Get a site

Zbardhet kontrata e re,ja paga qe do te fitoj De Biazi

gianni-debiazi

Zbardhen detajet e kontratës së re të trajnerit të Kombëtares. Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar ndryshimet financiare për rinovimin automatik të kontratës së Xhani De Biazit.

Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit është miratuar edhe ndryshimi i termave financiarë për dyvjetorin e ardhshëm. Sipas kontratës së rinovuar, kreu i pankinës kuqezi do të përfitojë 358 mijë euro më shumë sesa në edicionin (dy vitet), që përkoi edhe me kualifikimin e kuqezinjve për në EURO 2016.

 

Detajet

Më 29 dhjetor të vitit kalendarik që lamë pas, trajneri italian i Kombëtares ka qenë në Shqipëri dhe ka zhvilluar edhe takimin e fundit me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit në lidhje me ndryshimin e termave financiarë të kontratës së rinovuar automatikisht pas kualifikimit në Europian. Xhani De Biazi ka përfituar një pagesë prej 492 000 eurosh në edicionin e kaluar. Pagë kjo, pa përfshirë bonuset që kanë qenë të veçuara dhe të përcaktuara në kontratë për çdo arritje të skuadrës kombëtare gjatë edicionit kualifikues. Në përfundim të kualifikueseve, kur Shqipëria e siguroi pjesëmarrjen në Europian, italiani lëshoi një batutë në lidhje me termat financiarë për vazhdimësinë e tij me Shqipërinë. “Do të mjaftonin diku te 2-3 milionë euro për të qëndruar”, ka qenë shprehja e italianit në formë batute, por që e kishte të përfshirë kërkesën e tij për një shpërblim më të madh që të mund të vijonte punën e tij në krye të stolit të Kombëtares.

Rritja

Komiteti Ekzekutiv ka miratuar pagën e trajnerit pas rinovimit automatik të kontratës për dy vitet e ardhshme deri në përfundim të kualifikueseve për në “Rusi 2018”, e cila do të jetë 850 000 euro. Pra, diçka më shumë se dyfishi i pagës që italiani ka përfituar në këtë dyvjeçar shumë të suksesshëm për të në aspektin personal dhe për vetë Kombëtaren. Rritja e pagës së trajnerit është bërë përafërsisht në masën 58%.

Përgatiti: Olsi Tujani-Panorama Sport

 

Komento rreth shkrimit