.
Shefkiu mori pjesë në shumë beteja që u zhvilluan në Zonën e Llapit, ndërsa herën e fundit ishte përgjegjës i njësitit “Kështjella – 26”. Në ditën e pranverës, 21 mars 1999 ushtria serbo – sllave kishte marrë ofensivë në tërë ZOLL-in.
Shefkiu përsëri ishte në vijën e parë të frontit, dhe iu kishte afruar shumë afër pozicioneve të armikut me mortajë dore dhe me automatic, ku bie heroikisht në fushën e nderit. Edhe pse me bindje fetare dhe me pseudonimin Hoxha, kishte dashur që fjalët e thëna eventualisht të ndonjë myftiu t’i dëshmonte me veprën më të madhe më të lartësuar para atdheut dhe zotit.

Më 21.03.1999 ishte ditë e vështirë për luftëtarët e lirisë, ku armiku barbar me tërë potencialin ushtarak sulmonte pozicionet e UÇK-së, në këto anë të Llapit, në fshatrat Kodrion dhe Penuh. Në mbrojtje të vendit, në vijën e frontit, ishte edhe Shefkiu, që ra dëshmor në ditën e pranverës, në prag të Pranverës Kosovare. Shokët e Shefkiut u treguan të guximshëm dhe solidarë, si në front, ashtu edhe në tërheqjen e kufomës së shokut të tyre, Shefkiut. Varrimi i tij u bë në fshatin Kodrion në orët e vona të natës nga shokët e tij. Pas pesë muajsh largimi me dhunë nga Kosova, familja e tij kthehet nga Gjermania në atdhe.
Rivarrimi i dëshmorit të kombit, Shefki Kuleta është bërë më 9 shtator 1999, ku trupi i tij zhvarroset dhe nga Kodrioni sillet për t’u rivarrosur në varrezat e fshatit të lindjes së tij, në Tërrnavë, ku edhe sot prehet i qetë nën hijen e blinjve në varrezat e fshatit. Rivarrimi i Shefkiut është bërë me ceremoni madhështore dhe në te kanë marrë pjesë, përpos shokëve të luftës, edhe shumë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare. Shefkiu nuk ishte i martuar. Ai ishte fizikisht i zhvilluar dhe kishte një trup sportisti, por dhe ishte një intelektual i dalluar. Në përvjetorin e dytë të rënies së tij, në vendin e rënies, në Kodrion, nga ana e familjes dhe shokëve të tij i ëshët ngritur lapidari. Ndër shokët më të afërt gjatë luftës kishte Shaban Avdiun (tash dëshmor i kombit).
Pas luftës, për kontributin e dhënë të dëshmorit për lirinë e vendit, familja e dëshmorit është nderuar me disa mirënjohje si nga SHP i UÇK-së, nga SHP i ZOLL-it, SHFD në Podujevë, KK i Podujevës etj. Ndërsa sot me krenari shkolla e fshatit Tërnavë e mban emrin e dëshmorit të kombit, Shefki Kuleta.

[the_ad id=”4118″]

SERBËT PAS GJASHTË SHEKUJSH FESTOJN HUMBJEN, NE SHQIPTARËT NUK E KUJTOJM DËBIMIN E 23 QERSHORIT 1999

SERBËT PAS GJASHTË SHEKUJSH FESTOJN HUMBJEN, NE SHQIPTARËT NUK E KUJTOJM DËBIMIN E 23 QERSHORIT 1999

146622594389837

Shkruan: Refik HASANI

Serbët pas gjashtë shekujsh festojn humbjen në Gazimestan ,ne shqiptarët jo që nuk e kujtojm pas një shekulli dëbimin nga molla e kuqe,Nishi Leskoci,Vranja e Prokuplla por nuk e kujtojm as dëbimin,shpërnguljet dhe zhvendosjen e 50 mijë banorëbë që ndodhi më 23 qershori të vitit 1999 mijë shqiptarwve, nga Medvegja, Bujanoci dhe Presheva.

http://2.bp.blogspot.com/-mLnQp-phe4I/Vjo6M2loyZI/AAAAAAAAB7s/LWFVJ7gT9dA/s1600/refik%2Bhasani.jpg

Më 28 qershori është data e vidovdanit që mbahet në Gazimestan 627 vjetorin e humbjesë së Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Akademia Serbe e shkencës, diaspora Serbe,Qeveria, Parlamenti dhe subjektet politike jan një, në ditën e ksaj date. Pse ne shqiptarët nuk i kujtojm kur para një shekull e gjysmë kur filloi dëbimi masiv i dhunshëm i shqiptarëve që të lëshohen trojet e të parëve, masakrat që kreu pushteti i atëhershëm nuk jan një përiudhë pesë shekullore apo një mirë vjeqare jan gati të frekta,bëhet fjala për një shekull. Në vitin 1878 në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit para këtij viti dhe pas saj ishte dëbimi më i madhe që u dëbuan që nga afër Beogradit të sotëm, mollës së kuqe, Sangjakut të Nishit, Toplicës e Kurshumlisë, Leskocit e Vranjës. Aqë më rëndë që pse ne shqiptarët nuk i kujtojm dëbimin,shpërnguljet dhe zhvendosjen e 50 mijë shqiptarëve të viteve 1998-2002, nga Medvegja, Bujanoci dhe Presheva.

*** Pse ende nuk kemi një material, një dosje të kompletuar më faktë, numra e shifra, me foto e dëshmi të kohës, pse nuk arritëm të bëjmë një regjistër të saktë mbi këta banorë dhe numrin e tyre pasurit dhe pronat e patretshme dhe të patjetërsueshme.

*** Prishtina dhe Tirana të kërkojn nga Beogradi për ngritjen e një përmendore apo memoriali të lartë kushtuar të gjithë të dëbuarve shqiptarë nga trojet e sotme serbe.

*** Nuk është e mjaftueshme të kërkon falje Beogradi dhe ta njoh Prishtinë si shtetë por edhe ngritja e dy memorialeve madhësisë më të lartë: – Në Mollë të kuqe dhe – Në Leskoc Kushtuar të dëbuarve shqiptarë me testin e përgjidhsuar: I kujtojm të gjithë të rënët shqiptarë që u dëbuan nga fshatrat të cekën vetëm emërtimet e fshatrave e lokaliteteve dhe vendbanimeve tona. Është moment historik që veqmas Tirana të këmbëngul dhe të kërkon nga Beogradi, ngritjen e dy memorialve përkujtimore të mdha pasi ishin dy Sangjagje të banuara me shumicë shqiptare pra një shekulli e gjysëm. I kujtojm opinionit të gjërë se Turqia ende po bartë barrën që gjoja ka vrar masovikisht Armen para më shumë se një shekulli.

[the_ad id=”4118″]

Lufta e Kosoves si e blinduam Kukesin me topa dhe tanke

Lufta e Kosoves si e blinduam Kukesin me topa dhe tanke

Sulejman Abazi-UCKIdeja e gjithhershme “Pavarësi për Kosovën”, nuk mori jetë vetëm nga veprimet luftarake të UÇK-së. Që në vitet ‘80 ushtria shqiptare përgatitej për një operacion të jashtëzakonshëm, që gjithsesi ruhej në sekret të plotë.

Plani “Shpërthimi”, mbi të cilin punuan vetëm katër ushtarakë madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes, drejtuar nga Mehmet Shehu, përcaktonte saktësisht, mësymjen frontale që do të mund të merrte me forcë territoret shqiptare të humbura nga Konferenca e Londrës.

Gati 20 vjet më vonë, lufta do të niste vërtet, por këtë herë në kushte të tjera… …Në 100 vitet e shtetit shqiptar, të paktën në dy raste ushtria do të tregonte se dinte të luftonte. Provokacionet greke të gushtit ’49 dhe ato serbe 50 vjet më pas nuk e realizuan misionin.

Kolonel Sulejman Abazi, si një nga drejtuesit e ushtrisë shqiptare që mori pjesë aktive në mbrojtjen e kufirit shtetëror, gjatë Luftës së Kosovës, rrëfen për “Shekullin”, ditët e vështira në verilindje të vendit përballë trupave të ushtrisë serbe.

A ka pasur Shqipëria plan konkret për të ndërhyrë në Kosovë?

Po, ka një histori të tillë. Në hartën e Drejtorisë së Zbulimit të Shtatmadhorisë Shqiptare, mbi dislokimin e forcave ushtarake në drejtimin Kosovë – Shqipëri, ishin të pasqyruara saktësisht forcat e Z2-3U të Armatës së Jugosllavisë, me qendër në Nish e Shkup.

Në arkiv gjendet harta e shkallës 1:200 mijë, me Nr.927, dt. 29/12/1980, e cila përfshinte krahinën e Kosovës, ku parashikoheshin 27 pika dhe rajone të paracaktuara për  depërtim e veprime në prapavijë të armikut, të koduara sipas rregullit ushtarak.

largea_sulejman-abazi-uck-7-11389473756
Kjo hartë u ndje e nevojshme të formulohej në bazë të të dhënave të zbulimit strategjik shqiptar në kohën e ngjarjeve të vitit 1968, e më pas, të vitit 1981 në Kosovë, të cilat kishin karakter të hapur politik me motive etnike.

Operacioni i mundshëm i ushtrisë shqiptare, ishte i vështirë. Ideja e masave, në raport me zhvillimet ndërkombëtare, synonte përgatitjen e lartë për të realizuar në çdo kohë mbështetjen e fuqishme, deri ndërhyrje ushtarake për çështjen shqiptare në ish-Jugosllavi.

Sipas deklaratës së ish- Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në vitin 1981, Veli Llakaj, kuptojmë: “…kapacitetet e ushtrisë shqiptare u përgatitën, jo vetëm për të pritur shqiptarë që do të shpërnguleshin nga Kosova, jo vetëm për të siguruar integritetin territorial të shtetit shqiptar, por dhe për të qenë plotësisht të aftë për të ndërmarrë veprime ushtarake mësymëse të suksesshme, madje të tilla që do të mund të korrigjonin edhe padrejtësitë historike”.

Veli Llakaj, si autori i planit parashikues për një situatë të mundshme ushtarake në drejtim të Kosovës, në bashkëpunim me ushtarakun Refik Kucaj, ia paraqitën atë Enver Hoxhës, i cili e cilësoi “të pranueshëm”, me porosinë që “të mbahet në kasafortë si variant rezervë”. Ky skenar veproi në vitet ‘97-‘99.

Po në kohën kur u hartua ky plan, cilat ishin masat e marra në kufi?

Në vitet 1970-‘83, në drejtimin verilindor ishin vendosur 3 korpuse gjitharmëshe, brigada sulmuese,  batalione kufiri, tanke e potenciale të fuqishme artilerie.

Kundërshtari mbante nën presion shtetin shqiptar dhe paralelisht shtypte në të gjithë format popullsinë shqiptare në Kosovë. Përballja me shtetin jugosllav mendohej se, “s’do të ishte veprim i lehtë”. Megjithatë, me përparësi u përpunuan çështjet e drejtimet e reagimit ushtarak.

Realizimi i stërvitjeve komando-shtabi në nivel operativo-strategjik, si “Kështjella”, “Drini”, “Shebeniku”, “Taraboshi”, “A-81”, etj, mbanin nën presion shtetin jugosllav. Doktrina ushtarake parashikonte elementët e luftës popullore, të cilat do të realizoheshin me trupat sulmuese dhe të zbulimit për veprime në prapavijë të armikut.

Si çështje të paracaktuara, në kushtet e relievit, koha vërtetoi se ato u zbatuan në kohën e luftës në Kosovë. Në drejtimet kundër shtetit jugosllav, tërhiqte vëmendjen K5K në Pukë. Zona mbulonte drejtimet operativo-strategjike të rëndësishme.

Ajo dispononte 7760 QZ (qendra zjarri) për mitraloza, 546 QZ për topat KT, 41 PZ të artilerisë (nivel baterie artilerie me 4-6 gryka zjarri), 135 km transhe e hendeklidhje. Vetëm në drejtimin Morinë-Kukës ishte realizuar funksionimi i 3769 QZ për mitraloza.

Korpusi dispononte 12 grupe artilerie dhe 3 bateri të lartësive, 19 kompani mortajash, 15 bateri KT me 360 gryka zjarri të AT dhe 104 topa KT. Në gatishmëri të përhershme luftarake ishin 8 grupe të artilerisë, 3 bateri lartësie, 5 bateri të batalioneve mitraljerë, gjithsej 40% e artilerisë së përgjithshme.

Planifikimi dhe realizimi pjesërisht i planit, me emrin kodik “A-81”, shtroi hapur para udhëheqjes shqiptare idenë: Të realizohej, në kushte të situatës së veçantë, një organizim i ri luftarak i forcave në drejtimin lindor dhe verilindor, duke pasur si qëllim kryesor idenë e lëvizjes dhe përqendrimit të trupave sipas një plani të ri rigrupimi, të paracaktuara qysh më  parë.

Të krijohej ideja e një riorganizimi të ri në sistemin e ndërlidhjes e të komandim- drejtimit, sipas organizimit të ri të forcave dhe të mjeteve. Të përforcohej ideja e një riorganizimi të ri të forcave dhe mjeteve të ushtrisë në kushte dhe situata të paparashikuara.

Fillimi i viteve ’80 ishte i tensionuar në Kosovë, po në Shqipëri si u përcoll?

Në vitin 1981, shteti shqiptar ndërhyri në zonën verilindore, për të fuqizuar me forca e mjete njësitë ushtarake në drejtimin e Tropojës e Kukësit, me praninë e K5K-së, në brezin e sigurimit. Parashikimet çuan në fortifikimin e territorit kufitar, i veçantë në llojin e vet, që kapte 44% të sasisë së përgjithshme të fortifikimit në shkallë vendi.

Në këtë drejtim funksiononin 78 rajone mbrojtje të këmbësorisë. Stërvitja “Drini”, me pjesëmarrjen e 40 mijë trupave, shkaktoi reagim nga shteti jugosllav. Në vitin 1981, në drejtimin e Kukësit e Tropojës u realizua rikonicioni i Shtabit të Përgjithshëm. Ideja: “Përsosja e elementëve të rendimit të luftimit, rritjen cilësore të kapaciteteve luftarake e manovrës së forcave në interes të veprimeve luftarake kundërmësymëse”.

Stërvitjet komando-shtabi dhe ato me trupa të nivelit taktik kanë qenë të shpeshta. Në vitin 1994, ish-shefi i zbulimit të Z3U-së në armatën jugosllave të Maqedonisë, pohonte, “…ne mund të kalonim në regjimin e zakonshëm të gatishmërisë së reparteve tona përballë, vetëm atëherë kur siguroheshin se me përfundimin e stërvitjeve të reparteve dhe njësive shqiptare, ishin bërë konkluzionet dhe gjërat kishin shkuar në vendet e tyre”.

E shtjellova mbi bazën e dokumenteve arkivore këtë periudhë, krahasuar me potencialet ushtarake e veprimet përgatitore, për të kuptuar se, arritjet e pasojat në disa dekada, nën presionin e një lufte të ftohtë, nuk ishin rastësi.

Ringritja e ushtrisë për të përballuar luftën

Në vitin 1999, kufiri shqiptar kërcënohej nga ushtria serbe. Duke folur për situatën në ushtrinë shqiptare të porsadalë nga kaosi i dy viteve më parë, kolonel Sulejman Abazi thotë: “Situata ishte e rënduar, për shkak të goditjes që morën elementët e Sigurisë Kombëtare në ngjarjet tragjike të vitit ‘97.

Atëherë ushtria shqiptare kishte në organizim 8 divizione dhe një sasi repartesh e njësish të Komandës së Përgjithshme. Të mos harrojmë, se akoma ishim në sistemin e mobilizimit me trupa rezerviste dhe kishte një kufizim të thellë të trupave aktive.

Mundësitë e drejtpërdrejta në atë kohë ishin shumë të kufizuara. Veçanërisht Divizioni i Kukësit, në kontakt të drejtpërdrejtë me ushtrinë serbe në kufi, në një shtrirje frontale 187 km, e kishte të pamundur të rezistonte pa mobilizimin e të gjithë strukturave rezerviste, të cilat ishin ushtria reale që do t’i dilte në mbrojtje vendit.

Në vitin 1998 u ndërmorën masa urgjente për ringritjen e strukturave të ushtrisë, për stabilizimin e armatimeve, pasi ky vit shtrihej në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë, të cilat në muajt prill e deri në fund të qershorit, rezultonin me një situatë të ndezur luftarake midis ushtrisë serbe dhe strukturave të UÇK-së.

Në kohën e përgatitjes operacionale për dislokimin e Divizionit të Tiranës në veri, plotësuam mjaft detyra, veç grupeve të rikonicionit në Kukës edhe në zonën e Tiranës. Shtabi i Divizionit ishte shumë aktiv.

Rehabilituam sistemin e kushtrimit ajror të kryeqytetit, të dëmtuar pas viteve ‘92. Kontribuuam në bashkëpunim me Prefekturën dhe Bashkinë e Tiranës për të ardhurit nga Kosova. Bashkëpunuam me Policinë Ushtarake të UÇK-së, pas urdhrit të mobilizimit. Kambana e alarmit kishte rënë kudo në Shqipëri”.

Urdhri për të luftuar në kufirin verilindor

Gjatë periudhës së Luftës, kolonel Sulejman Abazi do të drejtonte forcat e Divizionit të Tiranës, në kufirin verilindor. Ai thotë: “Në 15 shtator të vitit 1997 u riktheva në ushtri, fillimisht me detyrën e shefit të shtabit të Divizionit të Tiranës dhe pas 8 muajsh, i komanduar komandanti i Divizionit.

Në këtë kohë kalova një periudhë të vështirë për jetën dhe karrierën time, kur nuk pranova të shkoja me detyrën e Komandantit të Divizionit të Kukësit, në nëntor 1998, atëherë kur më premtuan detyrën, gradën e gjeneralit, e të tjera. Në të njëjtën kohë që kryeja detyrën e komandantit të Divizionit të Tiranës, u ndodha para një vendimmarrjeje, të cilën e bëra sipas zgjedhjes time, pa u ndikuar nga askush. Atëherë kuptova se, kolegun tim donin ta shkarkonin.

Jam konsultuar vetëm me ish-këshilltarin e Presidentit Mejdani në atë kohë, z. Sabit Brokaj. Tendenca për të më çuar në Kukës m’u përsërit disa herë nga ministri Hajdaraga në atë kohë, me presione, deri në fund të muajit shkurt 1999. Nuk jam penduar që nuk pranova, edhe pse ëndrra e një oficeri të karrierës është të meritojë gradën “gjeneral”, madje ndihem i çliruar moralisht dhe shpirtërisht.

Divizioni i Tiranës kreu manovrën taktiko-operative dhe i dislokua në grykën e Morinit në kufi, deri në përfundimin e luftës në Kosovë. Ishte koha kur shikoja karvanet me njerëz të traumatizuar që kalonin kufirin dhe dislokoheshin në Kukës e fshatrat përreth. Kukësi atëherë, si zakonisht me 15 mijë banorë, mbante në gjirin e tij mbi 100 mijë njerëz dhe për atë që ka ndodhur  ndodhur dhe përballur, ndoshta sot duhet të ishte “Qyteti me Çmimin Nobel për Paqen”.

Nga ajo kohë e vështirë ruaj kujtime shumë të mira, por dhe me syrin kritik për kohën. Shumë ngjarje që ndonjëherë ecnin më shpejt se sa vetë koha. Kujtoj orët e vështira të datës 22 maj dhe disa ditëve më vonë. Ndodheshim në pikën e drejtimit operativ (PDO) në fshatin Bardhoc. Ka qenë një ditë shumë e vështirë. Jam ndier shumë ngushtë.

Bëhet fjalë për zhvillimin e operacionit “Shigjeta – 2”, mësymjen e brigadës me djemtë dhe vajzat e Kosovës, që u përgatit në Burrel dhe në disa pika brenda ZM të Divizionit të Kukësit.

Kam lexuar të përsëritur shkrime për këtë veprim luftarak. Kam pasur rastin të studioj edhe hartat e operacionit. Nga disa kolegë të mi, kjo ngjarje ngrihet në shkallën sipërore. Punë e tyre. Atëherë e shikoja veprimin luftarak brenda parimeve të doktrinës të luftës. Brigada pushtoi malin e Pashtrikut dhe u gjend për orë të tëra nën goditjen e hapur të artilerisë së obuzave të ushtrisë serbe.

Shikonim dhe pyesnim veten: “po ne pse jemi këtu?! Nejse, nuk kam pse të flas më tej për këtë. Analizën e doktrinave e kam bërë hapur publikisht në botimin tim të kohës; “Psikologjia e luftës kundër luftës”. Ajo kohë e vështirë ka pasur plot ngjarje të fiksuara në kujtesë, që lidhen me veprimtarinë ushtarake, me qëndrime politikanësh, me deklarata e kundërdeklarata, deri me ndonjë dezertim apo abuzim, ashtu siç mbart brenda saj vlerat e një vitaliteti mbarëpopullor, përherë një hap para shtetit për t’i dalë zot fatit dhe kohës”.

Divizioni i Kukësit

“Divizioni i Kukësit ishte vënë në eficencë të plotë më të gjithë kapacitetin e tij aktiv dhe pjesërisht rezervist. Mos harroni, ishim në vitin 1998 dhe kohët kishin ndryshuar sa i përket anës militare të shtetit shqiptar. Në atë kohë, si dhe sot, ushtria jonë nuk ishte aspak operacionale.

Edhe pse “mbetjet” ishin akoma prezent, elementët mbrojtës ishin me probleme të mëdha, ndërrimi i strukturave kishte lënë hapësirat boshe. Ajo që vlerësohej atëherë ishte faktori kohë, i cili dha mundësinë për  të kryer veprime në interes të mbrojtjes dhe të pranisë së mjeteve të sulmit afër kufirit.

Kompletimi i artilerisë tokësore brenda brezit të mbrojtjes dhe përsosja e elementëve të mbrojtjes kundërtanke në grykat e mundshme të depërtimit të mjeteve të blinduara serbe, të mbështetura në një sistem fortifikimi të mjaftueshëm, e bënte strukturën e ushtrisë tonë, jo vetëm të pranishme në të gjithë hapësirën, por dhe shumë kërcënuese në rast të ndonjë aventure ushtarake të ushtrisë serbe.

Luftëtarët e UÇK-së përgatiteshin në Shqipëri

Por, kur filloi UÇK-ja të merrte jetë dhe kur do të radikalizonte veprimet? Kolonel Sulejman Abazi, si njohës shumë i mirë i kësaj veprimtarie shpjegon: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte një mësymje agresive gjithëpërfshirëse e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Në zhvillimet e luftës në Kosovë, fillimisht do të veçoja dy momente kryesore.

Së pari, aktin heroik të familjes Jasharaj në Drenicë, ku u flijuan për lirinë e Kosovës 52 pjesëtarë të kësaj familjeje, duke dhënë mesazhin e plotë, se tashmë lufta kishte filluar dhe me shtetin serb do të flitej vetëm me grykën e pushkës.

Së dyti, 15 janari i vitit 1999, kur hordhitë serbe kryen masakrën në Reçak, duke vrarë civilë të pafajshëm dhe duke nxjerrë në dritë fytyrën e tyre të vërtetë kriminale. Është kjo arsyeja për të shpjeguar që në fillim, se akti heroik nuk ishte një rastësi. Ajo lidhet me ecurinë e ngjarjeve që kanë ndodhur me popullin shqiptar nën ish-Jugosllavi.

Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, që pas Luftës së Dytë Botërore tek shqiptarët nën ish Jugosllavi, përkon me ngjarjet e vitit 1968, të cilat do të vijonin me demonstratat e rinisë shqiptare dhe popullit në Kosovë në vitin 1981, për të kërkuar statusin  federativ dhe në vitin 1989, kundër shtypjes dhe represionit të lartë ushtarako- policor të regjimit të Milosheviçit.

Në atë kohë, në Kosovë vepronte organizata politike, Lidhja Popullore e Kosovës, shkurt LPK. Për hir të së vërtetës, në udhëheqjen e lartë të LPK-së, në çdo kohë ka pasur një përplasje midis shërbimit sekret jugosllav dhe sigurimit të shtetit shqiptar.

Këto përplasje çuan dhe në zbulimin e udhëheqjes dhe u finalizuan me gjyqin e Pejës, ku u dënuan me shumë vite burg mjaft nga drejtuesit e LPK-së. Goditja solli ndarjen e LPK-së. Prej saj doli fraksioni radikal, Fronti i Rezistencës, i vendosur të luftonte me armë kundër regjimit serb.

Në vitet 1990, me miratimin e Ramiz Alisë filloi përgatitjen në Shqipëri, grupi i parë me 58 anëtarë, që u pasua edhe nga dy grupe të tjerë. Në atë kohë, në Shqipëri u formua Partia e Unitetit Kombëtar (PUK) dhe në Kosovë shkoi direktiva për të krijuar simotrën e saj, UNIKOMB, të drejtuar nga profesori Halil Alidemaj dhe filozofi shqiptar Ukshin Hoti. Fatkeqësish mjaft prej pjesëtarëve të dy grupeve të para u spiunuan dhe goditja prej strukturave serbe vazhdoi për eliminimin e tyre.

[the_ad id=”4118″]