Get a site

Thesari  Hollmit.Nën këmbë ,aty ku të gjithë shkelim çdo ditë, ku kalojmë, ku ikim e vijmë pa kuptuar, Shqipëria fsheh ende vlera të jashtëzakonshme të identitetit të saj. Janë zona të tëra që heshtin pa mundur të flasin me vlerat e tyre të vërteta.

Diku humbin, fshihen, diku vdesin pa u zbuluar kurrë, siç është edhe rasti i fshatit Qinam në Kolonjë një zonë me vlera të jashtëzakonshme që deri më sot njihet pak ose aspak.

Në zonën ngjitur me fshatin, 23 vjet më parë gjatë disa gërmimeve krejt rastësore për të nxjerrë gurë u gjet një thesar. Ena e hekurt ishte e mbushur me monedha të prera në ishullin e Eginit në Greqi e datonin në shekullin e 6 dhe të 5 para Erës Sonë. Disa qindra të tilla u morën për t’u ekspozuar në Muzeun Arkeologjik ku gjenden ende sot, nën ruajte dhe masa të rrepta sigurie për shkak të vlerës së tyre.

Shumica e lidhen gjetjen e këtij thesari me depozitimin e tij rastësor nga ndonjë tregtar i kohës që lëvizte përgjatë aksit antik që lidhte Dangëllinë me Kosturin e zona të tjera . Ndërkohë që po në këto pjesë shumë mendojne se ka patur edhe përplasje e beteja ushtarake mes romakeve dhe maqedonasve të lashtë. Por a ishte vërtetë ky thesar diçka rastësore apo pas tij fshihet më shumë?

Profesor Skënder Aliu, një ndër arkeologët më të vjetër në vend, mendon se kjo zonë përkundër vëmendjes së munguar ka dhënë fakte të qarta për historinë antike të saj. Duke nisur nga Kalaja e Hollmit nga ku mori emrin edhe thesari , një pjesë e së cilës është ilire dhe pjesa tjetër romake.

“Kolonjë është shumë e pasur prej këtu e deri atje 7 me 7 kilometër ka një grup kalash, ka varre monumentale siç është një varr monumental 1 kilometër më tutje, ka tuma sa të them unë. Ja kam propozuar edhe ministrise qe te shpallet nje zone e mbrojtur e tipit A, qe ta ruajme ta veme ne sherbim te edukimit , te turizmit, ja vlen nje dhe e dyta te merret vesh identiteti te dije ky popull nga vjen te mesoje identitetin”, thotë profesor Aliu.

Fshati Qinam kundron për së afërti të gjithë këtë zonë. Hera herës duket i shkëputur nga historia e tij që shpeshmi thuajse kalon edhe kufijtë e legjendave e në qofshin kështu ato janë legjenda reale e mjafton të rrugëtosh nëpër rrugicat e fshatit për ta kuptuar.

Nuk është e vështirë të gjesh edhe sot në fshat monedha të thesarit të Eginës. Banorët nuk duan të identifikohen edhe pse të tilla siç thonë mund të ketë kushdo që ka punuar tokën e tij në këtë zonë. Do të donim të tregonim vetëm dy prej tyre sa për të krijuar një ide. Njëra është e ashtuquajtura monedhë me shenjën e breshkës së ujit, e cila daton sipas ekspertëve në shekullin e 6 para Erës Sonë, ndërsa tjetra ajo me breshkën e tokës që i përket gjysmës së dytë të shekullit të katërt para Erës Sonë. Nën zë banorët të thonë se në këtë zonë nuk ka qenë vetëm një enë me monedha të Eginës, por disa të tilla.

Fshati jep një përgjigje edhe për më dyshuesit që mendojnë se monedhat mund të jenë marrë nga poçja që sot gjendet në muze; nëntoka e Qinamit dhe e gjithë zonës përreth Milec, Shtikë, Butkë Qafëzez, ku janë zbuluar mbi 30 tuma, vendbanime antike e kala fsheh ende shume.

Sot gjëja më normale në fshat është të gjesh monedha . Por jo vetëm ato të thesarit të Eginës, që e bën edhe më mistike këtë histori. Monedhat janë të shumta e të ndryshme e flasin për një zinxhir historik që nga shekulli i 6 para Erës Sonë deri në atë të 6 të Erës Sonë, në kohën e dyndjeve sllavo-avare. Në fshat mund të gjesh sot shumë të tilla, në prerje të ndryshme, por që i bashkon figura e Aleksandrit të Madh, por ka edhe të tjera vështirë të dallueshme me sy të lirë.

Për fshatin e patriotit të madh Hasan Qinami i cili i bëri ballë në mënyra e momente të ndryshme dërgatave e pretendimeve greke, mund të flasësh shumë e më shumë. Jo thjesht për banorët e paqëm e punëtore, jo thjesht për historinë e mbushur me monedha të periudhave të ndryshme, por edhe për gjetje të tjera arkeologjike. Ka shumë të tilla që banorët i kanë zbuluar rastësisht në tokat e tyre, si një unazë mesjetare bronzi që mendohet se daton në shekullin e 9 deri në atë të 11. Këto gjetje nuk janë të izoluara apo të gjetura nga 1, 2 apo 10 banorë , por nga shumica dërrmuese e tyre.

Ka edhe më shumë në Qinam si këto grupe karficash, gjilpërash, vëthe , maja shigjetash e shumëçka tjetër të periudhës qytetare ilire mes shekujve 4-1 para Erës Sonë.

“Përshembull ja kjo, kjo është një fibul, një karficë siç i thonë për të mbërthyer rrobat. Bëhet fjalë për një veshje qytetare dmth jo rurale, atëherë kur është ndryshuar mënyra e jetesës, e kohës qytetare ilire do të thotë shekujt 4-1 para Erës Sonë”, rrëfen profesor Aliu.

Historia e Qinamit është simbol i historisë së Shqipërisë i lëvizjeve të shumta, dërgatave të pafundme ushtarake, pushtimeve, vendosjeve dhe mbivendosjeve të kulturave, rrugëve të vjetra tregtare e themeleve të kudondodhura ilire , e mbi të gjitha e historisë moderne shqiptare që vlera të tilla nuk di t’i ruaj, nuk di t’i promovojë, shpluhurosë apo ktheje në një resurs turistik. Deri me sot pasuri të tilla identitare që janë vlerë për muzeumet botërore , për koleksionet private të pasanikëve të huaj, kanë shkuar e dalë pafund në Shqipëri si mall pa zot.

Sot banorët e Qinamit duan vetëm vëmendje, promovim , investim e asgjë më shumë. Ruajtje për këto objekte që dalin kudo në tokat e tyre, në fushat e majat e boshatisura. Çfarë fshihet nën tokën e Qinamit e zonës përreth? Këtë askush nuk mund ta thotë e megjithatë faktet flasin se diçka fle në pritje për t’u zbuluar…

Komento rreth shkrimit