Get a site

Zbardhet plani i SHBA për arrestimin e politikanëve të korruptuar, FBI merr në dorë Byronë e Hetimit

ambasadori Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë në dorë të amerikanëve. Pavarësisht tentativave që drejtori të emërohej nga ministri i Brendshëm, struktura që do të hetojë dhe arrestojë deputetë, ministra e zyrtarë të tjerë të korruptuar do të drejtohet nga FBI. Ishte ambasadori amerikan, Donald Lu, ai që prezantoi dje planin special të amerikanëve për të dërguar pas hekurave të pandëshkueshmit. Duke folur në Forumin e Aktorëve të Interesit, ambasadori bëri të qartë se SHBA do të investohet personalisht që Byroja e Hetimit të mos bjerë në duart e politikës dhe që kushdo që është i korruptuar të shkojë në qeli. Nga ana tjetër, SHBA do të investojë miliona dollarë për pajisje dhe trajnime. “Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri, një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë. Ka një propozim që kjo të jetë pjesë e funksioneve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ose BKH, e bërë sipas modelit të FBI amerikane. Po përse duhet të besojnë shqiptarët e zakonshëm se këta policë të posaçëm do të jenë përtej ndikimeve dhe korrupsionit? Për shkak se Shtetet e Bashkuara do të investojnë që ajo të jetë e tillë. Ne kemi vënë mënjanë miliona dollarë për të paguar pajisjet dhe trajnimet e këtyre policëve. Trajnimi i tyre do të zhvillohet në Akademinë e FBI në Shtetet e Bashkuara. Një agjent i FBI do të caktohet në Tiranë për të mbështetur krijimin e kësaj organizate”, tha ambasadori.    Kontrolli për hetuesit  Shtetet e Bashkuara të Amerikës i tremben korrupsionit edhe brenda radhëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku edhe për këtë rast ata kanë një plan special. Ambasadori bëri me dije dje se prokurorët dhe oficerët që do jenë pjesë e kësaj duhet të kalojnë më parë një test poligrafik, teksa do të kontrollohet çdo llogari bankare dhe e shkuara e tyre. “Të gjithë policët e BKH do të kalojnë përmes testeve të dallimit të gënjeshtrave (njohur ndryshe si testi i poligrafit) dhe llogaritë e tyre bankare do të mbikëqyren për t’u siguruar që ata nuk po marrin ryshfet ose që nuk po punojnë për krimin e organizuar”, vijoi Lu. Më tej ai deklaroi se byroja do të jetë e pavarur si nga policia ashtu edhe nga prokuroria. Drejtori i saj për anti-korrupsionin do të jetë një oficer i policisë gjyqësore, i cili do t’i raportojë një prokurori të posaçëm, të pavarur. Ky prokuror do të japë llogari para popullit shqiptar.    Njësia që arrestoi Al Kaponen Ambasadori amerikan Donald Lu deklaroi dje se SHBA do të kujdeset që Byroja e Hetimit të jetë e njëjtë me njësinë speciale që dërgoi pas hekurave gangsterin Al Kapone. “Kur isha në universitet, Hollivudi nxori filmin e titulluar “The Untouchables” (Të Paprekshmit). Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert DeNiro luante rolin e gangsterit Al Kapone. Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “të Paprekshmit”. Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin, por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit. Në një kohë kur Çikago qe e mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafias të ngulitur thellë, kjo njësi e pakorruptueshme, e pavarur, qe në gjendje të arrestonte Al Kaponen e famshëm”, vijoi ai.

[the_ad id=”4118″]

Komento rreth shkrimit